VIDEO/ Si të mbroni dhe përmirësoni dëgjimin (para se të jetë vonë)

5 Prill 2026, 17:00Shëndeti TEMA
VIDEO/ Si të mbroni dhe përmirësoni dëgjimin (para se

Humbja e dëgjimit asociohet përgjithësisht me moshën e madhe, por sot ajo po kthehet gjithnjë e më shpesh në pasojë të mënyrës sonë të jetesës. E ftuar në episodin e radhës të Apostrof Podcast, mjekja ORL, Dr. Klodiana Zaharia tregon se si disa nga zakonet tona të përditshme po riformësojnë marrëdhënien tonë me zhurmën dhe koston e gjithë kësaj.

Nga zhurma kaotike e trafikut dhe ndërtimeve në qytet tek intimiteti i kontrolluar i kufjeve, ne e kemi thuajse të pamundur sot të gjejmë momento qetësie. Por, arrijnë veshët tanë t’i dallojnë këto zhurma për nga dëmi që shkaktojnë? Dhe më e rëndësishmja, a na bën më të sigurtë pëlqimi – si për shembull zgjedhja e muzikës kundrejt zhurmës?

Dr. Zaharia nxjerr në pah një paradoks: teksa kërkojmë të arratisemi nga zhurmat urbane, shumë nga ne zgjedhim t’i zëvendësojmë ato duke dëgjuar në kufje muzikë, podcast-e, apo duke biseduar në telefon. Por, nëse shqisa e dëgjimit nuk dëmtohet vetëm nga intensiteti i zhurmës por edhe nga kohëzgjatja e ekspozimit ndaj saj, atëherë deri në ç’pikë mund të vazhdojmë me këtë ritëm pa nisur të shkaktojmë dëme që mund të jenë të parikthyeshme?

Në qendër të diskutimit janë gjithashtu pyetje që shkojnë përtej veshëve. Si ndikohet aftësia jonë për t’u përqëndruar, emocionet dhe aftësitë njohëse në momentin kur fillojmë të humbasim dëgjimin? A krijon lodhje mendore ekspozimi i vazhdueshëm ndaj zhurmës?

Një shqetësim dhe vëmendje e veçantë shkon drejt gjeneratave më të reja, ekspozimi i të cilëve ndaj zhurmës dhe tingujve nis më herët se dikur dhe zgjat shumë më tepër krahasuar me gjeneratat e mëhershme. Adoleshentë që flenë me kufje, shpenzojnë orë të tëra në mjedise digjitale, apo që dëgjojnë muzikë me zë të lartë… Sa ndikojnë të gjitha këto zakone në krijimin e kushteve bazë për humbjen e dëgjimit?

Siç sugjeron Dr. Zaharia, mbrojtja e shqisës së dëgjimit nuk është lidhet më vetëm me shmangien e situatave ekstreme si ekspozimi ndaj zhurmave të forta dhe muzikës me volum të lartë. Ajo thotë se duhet të rimendojmë sjelljet tona të përditshme: çfarë dëgjojmë, për sa kohë ekspozohemi dhe me çfarë kostoje.

Në këtë episod i ftojmë dëgjuesit të mendojnë për diçka me të cilën të gjithë përballemi aq shpesh sa nuk e vëmë më re: tingujt që na rrethojnë. Dhe mbi të gjitha: kur ka qenë hera e fundit që e keni përjetuar vërtet heshtjen?