Marrëveshja për projektin “Vjosa –Park Kombëtar”, Kumbaro: Metafora më e përsosur e natyrës shqiptare

13 Qershor 2022, 18:53Turizëm TEMA

Marrëveshja për projektin “Vjosa –Park

Qeveria shqiptare dhe kompania aktiviste Patagonia nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi për projektin përgatitor “Vjosa –Park Kombëtar”.

Marrëveshja u nënshkrua në praninë e aktivistëve shqiptarë dhe ndërkombëtarë nga ministrja e Mjedisit, Mirela Kumbaro dhe drejtori ekzekutiv i Patagonia, Ryan Gellert.

Sipas ministres Kumbaro, qeveria ka filluar planet për shpalljen e Vjosës si Park Kombëtar që prej vjeshtës së vitit të kaluar, duke e cilësuar Vjosën si një laborator të mirëfilltë si për shkencëtarët, ashtu edhe për vendasit.

Fjala e plotë

Në shqip Vjosa është lumi, por është edhe emër gruaje.

Vjosa në të vërtetë është metafora më e përsosur e natyrës shqiptare:

- me gurët e bardhë sa të magjeps vështrimin,

- me ishujt e zallit spërkatur aty këtu nga filiza lulesh të egra që flasin gjuhën e gjallesave të kësaj ane të Shqipërisë, në shtratin e hershëm sa bota, midis meandrave të saj që hapin derën nga kufiri me fqinjin grek, deri sa derdhen në detin Adriatik.

Por Vjosa është simbol i historisë njerëzore të një pjese të rëndësishme të Shqipërisë ku gruaja që kujdeset për shpirtin e vatrës është historikisht mbretëresha e shtëpisë, siç është Vjosa “mbretëresha kokëfortë e lumenjve europiane” mes të cilëve e mbron fronin, me energjinë e vet të bukur, me gërshetat e veta njësoj si flokët e grave të Përmetit, Gjirokastrës, Tepelenës, Mallakastrës, Vlorës, Fierit, Memaliajt, Këlcyrës por edhe me ngjyrat e nuancat e lëkurës së pjekur të vajzave të Selenicës ku shkon Shushica, madje edhe të Libohovës ku valëzon Drinua.

Është kjo martesë e pandashme e Natyrës me Njerëzit - projekti ynë më i ri për një zhvillim të qëndrueshëm të Parkut Kombëtar të Vjosës që e duam të tillë e prandaj jemi këtu sot.

Vjosa është laborator

Prej vitesh shkencëtarë e hulumtues nguten në brigjet e Vjosës për të studjuar dinamikën lumore rrethuar me mistere:

-        larmi të pashoq për nga konteksti gjeofizik, me rrëketë, kanionet, bërrylat e gjarpërimet.

-        larmi morfologjike që krijon habitate të panumërt ujore për gjallesat, peshq, insekte, zogj.

-        florë e faunë lumore që njerëzit e thjeshtë si unë i magjepsin, sepse në këtë aromë kemi lindur,

ndërsa ekspertët i robërojnë intelektualisht sepse gjejnë te sedimentet e Vjosës atë që në vendet e tjera të zhvilluara Europiane, prej nga vijnë, ndoshta veç e përfytyrojnë, por nuk e kanë më…

Përndryshe s’kishin pse e quanin, “lumi i fundit ende i egër në Europë”, këtë vigjëlonjëse të mbijetuar për të nga treguar se si duhet të mbrohemi më tej nga pasojat e ndryshimeve klimatike.

Kjo ngrehinë emocionale dhe profesionale, do kohën e vet që të ndërtohet.

Është ndërtesa e ndërgjegjësimit dhe e zhvillimit organik të një shoqërie si kjo e jona, që siç e kam parë unë nga brenda politikbërjes tash e nëntë vjet,-  pasi vendosa të kaloj nga ana e protestës për realizimin e ëndrrave, në atë të aksionit për t’i bërë ëndrrat realitet, -  në politikëbërje sfida më e  madhe nuk është të vijosh të ëndërrosh e të shesësh ëndrra,  por të marrësh përsipër përgjegjësinë më të madhe:

të vendosësh se nga cila ëndërr do ta fillosh punën reale, cila ëndërr është ajo që i pergjigjet kërkesës për zhvillim të atyre që të kanë besuar.

Jo për t’u marrë me ëndrrën tënde si një anëtare e shoqërisë civile, por për të jetësuar ëndrrën e një komuniteti të tërë që prej dekadash kanë parë se si u janë larguar të rinjtë drejt Tiranës apo, drejt vendeve ku nuk ka më lumenj të egër të një komuniteti si i Tepelenës që nuk kishte rrugë nga qyteti në qytet, madje as brenda në qytet të një komuniteti si i Përmetit që ndonëse në buzë të Vjosës kishte 29 vite pa ujë në çezëm, të një komuniteti si Gjirokastra, ku krenaria e Qytetit te UNESCO-s kishte mbetur varur në sprethet e çative të gurta e therrmohej nga viti në vit bashkë me gurët e kalldremit të zbrazur nga ecejaket e munguara në Qendrën Historike, të një komuniteti fermer e blegtor me vraga të thara në duar, që tokën e lopën e kishte vetëm për jetesë dhe fjalën “agroturizem” nuk e kishin as dëgjuar e as parë, provuar jo e jo, madje edhe na qesëndisnin me të drejtë, kur nisëm ta kthenim në politikë zhvillimi 5-6 vite më parë.

