Si përhapën dezinformata për Kosovën kanalet pro-ruse në rrjetet sociale?

2 Gusht 2022, 10:59Rajoni TEMA

Si përhapën dezinformata për Kosovën kanalet pro-ruse

Situata në Veriun e Kosovës është kthyer në normalitet pas dy ditësh atmosferë të tensionuar. Megjithatë kanalet ruse dhe proruse në rrjetin social “Telegram”, të cilat janë të fokusuara në luftën në Ukrainë dhe justifikimin e pushtimit, u interesuan pothuajse njëkohësisht për situatën në Veri të Kosovës.

Gjithçka filloi kur kanalet që transmetojnë në rusisht dhe serbisht publikuan për gjoja plagosjen e një serbi në pikë kalimin kufitar në Jarinje.

Informacionin e njëjtë në kanalin e tij Telegram e publikoi edhe ultra-nacionalisti rus Vladislav Pozdnyakov, themelues i organizatës radikale “Shteti i Burrave”, i cili në postimet e tij mbështet hapur pushtimin rus të Ukrainës.

Kanalet ruse kishin publikuar edhe një fotografi të çizmes dhe një pjesë të uniformës së një personi të paidentifikuar me njoftimin të bashkangjitur se ushtria serbe është në gatishmëri për të luftuar në pikën kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Për shkak të dezinformatave që po përhapeshin për ushtrinë serbe, Ministria e Mbrojtjes së Serbisë kishte reaguar më 31 korrik, e cila në faqen e saj zyrtare ka thënë se “Ushtria Serbe nuk e ka kaluar vijën kufitare dhe nuk ka hyrë në territorin e Kosovës në asnjë mënyrë.

Gjysmë ore më vonë, llogaria “Rebelimi është një gjendje shpirtërore” e publikuar në gjuhën serbe, e cila informon çdo ditë 61 mijë ndjekësit e saj për pushtimin e Ukrainës, publikoi informacione nga kanali simotër për raporte jozyrtare për transferimin e avionëve serbë në aeroportet dhe fushat afër Kosovës.

Pak minuta më vonë, “Serbski Vestnik” , si dhe kanalet në gjuhën ruse “Velika Rusia” dhe “Orlovi” bënë të njëjtën gjë në rusisht.

Pas pak kohësh, llogaria “Rosiç”, e cila është pjesë e njësisë paraushtarake ruse Wagner, e cila po lufton në lindje të Ukrainës, iu bashkua shkëmbimit të informacioneve për Kosovën.

Në postimin e Rosiç thuhej se presidenti i Serbisë ka deklaruar se Ushtria e Kosovës synon të sulmojë Veriun e Kosovës në mesnatë.

Të njëjtat pretendime, me një diferencë prej disa minutash, i ka publikuar edhe kanali Telegram “Rusia e Madhe”, si dhe Vladislav Pozdnyakov.

Ky lloj i dezinformatave ka kohë që po ndërtohet, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, Predrag Petroviç, drejtor i kërkimit në Qendrën joqeveritare të Beogradit për Politikë të Sigurisë.

Sipas tij, kjo është mënyra e veprimit të grupeve të ndryshme ekstremiste që janë të lidhura me njëri-tjetrin.

Ramzan Kadyrov, lideri çeçen, forcat ushtarake të të cilit po luftojnë në Ukrainë në anën e Rusisë, foli edhe për tensionet në veri të Kosovës.

Kadyrov kishte shkruar në kanalin e tij Telegram, i cili ndiqet nga 2.6 milionë njerëz, se po ndjek ngjarjet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, me vlerësimin se është një “situatë komplekse”, në të cilën NATO ka marrë anën e “nxitësve”.

Ai akuzoi NATO-n se “po përpiqet të korruptojë vendet me vlera tradicionale” dhe t’i kthejë ato “në një tufë njerëzish të këqij me instinkt kafshësh pa besim dhe nder”.

Disa kanale në Telegram prisnin haptazi nga qytetarët dhe përfaqësuesit e shtetit serb që të fillonin veprime të dhunshme.

Administratori i kanalit “Rosiç”, i cili ka afro 100 mijë ndjekës, në një postim më 31 korrik shkroi se “Vuçiç do të ketë vendosmërinë për të dhënë urdhër” për veprim ushtarak dhe se “ushtria serbe do të jetë e fortë mjaft për të rrafshuar shqiptarët”.

Më 31 korrik, kanali “Orlovi” publikoi një video ku shihej një grup burrash që ndezin flamurin e Shqipërisë dhe bënin thirrje për vrasjen e shqiptarëve.

E sipas Petroviq rrëfimet e tilla janë të rrezikshme, pasi ato militarizojnë edhe më shumë audiencën që ndjek kanale të tilla.

Që kur Rusia nisi pushtimin më shumë se pesë muaj më parë, shumë kanale ruse dhe serbe në Telegram publikojnë propagandë pro-ruse dhe përhapin lajme dhe dezinformata të paverifikuara çdo ditë.(Albaniapost)

Lini një Përgjigje