Si po dëmtojmë dëgjimin pa e kuptuar: Paralajmërimi i mjekes ORL Klodiana Zaharia (VIDEO)

5 Prill 2026, 09:00Shëndeti TEMA

Si po dëmtojmë dëgjimin pa e kuptuar: Paralajmërimi i mjekes

Shumica prej nesh jetojnë të rrethuar nga zhurma, por rrallë e mendojnë se çfarë pasoja ka kjo për dëgjimin. Në episodin më të ri të "Apostrof Podcast, mjekja ORL Klodiana Zaharia ndalet te një problem që po bëhet gjithnjë e më i përhapur: dëmtimi i dëgjimit si pasojë e stilit modern të jetesës. Episodi i plotë do të publikohet sot në orën 17:00 në YouTube.

Sipas Zaharias, jo çdo lloj zhurme ndikon njësoj në vesh. Tingujt e çrregullt dhe kaotikë, si boritë e makinave, makineritë e rënda apo zhurma e motorëve, janë më agresivë për sistemin dëgjimor sesa tingujt e organizuar si muzika. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se dëgjimi i muzikës është i padëmshëm.

Ajo thekson se problemi kryesor nuk është vetëm lloji i "zhurmës, por mënyra se si ekspozohemi ndaj saj. “Nëse ul pak volumin dhe nuk e lodh aq shumë shqisën e dëgjimit, nuk do ta dëmtosh,” shprehet Zaharia, duke theksuar rëndësinë e kontrollit të volumit dhe kohëzgjatjes së dëgjimit.

Një shqetësim i veçantë lidhet me përdorimin e përditshëm të kufjeve, sidomos te të rinjtë. Sipas saj, brezat e rinj janë më të ekspozuar se kurrë më parë ndaj tingujve të vazhdueshëm, qoftë përmes muzikës, telefonatave apo pajisjeve elektronike. “Po i drejtohemi adoleshentëve, sepse ata e kanë të gjithë të ardhmen përpara dhe duhet ta mbrojnë dëgjimin,” thekson mjekja.

Në këtë episod, diskutimi shkon përtej këshillave bazike, duke trajtuar edhe pasojat afatgjata të dëmtimit të dëgjimit, mënyrën si ndikon në jetën e përditshme dhe çfarë mund të bëhet për ta parandaluar.

Episodi i plotë me mjeken ORL Klodiana Zaharia publikohet sot në orën 17:00 në YouTube.

Si të mbroni dhë përmirësoni dëgjimin | Klodiana Zaharia | Apostrof #64