Mesazhi "i fortë" dhe "paralajmërues" i James O’Brien

30 Nëntor 2023, 11:40Rajoni TEMA
Mesazhi "i fortë" dhe "paralajmërues" i James

Nga Valon Rashiti

Paralajmërimi i ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, James O’Brien me tonalitet proporcional për Kosovën dhe Serbinë që “nëse ndodh ndonjë trazirë në Veri, kjo nënkupton përballje me NATO-n”, për njohësin e çështjeve të sigurisë Arben Dashevci dhe ish-ambasadorin e Kosovës në Romë, Albert Prenkaj, po shihet si “preventivë” për shkak të situatë së tensionuar dhe për arsyeje të “mos koordinimit të veprimeve të Qeverisë me faktorin ndërkombëtar”, siç është çështja e targave ilegale.

“Mesazhi O’Brien është paralajmërim i fortë dhe në aspektin e sigurisë hynë në kuadër të diplomacisë preventive kjo do të thotë që NATO me misionin KFOR në Kosovë është garantues i sigurisë në Kosovë për të gjithë qytetarët që jetojnë në republikën e Kosovës, pa dallim dhe çdo tentativë nga ana e Serbisë që të ndërhyjë në Kosovë ushtarakisht është direkt konflikt me NATO-n”, tha Dashevci për Albanian Post.

Megjithatë, ai potencon se Policia e Kosovës në veriun e vendit është reaguesi i parë, në bashkëpunim dhe koordinim të plotë me KFOR-in dhe EULEX-in të ndërhyjë në situata të palakueshme për sigurinë e vendit, derisa ka shtuar se “NATO është dhe ka qenë gjithmonë aleat i fuqishëm i Kosovës”.

“Si rezultat i angazhimit dhe bashkëpunimit në trajnime të specializuara KFOR dhe FSK, sot kemi një ushtri profesionale multietnike dhe të trajnuar me standarde të NATO-s. NATO ka pasur edhe shumë trajnime së bashku edhe me policinë e Kosovës, prandaj deklarata e O’Brien është 100 për qind në interes të sigurisë në Kosovë dhe rajon dhe në shërbim të diplomacisë preventive ndaj atyre që pretendojnë ta destabilizojnë sigurinë në vendin tonë”, ka shpjeguar ai.

Ndërsa në këndvështrimin e ish-ambasadorit të Kosovës në Romë dhe ish-drejtorit të Departamentit për Amerikë në Ministrinë e Jashtme, Albert Prenkaj, “nuk duhet të harrojmë veprimet e pa koordinuara të qeverisë së Kosovës” në lidhje me temat krejtësisht administrative dhe aspak të menduara politikisht dhe në aspektin diplomatik, siç është çështja e targave.

“U shfrytëzua si shkas për largimin e pjesëtarëve të komunitetit serb nga institucionet e Republikës së Kosovës. Për pasojë komunat në veri mbeten pa institucione funksionale të shtetit të Kosovës. Vendosja e policisë speciale në veri të vendit është një lloj aparati i jashtëzakonshëm. Atje funksionojnë kryetarë legalë, por jo legjitimë që është element shtesë i një situate të tensionuar në atë pjesë të shtetit”, theksoi ai për AP.

Për ish-diplomatin Prenkaj, deklaratën e O’Brien duhet lexuar edhe në prizmin e diskursit të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, gjegjësisht të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, të cilët flasin dhe veprojnë në drejtim të armatimit, si parapërgatitje për një konflikt të hapur eventual.

“Që të dy palët nxjerrin në etër këtë diskurs në emër të sovranitetit mbi të njëjtin subjekt shtetëror e që është Republika e Kosovës. Ky diskurs i të dy palëve kundrohet si kërcënim i drejtpërdrejtë në sigurinë euro-atlantike. Komunikimin e O’Brien me Serbinë, por edhe me Kosovën duhet kuptuar në kontekst të angazhimit të SHBA, dhe në veçanti të NATO-s në krizat e sigurisë në Ukrainë e tash së fundmi në konfliktin Izrael-Hamas në Gaza”.

“Ardhja e Sekretarit Stoltenberg në rajonin tonë, pra në Kosovë, Serbi dhe takimi i tij me vendet anëtare të NATO-s në Shkup janë mesazhe të qarta të ngritjes së nivelit të sigurisë euro-atlantike karshi gjeopolitikave inverze, më konkretisht Rusisë dhe aleancës së pashpallur anti-atlantike”.

Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, James O’Brien, gjatë një bashkëbisedimi me gazetarë këtë javë ka theksuar se nëse ndodh ndonjë trazirë në veri, “kjo nënkupton përballje me NATO-n”.

O’Brien po ashtu ka shtuar se veriu i Kosovës duhet të jetë i qetë dhe i sigurt në mënyrë që dy vendet të shënojnë përparim politik në rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian.

Më 5 tetor, Senati amerikan, ka konfirmuar emërimin e James O’Brien si Ndihmës Sekretar i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë. Për emërimin e O’Brien votuan 67 senatorë, ndërsa kundër 31 senatorë, njoftoi Senati. Ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë kryeson Byronë e Çështjeve Evropiane dhe Euroaziatike.

Kësisoj i dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili aktualisht është diplomati më i angazhuar amerikan kur bëhet fjalë për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, do t’i raportojë O’Brien, nga 5 nëntori i këtij viti.

Lini një Përgjigje