E ftuar në episodin e radhës të Apostrof Podcast, mjekja neurologe Dr. Entela Basha na fton të rishikojmë disa nga idetë më të rrënjosura që kemi për trurin – nga mënyra si funksionon kujtesa, te roli i stresit dhe procesi i plakjes neurologjike.
Një nga keqkuptimet më të përhapura është ideja se truri “pushon” kur ne nuk jemi duke kryer një aktivitet të caktuar. Në realitet, sipas Dr. Bashës, truri nuk hyn kurrë në gjendje pushimi. Ai funksionon vazhdimisht si një rrjet kompleks elektrik dhe kimik, në një ekuilibër të përhershëm mes sistemit simpatik – që na përgatit për reagim dhe mbijetesë – dhe atij parasimpatik, që merret me qetësimin, tretjen dhe rikuperimin. Edhe gjatë gjumit, apo në momentet që i perceptojmë si “pa aktivitet”, truri është duke përpunuar informacione, duke konsoliduar kujtime dhe duke rregulluar funksione jetësore përmes neurotransmetuesve si dopamina, adrenalina dhe serotonina.
Në qendër të këtij procesi qëndron hipokampusi, struktura që neurologia e përshkruan si “laboratori i kujtesës”. Ai është përgjegjës për depozitimin fillestar të informacionit dhe për shndërrimin e tij në kujtesë afatgjatë. Harresa, e cila shpesh perceptohet si një dështim, është në fakt një mekanizëm selektiv i domosdoshëm. Truri nuk ruan gjithçka; ai zgjedh. Ajo që ka ngarkesë emocionale, interes personal ose rëndësi funksionale ka më shumë gjasa të mbijetojë në kujtesë. Në një realitet të mbingarkuar nga ekrane dhe informacion i pandërprerë, aftësia për të filtruar dhe për të prioritarizuar bëhet thelbësore për shëndetin mendor.
Megjithatë, ekziston një vijë e hollë mes harresës normale dhe patologjisë. Dr. Basha ndalet te dallimi mes ndryshimeve konjitive të lidhura me moshën dhe sëmundjeve neurodegjenerative si Alzheimeri. Pas moshës 60-vjeçare, ndryshime strukturore si atrofia e hipokampusit mund të çojnë në pamundësinë për të formuar kujtime të reja. Metafora që përdor ajo është domethënëse: sikur një shtëpi të fillojë të tkurret – kur hapësira zvogëlohet, nuk ka më vend për mobilie të reja. Diagnostikimi i hershëm, thekson ajo, është vendimtar, pasi terapitë aktuale nuk e ndalojnë plotësisht procesin, por mund ta ngadalësojnë ndjeshëm.
Një pjesë e rëndësishme e bisedës lidhet edhe me stil-in e jetesës. Izolimi social, mungesa e aktivitetit fizik dhe konsumimi i tepruar i alkoolit janë faktorë që përshpejtojnë rënien konjitive. Në anën tjetër, leximi analitik, angazhimi social dhe stimulimi intelektual veprojnë si faktorë mbrojtës. Sa i përket teknologjisë dhe inteligjencës artificiale, Dr. Basha mban një qëndrim të kujdesshëm: mjetet digjitale mund të rrisin efikasitetin, por nuk zëvendësojnë mendimin kritik dhe, në fushën e shëndetit, kërkojnë gjithmonë mbikëqyrje profesionale.