FOTO/ Prokuroria e Kosovës vendos nën hetim ministren e Albin Kurtit

14 Tetor 2022, 15:05Rajoni TEMA

 

FOTO/ Prokuroria e Kosovës vendos nën hetim ministren e Albin Kurtit

Ndaj ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, për mosdeklarim të pasurisë është ngritur aktakuzë nga Prokuroria e Shtetit.

Lajmin për Albanian Post, e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë së Prishtinës, Laureta Ulaj.

“Prokurori i çështjes, pas zhvillimit të hetimeve, më 13 tetor 2022, ka ngritur aktakuzë kundër R.H., në drejtim të veprës penale ‘Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare’, nga neni 430 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, deklaroi Ulaj.

Aktakuza për Hajdarin “tashmë është proceduar për trajtim të mëtejmë në Gjykatën Themelore në Prishtinë”, ka thënë ajo për AP.

Ndaj Hajdarit, ishte dorëzuar kallëzim penal nga Agjencia Kundër Korrupsionit (AAK).

Këtë e kishte konfirmuar për Albanian Post, Drejtori i AKK-së, Yll Buleshkaj, i cili ka thënë se bëhet fjalë për një rast të mëhershëm, sa ishte Hajdari ministre në Qeverinë Kurti 1, por që është proceduar tash.

“Ju njoftojmë se Agjencia kundër Korrupsionit (AKK), për zyrtarin në fjalë ka përcjell kallëzim penal në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit lidhur me veprën penale “Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare” nga neni 430 paragrafi 1 të Kodit Penal të Kosovës”, kishte thënë Buleshkaj.

Ndryshe më 23 mars të vitit të kaluar, Ministrja e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë – MINT, Rozeta Hajdari pranoi detyrën e ministres.

Ajo kishte punuar si koordinatore për Arsimin e Lartë në Austrian Development Agency, një organizatë jo-qeveritare austriake që vepron në Kosovë.

Ndërkaq në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK) emri i Rozeta Hajdarit figuron si pronare e një kompanie biznesore.

“R&V Consulting” është firma private, pronare e të cilës figuron të jetë Hajdari.

Lini një Përgjigje