VIDEO/ Mitet e shëndetit dhe çfarë keqkuptojmë në lidhje stomakun

25 Janar 2026, 17:00Shëndeti TEMA
VIDEO/ Mitet e shëndetit dhe çfarë keqkuptojmë në

Refluksi, fryrja, djegia pas ushqimit, ndjesia e “rëndesës” në stomak janë bërë pjesë e përditshmërisë për shumë njerëz. Ato përmenden shpesh si bezdi të vogla, si diçka që “kalon vetë”, ose trajtohen me zgjidhje të shpejta: një ilaç, një dietë e përkohshme, një ushqim i hequr nga lista. Por çfarë ndodh kur simptomat përsëriten? Dhe pse, pavarësisht gjithë informacionit që qarkullon, kaq shumë njerëz vazhdojnë të ndihen keq?

Ky episod i Apostrof, me gastrohepatologun Dr. Skerdi Prifti, nuk është një listë këshillash ushqimore dhe as një manual “çfarë të hani e çfarë të shmangni”, por një përpjekje për të kuptuar se çfarë po keqkuptojmë në lidhje me stomakun dhe pse shumë trajtime nisen nga supozime të gabuara. A është refluksi gjithmonë pasojë e ushqimit? A ka vërtet “ushqime që japin refluks”? Apo problemi qëndron diku tjetër: te anatomia, te mbingarkesa e stomakut, te ritmi i jetës?

Biseda ndalet gjatë te refluksi gastro-ezofageal, jo për ta demonizuar, por për ta vendosur në kontekst. Ku mbaron refluksi i zakonshëm dhe ku fillon sëmundja? Kur ka vend për qetësim dhe kur për shqetësim real? Dhe pse një pjesë e mirë e pacientëve jetojnë për vite me radhë me simptoma, pa e kuptuar saktësisht çfarë po ndodh në trupin e tyre?

Një tjetër bosht i rëndësishëm i episodit janë mitet ushqimore. Pse disa produkte janë shpallur “armiq” pa dallim? A është kafeja vërtet fajtore? Çfarë nënkuptojmë kur themi “pije me gaz”? Dhe pse shpesh përziejmë ujin me gaz me pijet e mbushura me sheqer dhe aditivë, duke humbur dallimin mes tyre? Këto pyetje nuk shtrohen për të provokuar, por për të sqaruar se ku qëndron realisht dëmi dhe pse etiketimet e thjeshta na çojnë në konkluzione të gabuara.

Episodi shkon më tej, drejt një teme më pak të dukshme por thelbësore: lidhjes mes stresit dhe aparatit tretës. Si ndodh që ankthi, presioni i vazhdueshëm dhe mungesa e qetësisë mendore përkthehen në acid, spazma, diarre apo fryrje? A është stomaku thjesht viktimë e ushqimit, apo edhe pasqyrë e gjendjes sonë emocionale?