Rregulli i SPF që shumica e njerëzve e injorojnë, dermatologia: Ja sa shpesh duhet aplikuar (VIDEO)

4 Mars 2026, 21:45Shëndeti TEMA
Rregulli i SPF që shumica e njerëzve e injorojnë, dermatologia:

Përdorimi i kremit mbrojtës nga dielli nuk duhet të kufizohet vetëm gjatë pushimeve verore apo në plazh. Dermatologia Monika Fida thekson se kremi me faktor mbrojtës SPF duhet të jetë pjesë e rutinës së përditshme të kujdesit për lëkurën, edhe kur qëndrojmë kryesisht në ambiente të mbyllura.

Gjatë një bisede në Apostrof Podcast, Fida shpjegoi se efekti dëmtues i rrezatimit ultraviolet në lëkurë është tashmë i provuar shkencërisht. Megjithatë, sipas saj, ekspozimi në diell është i nevojshëm për organizmin, pasi ndihmon në metabolizimin e vitaminës D3. Për këtë arsye, është e rëndësishme të ruhet një balancë mes ekspozimit të kontrolluar dhe mbrojtjes së lëkurës.

“Dermatologët rekomandojnë që kremi mbrojtës me SPF të vendoset çdo ditë në mëngjes, pas ritualeve të higjienës,” u shpreh ajo, duke shtuar se kjo vlen edhe për personat që punojnë në ambiente të mbyllura.

Sipas dermatologes, rrezatimi ultraviolet mund të depërtojë përmes xhamave të dritareve, duke e ekspozuar lëkurën edhe kur qëndrojmë brenda. Për këtë arsye, përdorimi i kremit mbrojtës konsiderohet një masë bazë për mbrojtjen e lëkurës nga dëmtimet e përditshme.

Sa i përket faktorëve mbrojtës, Fida rekomandon që gjatë dimrit të përdoren kremra me SPF 20 deri në 30, ndërsa gjatë verës preferohet përdorimi i kremrave me faktor mbrojtës 50 ose më të lartë. Në rastet kur ekspozimi në diell është i zgjatur, si gjatë qëndrimit në plazh apo pranë pishinave, kremi duhet të riaplikohet çdo dy orë.

Sipas dermatologes, mbrojtja e vazhdueshme nga rrezatimi ultraviolet është një nga faktorët kryesorë për ruajtjen e shëndetit të lëkurës dhe për parandalimin e plakjes së parakohshme të saj.

Ndiq episodin e plotë të Apostrof Podcast: Si të mbroni dhë përmirësoni shëndetin e lëkurës | Monika Fida | Apostrof #59