Fermerja e La Sapienzës s’ndalet së kërkuari ujë e rrugë për fshatin

30 Mars 2024, 20:40Sociale TEMA

Fermerja e La Sapienzës s’ndalet së kërkuari ujë e

Nga Jetmira Delia-Kaci REL

Edhe 11 vjet pas kthimit në Shqipëri, e diplomuara në një prej universiteteve më të vjetra në botë, atë të La Sapienza në Romë, po kërkon që në fshatin ku punon të ketë ujë, rrugë dhe kushte të tjera elementare.

Fermerja Rigerta Loku-Tusha, thotë për Radion Evropa e Lirë se nuk ka asnjë pendesë që la të gjitha kushtet që i ofronte Italia dhe u kthye në atdheun e saj, ku së bashku me bashkëshortin e saj, tashmë punojnë në fshatrat e Mirditës.

Shtatë vjet më parë, e diplomuara për shkenca politike dhe marrëdhënie ndërkombëtare kishte mbajtur një fjalim para Kuvendit të Shqipërisë, prej ku kishte kërkuar rrugë, ujë, shkolla e qendra shëndetësore për fshatrat e Mirditës. Sipas saj, këto kërkesa vazhdojnë të mbeten të paplotësuara.

Rigerta dhe bashkëshorti i saj, para se të ktheheshin në Shqipëri, nuk kishin jetuar asnjë ditë në fshat. Pas kthimit, ata kërkuan punë në institucionet e pushtetit lokal në Rubik, ku ishin rritur. Por, as dy diplomat e La Sapienzës nuk kryen punë. Sipas saj, mosgjetja e një vendi të punës kishte të bënte me faktin se çifti nuk i përkiste asnjë partie politike.

Por, çifti gjeti një zgjidhje, duke vendosur që të jetonin në fshatin Rrushkull, prej ku ka prejardhjen bashkëshorti i Rigertës.

“Mbaj mend që kishte njëfarë keqardhje nga banorët apo edhe nga të afërmit, të tipit ‘ka mbaruar një kalë shkollë’, ka dy diploma në Itali, ta kishte bërë edhe një shkollë për veterinere këtu dhe të merrej me dhitë”, tregon Rigerta.

Por, Rigerta thotë se as epitetet e ndryshme negative nuk e zmbrapsën dhe ajo nisi punën si fermere me 100 dhi.

“Morën dhi autoktone sepse duhet dhënë përparësi racës së vendit, gjithashtu kanë edhe prodhim të shëndetshëm. I shumëfishuam, por kemi mbetur thuajse vetëm në fshat dhe nuk arrijnë më shumë se 200 krerë”, thotë fermerja, sipas së cilës, që nga fillimi i punës në fermë, e deri më tani përballet me vështirësi të mëdha.

Sipas ekspertëve në Shqipëri, në vitet ’90 ka pasu rreth 5.6 milionë bagëti të imëta, por tani numri i tyre ka rënë në 1.3 milion.

E prekur nga situata jo vetëm në fshatin e saj, Rigerta thotë se natyra e ka bërë Shqipërinë një vend bujqësor dhe blegtoral, prandaj kërkon politika të duhura në mënyrë që shteti të jetë konkurrent me vendet e rajonit dhe më gjerë.

Në vitin 2017, në një ndër seancat e Kuvendit të Shqipërisë, ku diskutohej për problemet me të cilat përballen zonat rurale, ishte thirrur edhe Rigerta.

Gjatë asaj seance, ajo u bëri thirrje politikanëve që të vizitonin fshatrat e Mirditës, për të përjetuar ajrin e pastër, bukurinë natyrore e ushqimin organik, por shtoi se ata duhej të niseshim me makina të larta, pasi nuk ka rrugë.

Ajo kërkoi që autoritetet të ndërtonin rrugë, në mënyrë që fshatrat e Mirditës të gjallëroheshin.

