Një “pse” amerikane për “non grata“-n ndaj Berishës

8 Gusht 2022, 20:30Politika TEMA

Një “pse” amerikane për “non grata“-n ndaj

Një grup senatorësh amerikanë nga partitë Demokratike dhe Republikane paraqitën një projektligj që synon mbështetjen e zhvillimit ekonomik, tregtisë dhe luftës kundër korrupsionit, duke përfshirë hartimin e një ligji mbi sanksionet speciale për të luftuar aktivitetet destabilizuese në Ballkanin Perëndimor.

Projektligji, i njohur ndryshe si Akti i Demokracisë dhe Prosperitetit të Ballkanit Perëndimor, u prezantua nga Senatorja Demokratike Jeanne Shaheen, kryetare e Nënkomitetit për Evropën dhe Bashkëpunimin e Sigurisë Rajonale dhe senatori republikan Roger Wicker.

Nisma vjen mes shqetësimeve të shtuara në rajon për luftën në Ukrainë, raporton Radio Evropa e Lirë.

Senatori Shaheen thotë se marrëdhënia e Shteteve të Bashkuara me Ballkanin Perëndimor është thelbësore në këtë kohë, ku synimet e presidentit rus Vladimir Putin për të përhapur ndikimin keqdashës në të gjithë Evropën Lindore janë të dukshme.

“Ligji i ri dypartiak forcon tregtinë dhe investimet mes SHBA-së dhe Ballkanit Perëndimor, ndërkohë që lufton korrupsionin, përmes miratimit të një ligji të posaçëm për sanksionet ndaj aktorëve destabilizues. E gjithë kjo hap rrugën për integrime më të gjera euroatlantike”, tha Shaheen në prezantimin e nismës në faqen e saj të internetit.

Projektligji udhëzon Sekretarin e Shtetit që t’i ofrojë asistencë teknike çdo vendi të Ballkanit Perëndimor në zhvillimin e një strategjie kombëtare për luftën kundër korrupsionit.

Ai gjithashtu parashikon rikthimin në ligj të dy urdhrave ekzekutivë, të cilët do të garantonin kompetenca për sanksione kundër atyre që kërcënojnë paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe që janë të përfshirë në praktika korruptive.

Ai synon gjithashtu të promovojë partneritetet universitare, të inkurajojë angazhimin e Korpusit të Paqes në rajon, të krijojë një iniciativë për udhëheqjen e të rinjve në Ballkan dhe, siç kërkohet nga Korporata Financiare e Zhvillimit, të hapë një zyrë të shpallur më parë në rajon.

Senatori Shaheen udhëhoqi një grup senatorësh amerikanë që vizituan Kosovën, Serbinë dhe Bosnjen në prill për shkak të shqetësimeve rreth ndikimit të konfliktit në Ukrainë në Ballkanin Perëndimor.

Vizita e tyre kishte për qëllim forcimin e lidhjeve midis Uashingtonit dhe Ballkanit Perëndimor, përballë përpjekjeve të huaja për të minuar paqen.

Senatori Wicker tha se projektligji do të “dërgojë një sinjal të fortë dypartiak se Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për të mbështetur diplomacinë në rajon”.

Gjithashtu, senatorët Dick Durbin, Thom Tillis, Chris Van Hollen, Ben Cardin dhe Chris Murphy e mbështesin këtë projektligj.

Për Senatorin Tillis, në një kohë kur Rusia vazhdon luftën e saj të paligjshme kundër Ukrainës dhe kërcënon aleatët e NATO-s, rajoni i Ballkanit Perëndimor është vendimtar për sigurinë e Evropës.

Senatori Ben Cardin, kryetar i Komisionit për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë, i njohur si Komisioni Amerikan i Helsinkit, tha se “në një kohë kur vendet e Ballkanit Perëndimor kanë bërë hapa të mëdhenj drejt qeverisjes demokratike, që nga përfundimi i luftërave në ish-Jugosllavia, ndarjet politike dhe korrupsioni në rritje kërcënojnë të rrezikojnë këtë përparim”.

“Ne duhet të vazhdojmë të mbështesim partnerët dhe aleatët tanë demokratikë në Ballkanin Perëndimor. Ky projekt-ligj dypartiak do të çojë përpara stabilitetin rajonal dhe përpjekjet kundër korrupsionit duke krijuar programe që inkurajojnë zhvillimin ekonomik gjithëpërfshirës, ​​një strategji kombëtare kundër korrupsionit dhe do të mbajë përgjegjës ata që kërcënojnë paqen në Ballkanin Perëndimor, tha Cardin.

Senatorët amerikanë e shohin projektligjin si një mundësi për të forcuar më tej marrëdhëniet midis SHBA-së dhe Ballkanit Perëndimor, për të zgjeruar mundësitë ekonomike dhe për të mbështetur përpjekjet për të përmirësuar demokracinë dhe për të çrrënjosur korrupsionin.

Në kontekst shqiptar, ky zhvillim amerikan që tenton lidership të fortë të SHBA në rajon, është reflektuar në disa ndëshkime me “non grata”, ku më e bujshmja është ajo ndaj ish-presindetit dhe ish-kryeministrit Berisha.(Tesheshi)

1 Komente

  1. P
    Photo e rralle meriton çmimin photo e vitit

    Bukuria eshte fotografia e nongrates i rrezuar pertoke kur shikoje kete foto artikulli humbet kuptimin foto e vitit

    Lini një Përgjigje