Parku i Butrintit, Kumbaro i kundërpërgjigjet Metës: Parku mbetet nën administrimin e shtetit

22 Qershor 2022, 09:17Turizëm TEMA

Parku i Butrintit, Kumbaro i kundërpërgjigjet Metës: Parku mbetet

“Shteti nuk heq dorë nga asnjë përgjegjësi ndaj Parkut Kombëtar të Butrintit”. Kështu është shprehur ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro në lidhje me deklaratat e Presidentit Ilir Meta.

“E konsideroj këtë deklaratë të pasaktë, të pavërtetë. Shteti nuk heq dorë nga asnjë përgjegjësi kur flitet për trashëgimitë kulturore publike. Edhe nëse në arën e një bujku që është pronë private e bujkut dhe gjatë gërmimeve dalin vepra arkeologjike, ato janë me ligj pronë publike. Në të njëjtin ligj parashikohen dy forma të administrimit: direkte dhe indirekte. Direkte janë forma si parku i Apolonisë, Teatri i Operas dhe Baletit apo të tjera, me varësi nga Ministria e Kulturës. Është edhe një formë tjetër që janë fondacionet që janë e drejtë e çdo institucioni kulturor të pushtetit lokal apo qendror, të krijojnë fondacione kulturore që të tërheqin dhe fonde të tjera.

Meqë përmendi Koventën e Parisit të Trashëgimisë Kulturore Presidenti, i kujtoj atij nenin 17 të kësaj konvente i cili thotë: “Neni 17 parashikon se shtetet palë të kësaj Konvente do të konsiderojne dhe inkurajojnë themelimin e fondacioneve ose shoqatave vendase publike dhe private qëllimi i të cilave është të ftojnë donacione për mbrojtjen e pasurisë kulturore dhe natyrore të përcaktuar në nenet 1 dhe 2 të Konventës.” Fondacioni është rasti kur dhurohen para për një destinacion të caktuar kulturor, me qëllime jo fitimprurëse”, tha Kumbaro gjatë diskutimit në emisionin “Open”.

Presidenti i Republikës në një deklaratë për mediat tha se është e papranueshme që për pasuri të tilla si Butrinti, me rëndësi historike, shteti të heqë dorë nga çdo përgjegjësi.

Mirela Kumbaro sqaroi më tej se Ministrisë së Kulturës nuk i është hequr asnjë atribut ndaj Parkut Kombëtar të Butrintit.

 

“Butrinti nuk i është dhënë askujt, Ministria e Kulturës mbetet administratore e patjetërsueshme e parkut të Butrintit. Kjo nuk i heq Ministrisë së Kulturës asnjë atribut për menaxhimin e parkut”, ka thënë më tej Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro.

Lini një Përgjigje