Arsyet e tallavasë me “dosjet” e SPAK

2 Tetor 2023, 11:22Politika TEMA

Arsyet e tallavasë me “dosjet” e SPAK

Nga Ylli Pata

Para disa ditësh, Roberto Saviano, shkrimtari dhe gazetari i njohur italian, trajtoi në emsionin e tij, një temë që e zbërtheu në detaje.

Saviano, trajtoi deponimin e vetëm para një prokurori, të bosit tashmë të vdekur të Cosa Nostras siçiliane, Matteo Messina Denaro.

Dosja që trajtoi Saviano në emision, ishte publike, pasi ishte trajtuar në gjykatë, e si e tillë ishte kthyer në një dokument zyrtar i përfunduar dhe më pas publikuar, siç ndodh me të gjithë vendimet gjyqësore, që bashkëngjitur kanë edhe të gjithë deponimet në prokurori, së bashku me materialet e provave. 

Në emision, Saviano, shpjegoi me hollësi analitike, ku konsistonte deponimi që Denaro bëri para prokurorit. Duke pasur parasysh përvojën e gazetarit me sjelljen e mafiozëve para drejtësisë, nxori në përfundimin, se ai deponim nuk ishte gjë por një testament i koduar i kreut të Cosa Nostra-s për pasuesit e tij, pjesëtarë të një prej organizatave ë famëkeqe të krimit të organizuar.

Në Itali, përveç Savianos, ka një numër të rëndësishëm gazetarësh që ndër vite kanë trajtuar dosjet hetimore të prokurorive antimafia, apo të pool-it milanez “Mani Pulite” për politikanët e zyrtarët e korruptuar.

Falë, këtyre trajtimeve, janë botuar mijëra investigime në mediat italiane, por edhe shkruar libra pafund për krimin e organizuar, personazhet e tij, lidhjet me politikën dhe zyrtarët e korruptuar.

Roberto Saviano, Sandro Ruotolo, Marco Travaglio, Peter Gomez, e mjaft reporter e gazetarë të tjerë, kanë pasqyruar në mënyrë profesionale, e natyrisht sa më etike, të gjitha materialet hetimore, të cilat më pas kanë qenë pjesë e aksioneve gjyqësore.

Këto materiale natyrisht që kanë goditur njerëz, por vetëm njerëz me pushtet, të rëndësishëm, të cilët për publikun ishte e rëndësi të përballeshin me fakte, të cilat dilnin nga dosje hetimore. Asnjëherë këta gazetarë, nuk janë marrë me gjëra anësore, spektakolare, gossip dhe material për thashethemet. Megjithëse në malin e dosjeve, nga ku kanë nxjerrë “arin” për shkrimet e librat e tyre, kishte xhevahire nga më piktoresket, pasi bëhej fjalë për verbale pa fund përgjimesh, ku mafiozë e politikanë kanë folur me gjithçka, e më gjithkënd. Me yje showvbizi apo me personazhe super të njohur. 

Por në fund, natyrisht që nuk ka qenë ky qëllimi i tyre. Përveç rastit të të ndjerit Silvio Berlusconi, ndaj të cilit, kur ishte kryeministër kishte hetim nga prokuroria për marrëdhënie me vajza minorene. Atëherë doli rasti i festive të famshme Bunga-Bunga ne vilën e il Cavaliaere, apo fotot e zijafeteve me pullë të kuqe. Në fund të fundit, në këtë rast flitej për një kryeministër, i cili në më shumë se një rast kishte zgjedhur si personazhe politike të partisë së tij, vajza që i kishte njohur në festat e shfrenuara.

E për këtë, i ndjeri Berlusconi, mori edhe goditjen e madhe nga gruaja e tij, Veronica, e cila jo vetëm u divorcua, por edhe e denoncoi publikisht në një letër të hapur që e botoi në gazetën që i shoqi e kishte kundërshtaren më të madhe të tijën.

Me fjalë të tjera, këta gazetarë që kanë punuar me dosjet e antimafias apo antikorrupsionit, kanë trajtuar me mjaft seriozitet përmbajtjen e tyre, duke synuar normalisht tek ai që publiku kërkon; veprimtarinë kriminale, abusive e kaq. Duke e trajtuar sa më profesionalisht e me etikë jo vetëm materialin zyrtar, por edhe personazhet me të cilin merren.

Është një histori më vete dhe që vijon në të gjithë njerëzimin, kronika e ngjarjeve që janë zhvilluar. Historianët, që ndjekin materialet arkivore, kanë mësuar të lexojnë edhe kronikat, në bazë të mënyrës sesi ata janë shkruar; duke mbajtur anën e sunduesve dhe sulmuar kundërshtarët e tyre.

Por edhe në rastin e luftës ndaj krimit e korrupsionit, media ka qenë gjithmonë aleate e rëndësishme e autoriteve dhe agjencive ligjzbatuese.

Eliot Ness, njeriu që futi në burg Al Caponen në Chikago, me gazetarët bëri që të komunikonte me publikun, i cili deri atëherë i vinte vizatimi i gangsterëve si yje hollywood-i. Ness përcolli faktet e tmerreve që Capone dhe banditët e tjerë kryenin përditë thjesht për tu pasuruar e pasuruar.

