Marrëveshja mes dy grupimeve të PD-së për të dalë me një kandidat të përbashkët në Durrës, duket se ka dështuar.
Prapaskenat e negociatave që kanë zgjatur rreth 3 muaj, i ka treguar Fatmir Merkoçi, një nga themeluesit e PD-së.
Merkoçi ka thënë se pas takimeve të shumta me bazën e PD, e cila e ka shprehur qartë nevojën për një parti të bashkuar e jo të ndarë, negociatat janë përqendruar tek figurat kryesore të degës lokale.
“Nuk kam marrë përsipër të bashkoj kupolën e PD-së, kam marrë përsipër të bashkoj qytetin e Durrësit, sepse janë interesat në radhë të parë të demokratëve të Durrësit, por në radhë të dytë të qytetit të Durrësit,” thotë Merkoçi, ndërsa pohon se angazhimi i tij i vazhdueshëm ka qenë për të bërë bashkë gjithë spektrin politik të PD-së lokale.
Për mosdaljen me një deklaratë të përbashkët mes Igli Carës dhe Joni Myshketës, deklaratë e cila dukej shumë pranë finalizimit, Merkoçi drejton gishtin nga kandidati i shpallur deri më tani në garën për bashkinë Durrës.
“Pas shumë takimesh arritëm në konkluzionin se do dilnim me një deklaratë të përbashkët për shtyp, ku zoti Myshketa mori përsipër të mos nxjerrim asnjë kandidat tjetër, por të pranojmë Igli Carën si kandidat dhe në listën e kandidatëve për këshilltarë të përfshihen nga të dy grupet. Në momentin e fundit kandidati (Igli Cara) u tërhoq dhe nuk pranoi ofertën sepse donte të dilte në mënyra të tjera të vetat. Nga ky moment u prish çdo gjë”, u shpreh Merkoçi.
“Tërheqja në minutë të fundit nuk më la përshtypje të mira, shije të mirë”,- vijon më tej ai, ndërsa thekson se pas asaj dite nuk ka pasur më kontakte mes palëve të përfshira në bisedime.
Sipas Merkoçit, kreu i PD Durrës nga grupimi Alibeaj, Joni Myshketa, e ka pranuar kandidaturën e Carës si kandidati i vetëm i opozitës.
“Zotit Myshketa i kam marrë pohimin se nuk do të nxjerrin kandidat, do të pranojnë Igli Carën si kandidat të PD dhe që do të jenë në mbështetje totale të tij”,- deklaron ai.
Ndërsa zgjedhjet lokale po afrojnë, ende nuk është e qartë nëse PD do të marrë pjesë në to me një kandidat të përbashkët apo me dy kandidatë.
Si mund te bashkohen kur ata nuk kane thene kush ishte fitimtari njehere dhe me ktyesorja nuk e kane sqaruar shkaktarin e ndarjes .