Shqipëria prezanton raportin vjetor të Këshillit të Sigurimit

9 Qershor 2022, 17:42Sociale TEMA

Shqipëria prezanton raportin vjetor të Këshillit të

Shqipëria prezantoi të enjten e 9 qershorit raportin vjetor të Këshillit të Sigurimit, që mbulon periudhën nga 1 janari deri më 31 dhjetor 2021.

Ishte ambasadori i përhershëm i Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Ferit Hoxha, i cili paraqiti të dhënat vjetore të Këshillit në cilësinë e presidentit.

Në vitin 2021, Këshilli mbajti gjithsej 150 mbledhje publike, 90 videokonferenca të hapura, 14 takime private dhe 124 konsultime, si dhe videokonferenca të mbyllura, theksoi Hoxha.

Diplomati shqiptar shtoi se në nivel të lartë u mbajtën 29 takime dhe videokonferenca të hapura, krahasuar me 19 në vitin 2020 dhe 18 në vitin 2019.

Përveç kësaj, Këshilli mbajti shtatë dialogë joformalë interaktivë, përfshirë katër në format virtual.

Gjatë gjysmës së parë të vitit, shumica e diskutimeve të Këshillit u mbajtën nëpërmjet videokonferencës.

Ndërsa në gjysmën e dytë të vitit, Këshilli rifitoi normalitetin duke kthyer punimet në Dhomën e Këshillit të Sigurimit.

Këshilli miratoi 57 rezoluta dhe 24 deklarata presidenciale, nënvizoi ambasadori.

Hoxha përmendi edhe misionin e rëndësishëm në Mali dhe Niger që u bashkëdrejtua nga Franca, Kenia dhe Nigeria.

Misioni ishte i pari që u krye që nga viti 2019, i cili ilustronte kthimin progresiv të angazhimeve në zgjidhjen e konflikteve.

Sipas diplomatit shqiptar, në vitin 2021, Këshilli vazhdoi të fokusohej në situatat që prekën paqen dhe sigurinë në Afrikë, Azi, Evropë, Amerikën Latine, Karaibe dhe Lindjen e Mesme.

Në përmbyllje, Hoxha solli sërish vëmendjen e KS-së për pasojat humanitare të konflikteve tek civilët dhe fëmijët, si dhe mbi rolin e grave në parandalimin dhe zgjidhjen e konfliktit.

Lini një Përgjigje