E-Legjislacioni, Tarrani: Gur themeli për procesin ligjvënës në Shqipëri. Gonzato: Forcon transparencën dhe llogaridhënien

23 Qershor 2025, 12:03Politika TEMA
E-Legjislacioni, Tarrani: Gur themeli për procesin ligjvënës

Ambasadori i prezencës së OSBE-së në Shqipëri Michel Tarran deklaroi se portali i ri E-Legjislacioni, është një gur themeli për procesin ligjvënës në Shqipëri. Në fjalën e tij në Kuvend gjatë takimit për prezantimin e portalit të ri, Tarrani theksoi se E-Legjislacioni do të shërbejë për ta bërë ligjvënien më transparentë, më gjithpërfshirëse dhe më të qasshme. Ai shtoi se,  ky tranzicion për legjislacionin elektronik do të mundësojë rezultate të vërteta, harmonizimin e konsolidimin e teksteve ligjore, përmirësimin e punës së brendshme të Kuvendit, do shtojë transparencën dhe qasjen e publikut ndaj legjislacionit, si dhe do të koordinojë punën mes institucioneve ligjvënëse në Shqipëri.

“Ky portal është gur themeli për procesin ligjvënës në Shqipëri. Ky portal është më shumë se një platformë digjitale, por rezultat i një pune të gjatë për të bërë ligjvënien më transparente, gjithëpërfshirëse dhe të qasshme. Që nga 2019-ta prania e OSBE në Shqipëri ndërsa ka punuar me Kuvendin e mbështetjen e qeverisë së Zvicrës ka ndihmuar të vendosen themelet për këtë tranzicion. Përtej sfidave, objektivi i të dyve ka mbetur i qartë për të ndërtuar një sistem të ndikueshëm ligjvënie.

Kjo arritje është e të gjithë përpjekjeve të përbashkëta të grupeve të ndryshme të Kuvendit, IT, grupeve të zhvillimit dhe task-forcën ndërinstitucionale.

Ky tranzicion për legjislacionin elektronik do mundësoj rezultate të vërteta, harmonizimin e konsolidimin e teksteve ligjore, përmirësimin e punës së brendshme të Kuvendit, do shtojë transparencën dhe qasjen e publikut ndaj legjislacionit dhe do koordinojë punën mes institucioneve ligjvënëse në Shqipëri.

Që nga 2023 me mbështetjen për këtë projekt, kemi arritur disa rezultate kyçe, kemi zhvilluar 4 programe kompjuterike, mbi 82 mijë dokumente legjislative të skanuara dhe 5 mijë faqe të shënuara për akte ligjore”, deklaroi ai.

Gonzato: Përafrojmë legjislacionin përmes “BE për demokracinë”

Ambasadori i BE, Silvio Gonzato theksoi se në fokus të E-Legjislacioni është transparenca, llogaridhënia, efektiviteti dhe integriteti i Kuvendit. Gonzato theksoi, se në këtë formë, rritet edhe besimi i qytetarëve të institucionet ligjzbatuese.

“Pasja e një legjislacioni të tillë është shumë i rëndësishëm për negociatata e BE për çështjet themelore dhe është pjesë e kapitullit që ka të bëjë me udhërrëfyesit e funksionimit të institucioneve demokratike.

Përveç këtij instrumenti Kuvendi ka marrë përsipër një sërë instrumentesh të tjerë për të krijuar parlamentin e hapur.

Një masë tjetër është fuqizimi i transparencës dhe llogaridhënies. si përshembull: krijimi i një sistemi zbardhjeve për seancat e komisioneve dhe ato plenare, transmetimi në kohë reale dhe regjistrimi audio-vizual.

Për të patur standarde më të mira etike, me Kodin e Etikës, duke përmirësuar kapacitetet administrative, etj.

Këto masa do përmirësojnë transparencën, llogaridhënien, efektivitetin dhe integritetin e Kuvendit. Në këtë formë edhe besimi i qytetarëve do jetë më i fortë te institucionet”, deklaroi Gonzato.

Ai shtoi se BE ka një projekt për t’i ardhur në ndihmë Kuvendit për rolin e tij në negociata dhe më pas me anëtarësimin e plotë të vendit në familjen e madhe europiane.

“BE për demokracinë” do të jetë projekti, që sipas Gonzatos, do të përqendrohet në katër aspekte:

Kuvendi të luajë rolin e vetë kyç në negociatat sa i përket legjislacionit dhe më pas kur Shqipëria të bëhet shtet anëtarë. i pari që do ketë të bëjë me qeverisjen; përmirësimin e mekanizmave negociues, fuqizimi i shoqërisë civile dhe medias.

Ambasadorja zvicerane, Huber: “e-Legjislacioni” hap një kapitull i ri për ligjbërjen në Shqipëri

Ambasadorja e Zvicrës në Shqipëri, Ruth Huber, e cilësoi platformën “e-Legjilacioni” si një hap vendimtar që shërben për forcimin e institucioneve demokratike. Ajo theksoi se sistemet digjitale janë një mjet thelbësor për ta bërë punën e Kuvendit më efikase dhe më të hapur ndaj qytetarëve, duke mundësuar transparencë të plotë mbi rregullat dhe ligjet që qeverisin jetën publike.

Ky portal shënon kurorëzimin e mbështetjes tonë afatgjatë për kuvendin dhe është hapur një kapitull i ri për ligjbërjen në Shqipëri. Qëllimi ynë është që vendi të arrijë institucione demokratike dhe më funksionale. Sistemet digjitale ndihmojnë kuvendit të bëhet më efikas, të hapur dhe më pranë qytetarëve”, u shpreh ambasadorja Huber.

Diplomatja theksoi gjithashtu se sfida e vërtetë qëndron në garantimin e vazhdimësisë së këtij sistemi, përmes mbështetjes së mëtejshme politike, teknike dhe financiare.

“Të gjitha rregullat dhe ligjet do të jenë të hapura për publikun dhe kjo ndihmon që qeveria të jetë më llogaridhënëse dhe më e aksesueshme nga qytetarët. Ky portal ofron procese më të mira ligjvënëse”, përfundoi ajo.

Lini një Përgjigje