Parkimi smart, Bashkia e Tiranës teston vendosjen e makinave në kate

19 Gusht 2024, 19:49Sociale TEMA
Parkimi smart, Bashkia e Tiranës teston vendosjen e makinave në kate

Bashkia e Tiranës do të testojë  parkimin smart që mundëson vendosjen e makinave në kate duke shfrytëzuar një post për dy mjete.

Në një procedurë prokurimi të çelur këtë të hënë nënvizohet se në objekt të kontratës është “Smart parking” dhe fondi limit është rreth 250 mijë euro. Referuar specifikimeve teknike të bëra në dokumente sqarohet se kjo formë parkimi synon një përdorim më eficient të hapësirës.

“Posti smart i parkimit do të shërbejë për parkimin e dy makinave në një post të vetëm parkimi. Në këtë mënyrë rritet hapësira e parkimeve si dhe lehtësohet qarkullimi i mjeteve pasi shmangen  parkimet dyshe, Posti smart i parkimit duhet të jetë i ndërtuar nga një platformë e galvanizuar çeliku dhe të ketë 2 poste parkimi të pavarura.

Postet duhet të jenë të vendosura paralel vertikalisht sipër njeri-tjetrit. Ai duhet të funksionojë nëpërmjet një platforme/ashensori i cili ngre makinën e parë qe parkohet, ne mënyrë qe te lejoje parkimin e makinës tjetër poshtë saj”, thuhet në dokument.

Po kështu platforma duhet e ketë peshëmbajtje maksimale deri në 2000kg. Lartësia e ngritjes së platformës duhet të jetë jo më pak se 1750mm, dhe të ofrojë mundësi rregullimi/tarimi të lartësisë së ngritjes së objektit.

“Platforma ngritëse duhet të kontrollohet nëpërmjet një çelësi lokal.  Platforma duhet të ketë bllokues elektrik sigurie që të garantojë sigurinë e makinës që do të parkohet poshtë saj. Tensioni i operimit të motorit të postit smart të parkimit duhet të jetë 24V në mënyrë që shmangen goditjet e mundshme elektrike që mund të dëmtojnë njerëzit”, thuhet në dokument

Posti smart i parkimit duhet të ofrojë mundësinë e instalimit të disa posteve në radhë pas njëri-tjetrit pa penguar hyrje-daljen e mjeteve. Në specifikime përcaktohet se sasia e mallit që kërkohet në këtë rast smart parking të jetë 40 të tillë ndërsa data e lëvrimit 3 muaj nga nënshkrimi i kontratës.

2 Komente

  1. B
    Biçiklist i marum

    Ueeeeeeeeee..çfar truri ‘elektronik’ kanë keta adoleshentët e bashkisë..! Bëni llogari kostot mor aman,se nuk ka pee t’ju dal llogaria dhe do i ngeli tjetrit makina në ajër..! Bëni një her një punë të hajrit ti shërbejë qytetarit dhe lejini këto pelivanlliqet dhe akrobacitë e teknologjisë. Shfrytëzoni në mes të pallateve hapsirat atje ku kanë mbetur ,por dhe lulishtet e cungume dhe ndërtoni parkingje nëntoksore sepse janë zgjidhja më e mirë dhe afatgjatë. Psh nëse flasim për pallatet e rrugës M.Shyri,midis pallateve mund të ndërtohen shumë mirë.Tek pallatet 1Maji,lulishtja para mund te kete nje parkim nentoksor,tek stadiumi ‘Dinamo’ ,tek shallvaret ,por edhe në mes çdo oborri të pallateve italiane tek fusha tenisit..dhe kështu me radhë nëse punohet me laps në dorë dhe perspektivë. Dhe kështu edhe rrugët kanë më kuptim për të qenë me parkime me pagesë dhe sa për korsitë e biçikletave,është një dëm i madh për kushtet që ka Tirana,i vetmi metropol i Shqipërisë,se jo vetëm penalizohen banoret që nuk parkojnë dot,se pallatet ekzistuese nuk kanë parkingje dhe hapsirat janë zvoglu ,por duke ditur që në Tiranë katet e para të rrugëve kryesore janë dyqane,penalizohen edhe bizneset,sepse ato kanë vështirsi furnizimi dhe klientët nuk kanë akces parkimi. Ndërtoni psh tek ish garda e deri tek universiteti parkingje 4-5 kate,por edhe nëntoksore,se qytetarëve i vetmi vend shplodhës në Tiranë ,ai i ka ngelur..flasmë shumë pë brenda unazës,por jashtë saj është ‘krim’ të vesh parkingje me pagese në segmente rrugore.

    Përgjigjjuni
    1. S
      Sefer Daja

      E ndritët me të tjerat, e o burra të vjedhim dhe ktu! Studim që as të fillores nuk ta pranojn! Aty thuhet( nëse nuk është lapsus) që platforma duhet të ketë peshë mbajtëse maksimale 2000 kg! Po a e dini që ka makina që peshojnë 3000 kg në qarkullim??? Dhe pastaj ky projekt ësht për parkimet anas rrugëve??? Më duket budallallik e idjotësi me brirë!!! Nëse është për parkimet e nën dheshme, nuk ka nevojë për mekanizëm, por thjesht përshtat lartësinë e parkimit! Vjedhja e rradhës duket! Thjesht dikush do marri nga bashkia një "Qokë" 250000- euroshe, e do paraqesi kte projetkt abstrakt!!!

      Përgjigjjuni

      Lini një Përgjigje