Që nga ai fjalim kanë kaluar shtatë vjet dhe janë zhvilluar tre palë zgjedhje të përgjithshme dhe lokale, dhe Rigerta thotë për Radion Evropa e Lirë se fjalimi mbetet ende aktual.

“Në fshatin tim nuk ka ndryshuar asgjë, madje mund të them se ka ndryshime negative, pasi njerëzit po largohen, nuk ka gjallëri dhe pavarësisht bukurisë në këto zona nuk ka as agroturizëm”.

“Fshatrat po braktisen gjithnjë e më shumë dhe kjo më trishton”, thotë fermerja.

Në fshatin e Rigertës nuk ka shkollë dhe çdo ditë ajo dërgon dy vajzat e saj në Rrëshen për të ndjekur shkollën dhe kurse të ndryshme. Për këtë, asaj i duhet të bëjë shtatë kilometra rrugë për rreth 40 minuta udhëtim, për shkak të rrugës së keqe.

Ajo thotë se në shumë fshatra në zonën ku ajo jeton, fëmijët dhe adoleshentët e kanë të pamundur të kenë një jetë sociale.

Mes vështirësive për të edukuar fëmijët dhe për të ndjekur punët në fermë, Rigerta asnjëherë nuk ka larguar nga vëmendja aktivizmin për barazi gjinore, për çështje të mjedisit, problemet e fshatit dhe tema të tjera që shqetësojnë komunitetin e saj.

Në zgjedhjet lokale të mbajtura në maj të vitit të kaluar, ajo u zgjodh anëtare e Këshillit Bashkiak të Mirditës, si përfaqësuese e një partie të vogël të quajtur Nisma Thurrje.

“Nuk e shoh veten të ndarë nga kjo skenë e madhe politike, nuk më pëlqen të hesht, të jem konformiste, të shoh se si njerëzit mësojnë nga zgjedhjet e gabuara. Kam pasur oferta nga partitë e madhe, por të jesh në to duhet të respektosh rregulla të mëdha, ndërsa unë dua të jem e lirë. Në politikën në Shqipëri janë burrat ata që zënë edhe rolet më të rëndësishme, ndërkohë që gratë bëjnë punë të mira në çdo aspekt te jetës ndaj duhet të jenë më aktive”, thekson ajo.

Gjatë pjesëmarrjes në aktivitete, gjatë fjalimeve e në çdo bisedë, Rigerta ka vetëm një kërkesë: Politika të kthejë sytë kah fshati. Pavarësisht se thotë se ky apel ende nuk është dëgjuar, ajo nuk dorëzohet.

“Më jep shpresë fakti që ‘nuk mban më ujë pilafi’ e këtu do ketë patjetër vëmendje për fshatin. Mendoj se shqiptarët, edhe ata të larguarit jashtë vendit do t’i kthehen tokës së gjyshërve për të jetuar më mirë dhe më shëndetshëm. Dua të jem optimiste se nesër Shqipëria do jetë më mirë, pasi nuk ka mundësi të jetë më keq sesa është sot”, thekson Rigerta.

Fshatrat të tëra në Shqipëri vitet e fundit janë braktisur për shkak të mungesës së ujit, rrugëve dhe shërbimeve të tjera të domosdoshme. Familjet shqiptare janë zhvendosur drejt zonave më të zhvilluara, kryesisht të Tiranës dhe Durrësit apo kanë ikur jashtë Shqipërisë.

Agjencia e Statistikave, INSTAT, më 2019 zhvilloi për herë të parë një anketë për emigracionin në familje.

Sipas kësaj ankete, nga viti 2011 deri më 2019, 21 për qind e familjeve u ishte larguar jashtë vendit të paktën një anëtar. Të prekur nga ky fenomen janë 196.000 familje dhe prej tyre 29 për qind e familjeve kanë emigruar krejtësisht.

Sipas INSTAT-it, destinacionet kryesore mbeten Italia dhe Greqia, ndërkaq qarku më i prekur nga emigrimi është Kukësi.

Lini një Përgjigje