Piramida ushqimore ka qenë gjithmonë më shumë se sa një diagram rreth nevojave tona ushqimore. Ajo shërben si hartë e pushtetit dhe një ilustrim visual i mënyrës se si shtetet, tregjet dhe industritë e shohin marrëdhënien mes trupave, fitimit dhe shëndetit publik.
Në episodin e radhës të Apostrof Podcast, mjekja nutricioniste Albana Daka e merr piramidën e re ushqimore të prezantuar së fundmi në SHBA si pikënisje për një bisedë më të thellë rreth mënyrës se si duhet të ushqehemi, por edhe për të kuptuar më mirë se kush vendos se çfarë quhet “ushqim”.
Daka shprehet se piramida e re është e ngarkuar politikisht, kaotike dhe pjesërisht shkencore, sikurse shumica e narrativave rreth shëndetit sot. Megjithatë, ajo thekson se ka diçka të vërtetë në të, që lidhet me konsiderimin si problem kryesor të ushqimeve të ultra të procesuara.
Por, nëse debati amerikan tingëllon abstrakt, realiteti shqiptar është brutalisht konkret. Daka thotë se sipas një analize të pak kohëve më parë, 98% e produkteve në raftet e disa supermarketeve në Tiranë janë ushqime të procesuara, duke bërë që vetëm 2% të jenë ushqime të plota. Kjo nuk është thjesht çështje preference e konsumatorëve, por rezultat i lobimit agresiv nga industria ushqimore dhe një sistema ushqimor që i jep prioritet shpejtësisë, komfortit dhe fitimit.
Daka e përshkruan të gjithë këtë si shkatërrimin e ngadaltë të kulturës ushqimore. Ajo shpjegon se ushqimet e procesuara dizenjohen në mënyrë të qëllimshme për të kapur sistemin tonë të dopaminës përmes kombinimesh precize të yndyrës, sheqerit dhe kripës, duke krijuar forma varësie të ngjashme me ato nga nikotina dhe alkooli, por që ndryshe nga këto të fundit, nisin shumë më herët në fëmijëri.
Pasojat e gjithë kësaj janë të dukshme. Shtimi i mbipeshës dhe raste gjithnjë e më të shpeshta të diabetit të Tipit 1 dhe Tipit 2, veçanërisht tek fëmijët, sugjerojnë se jeta sedentare e kombinuar me një dietë të varfër, po gërryejnë shëndetin metabolik në mosha gjithnjë e më të vogla. Daka shprehet se iniciativat e fundit të Komunitetit Europian për diagnostikimin e këtyre sëmundjeve tregojnë se gjithnjë e më tepër ky po shihet si problema sistemik dhe jo individual.
Daka shprehet kundër puritanizmit dietik, ndërsa thekson rëndësinë e rikthimit tek ekuilibri. Dieta mesdhetare, insiston ajo, mbetet standardi i artë: një pjatë e ndarë mes perimeve, frutave, drithërave të plota dhe një sasie të moderuar proteinash cilësore.