Edhe në Shqipëri, shpesh ka pasur bashkëpunim të pushtetit dhe agjencive ligjzbatuese me mediat. Herë herë ka qenë i saktë dhe normal, shpesh duke pasur të tjera qëllime se informimi i publikut. Shërbimi Sekret pas viteve 90, pra SHISH ka pasur dy histori të sjelljes me mjedisin mediatik. Ku historitë e servirura në shumicën e rasteve ishin montime e fake news sesa ngjarje reale.

Kështu ka ndodhur ndër vite edhe me policinë e shtetit, ku historitë e përcjella shpesh kanë qenë të pambështetura në fakte reale, por servireshin pista e personazhe që nuk kishin lidhje me realitetin. E mbani mend ngjarjen e famshme të bllokut në vitin 2018, ku u përplasen dy personazhe të njohur të kronikës së zezë si Martinaj e Mataj, ku u përfshinë edhe ish-policë e ish-komando të ushtrisë shqiptare? 

E për atë ngjarje, për 48 orë qarkulloi një pistë sikur e gjitha kishte ndodhur nga çmendja e njërit që kishte kancer e kishte vetëm 3 muaj jetë. Të gjithë emisionet e darkës, pa përjashtim i ranë kësaj piste, e cila u shkua për dy ditë. Ditën e tretë, po të njëjtit personazhe, të njëjtët drejtues emisione bënë sikur s’kishte ndodhur gjë dhe nisën pistat e tjera.

Pse ndodhi kjo? Sepse pista që qarkulloi nuk ishte dhënë nga prokuroria, por nga qarqe e klane të policisë së bashku me vipat e krimit të organizuar. Pasi nuk donin të dilte e vërteta e atij sherri që në fakt ishte fillimi i një prej luftrave mafioze më të rëndësishme në vend.

Kush nuk e mban mend epokën Llalla në prokurori, kur dosjet e pistat qarkullonin nëpër emisione, sikur ishin ekskluzivitete, por që në realitet asnjëhera prej atyre versioneve as nuk vërtetoheshin në gjykatë. Sepse nuk ishin dosje, ishin mënyra për të gjobitur, apo krijuar një ngjarje politike. Shpesh kjo traditë, po tentohet të vijohet edhe tani por jo si në kohën e Llallës.

Veçse spekulimi vijon. Sot, çdo dosje që shkon në SPAK, kur del në masë arresti, të paktën të dhënat fillestare, kthehet në vendim gjykate dhe është dokument publik.

Po a i keni dëgjuar ju të famshmit reporterët dedektivë që të thonë se bëhet fjalë për një dokument që është miratuar në gjykatë e është publike? Jo, pasi janë “burimet” që ja thonë, janë “burimet” që e furnizojnë. Pika burimet!

Po kur publikohen në mediat online, pjesë nga dosjet hetimore, ku të bashkëngjitura janë edhe zbardhjet e përgjimeve. Të cilat përgjithësisht janë bruto, siç kanë biseduar personazhe krimi me 8 klasë shkollë. As redaktim, as shpjegim, as kontekstualizim, apo historic. Siç bëjnë kolegët tanë në Itali e gjetkë, të cilët dosjet i trajtojnë si materiale burimore, e jo dokumente për ti përplasur copy paste. 

Pastaj dalin këto telenovelat e gossip-it, të cilat mund të kenë shumë qëllime, por jo zbardhjen reale të asaj dosjes që bëhet fjalë. Përgjimet, deponimet, deklaratat janë pjesë të një hetimi që gazetari bën për të përpiluar raportin e tij, e nuk mund të zëvendësojnë asnjëherë vetë raportimin.

TemA

6 Komente

  1. T
    Te fala Saliu i kufirit ne Shkoder

    O toc pattate se nje person qe bane pjese ne nje strukur,polici ushtri prokurori nuk perfaqesojne shtetin ato jane individ si cdo qytetar pse i perzieni,cdo person ashte pergjegjes personal per krimin qe bane e nuk ashte shteti apo institucioni,jeni bere sejcili ma shemtire se tjetri,ne nje vend jashte Shqiperie nuk hane buke me idiotizmat tuaja e te shokeve

    1. k
      k

      Ata në Itali janẽ gazetarẽ investigativẽ indipendentẽ , jo si pseudo- gazetarẽt shqiptare që paguan nga korrupsioni dhe mafja non grata.

    2. Z
      Ziqirie Qirishumja

      Made in Klodiana Llapaqene Lala….

      1. N
        Noci

        Ajo qe do te thote gazetari Pata eshte e verteta e mjerimit te gazetarisë shqiptare por edhe e medias vizive ku mire ne populli i thjeshte,por analistet e famshem dhe ata qe quhen moderatore,ja servirin shikuesve si zbulime dhe politikanet Tane dalin e i trajtojnë ne parlament si te verteta ,kerkojne ngritje komisionesh dhe kur pas nje jave del se ishte genjeshter asnje nuk kerkon falje,nuk e pergenjeshtron ,por pregatisni ose marrin gati babalen e radhes per t'ia servirur publikut

        1. G
          Gurabardhi

          Një shkrim koti fare.

          1. L
            Labeati

            Ne polici ne ushtri ne Kishe e Xhami nuk mund te sherbejne kushdo

            Lini një Përgjigje