
Volodymy Zelensky, të shtunën e 8 tetorit, iu ka bërë thirrje shteteve të Bashkimit Evropian dhe veçanërisht atyre të Ballkanit që të fillojnë sa më shpejt të pavarësohen nga Rusia, si në politikë ashtu edhe në ekonomi dhe energji.
Kjo deklaratë nuk i ka pëlqyer aspak anëtarit serb të Presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës, Milorad Dodik i cili ka deklaruar se presidenti i Ukrainës “nuk është dikush që duhet pyetur se çfarë duhet të bëjë Ballkani Perëndimor”.
Ai vlerësoi se “arroganca e tij e tejkalon rëndësinë e rolit që ai mendon se e ka” dhe ka vlerësuar se është “politikisht e pahijshme” që Zelensky të këshillojë Ballkanin Perëndimor.
“Pikëpamjet e tij nuk na shqetësojnë dhe nuk janë ato që duhet të ndjekim”, theksoi Dodik, transmeton mediumi serb “Nova”.
Tutje, ai konsideroi se këshillat e presidentit të Ukrainës duhet të hidhen poshtë dhe shtoi se “Republika Srpska” mbetet neutrale kur bëhet fjalë për krizën në Ukrainë.
“Ai mendoi se mund t’i ligjërojë dhe të gjykojë se kush është në rrugën e drejtë dhe kush është në rrugën e gabuar. Kjo duhet të hidhet poshtë si diçka që erdhi nga një palë që nuk u pyet fare”.
Ndryshe, agresionin rus mbi Ukrainën, Dodik e quajti “pasojë të ndërrimit gjeopolitik të pushteteve” dhe pasojë të mosdëgjueshmërisë së Perëndimit për “shqetësimet e Rusisë për zgjerimin e NATO-s”.
“Strategët evropianë kanë pasur sukses në këtë. Në vitet e kaluara ata arritën të dërgojnë armë dhe të trajnojë disa forca në Ukrainë, dhe injoruan kërkesat dhe shqetësimet ruse”, pati potencuar separisti serb në Bosnje, Milorad Dodik për edicionin në gjuhë angleze të “Russia Today”.
Me njohjen e të ashtuquajturave “Republika Popullore të Donetsk’ut dhe Lugansk’ut”, Dodik theksoi se “Rusia u dërgoi mesazh se nuk do t’i tolerojë dërgimin e raketave afër territorit rus”.
Lini një Përgjigje