Të zonave të tëra që për të bërë një dializë apo  për të sjellë në jetë një foshnje, duhet të bënin 4-5 orë rrugë deri në Tiranë, se mungonte shërbimi shëndetsor i nevojshëm.

nuk po flas për turizëm malor, për ekoturizëm, për akses në bregdet se kjo nuk ishte as ëndërr e jo më nevojë.

Dhe do ma lejoni mungesën e modestisë në këtë njohje të shpirtit të së kësaj zone, jo thjesht si ish Ministre Kulture, as si bijë e asaj krahine prej fillimit të jetës në brigjet e Vjosës, por më shumë si deputete e Qarkut të Gjirokastrës ku kam privilegjin e patreguar, të flas prej më shumë se 5 vjetësh gati me çdo banor, të njoh çdo fshat e të dëgjoj të gjitha fëshfërimat e pyjeve e këngët e zogjve por edhe frymëmarrjen e punës.

Realizimi i këtyre projekteve dhe i shumë të tjerëve që morën rrugë me Rilindjen Urbane në çdo qytet, madje edhe në më të voglën zonë qytetase, dhe në shumë fshatra, solli jo thjesht zhvillim e perspektivë të re, por sidomos emancipim të shoqërisë.

Është kjo Shqipëri, që sot debaton çdo ditë projektet kulturore dhe mjedisore me pasionin e një shoqërie që ka të drejtën e së tashmes që dëshiron, dhe detyrimin ndaj së ardhmes që ua kemi borxh fëmijëve:

Detyrimin të mos diskutojë për asnjë projekt zhvillimi pa konsideruar, pa shqyrtuar dhe pa i dhënë vëmendjen e duhur impaktit mjedisor dhe sociokulturor të tij.

Kjo është Shqipëria e vitit 2022, që nisi në janar, me shpalljen e Luginës së Vjosës “Park natyror” dhe me zgjerimin e zonave të mbrojtura nga 17% e territorit në 21 %.

Sot, pas muajve të gjatë komunikimesh me miqtë e kolegët e kompanisë Patagonia, protagoniste e palodhur në të gjithe prononcimet e organizatave vendore dhe ndërkombëtare, me kontribut shumë të vyer në promovimin e Vjosës, pasurive të saj, por edhe të Shqipërisë.

Këto komunikime nisën bashkë me mandatin e tretë të kësaj qeverie, - pas shkëmbimesh, debatesh, informacionësh dhe moskuptimesh , nganjëherë - që shoqërojnë organikisht bashkëbiseduesit kur disa vijnë nga vendet ku s’ka më lumenj të egër, dhe të tjerë nga ato vende që lumin e egër e duan shumë se e kanë brenda vetes, por duan edhe t’i shpjegojnë çdo banori rreth atij lumi se çfarë do të ndodhë me të, dhe t’I japin arsye që të mos largohet nga lumi I eger se ka modele të reja zhvillimi që I japin kuptim jetës.

E pra sot vijmë para jush. Me një marrëveshjë bashkëpunimi si një dakordësi të bashkëndarë për të punuar së bashku.

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit e ka nisur në fakt procesin e përgatitjes që në vjeshtë.

Me Bankën Botërore po përgatisim investimin per impiantet e trajtimit të ujërave të ndotura që të gjitha bashkitë e Vjosës i derdhin sot në lumë e prej andej në det!

Në tetor ngritëm grup të brendshëm pune për të grumbulluar informacion të të gjitha fushave për jetën, tokën, ujin, ndërhyrjet e bashkive të luginës së Vjosës, por sa më shumë mblidhnim aq më i qartë ishte fragmentarizimi dhe mungesa e një plani të integruar të luginës së Vjosës.

Kjo kërkon një studim të thelluar të të gjithë shtresave natyrore, sociale, ekonomike, bujqësore, ujore, arkeologjike, gjeologjike, turistike, të faunës e të florës, por sidomos të perspektivës që sjell statusi Park Kombëtar për jetën e rreth 60 mijë banorëve që janë sot trashëgimtarë dhe bartës të një mënyrë jetese, tradite, pasurish shumëshekullore.

Këtë synon kjo Marrëveshje Bashkëpunimi që nënshkruajmë sot: të ndërtojmë me kontributet e ekspertëve vendas e ndërkombëtarë, qeverisjen vendore dhe qendrore, dhe me shpirtin njerëzor të Luginës së Vjosës, modelin e PARKUT KOMBËTAR TË LUMIT TË EGËR.

Po e ndal veten këtu, gati me dhunë, por vetëm një gjë ju them, nëse nuk e keni bërë ende shkoni vizitoni Vjosën në mos për të tjerat, për dy gjëra:

1. Qetësinë turkuaz të rrallë në verë ose harbimin me ngjyrën e qumështit në dimër.

2.  Njerëzit që janë rritur e punojnë në luginë e që sot po krijojnë destinacionet e reja të ekoturizmit, slow-food-it dhe festivaleve shumëngjyrshe që kremtojnë Vjosën, si për të na treguar rrugën drejt Parkut Kombëtar.

Me modelin e zhvillimit të qendrueshëm brenda Parkut Kombëtar duam të shpëtojmë edhe të parën edhe të dytët.

1 Komente

  1. B
    Benet Beci

    Mos harro shoqja Ku(rv)mbaro pllakën e Sulltanit në breg te lumit. Dhe sallameritë Hako ne mes te lumit mbi kolona betoni ne forme palapash. Keto hartimet lexoja Edvinit kur dhisni ne kolektiv. Sorre spiunesh.

    Lini një Përgjigje