Të rinjtë flasin për suksesin e arsimit profesional në Shqipëri

4 Tetor 2022, 11:09Sociale TEMA

Të rinjtë flasin për suksesin e arsimit profesional në

Përshkrimi i fotos: Griselda, Shkolla Teknike Pyjore , Shkodër
Copyright: Kube Studios

Arsimi profesional në Shqipëri po tërheq gjithnjë e më shumë të rinj, të cilët synojnë të marrin profesione që garantojnë punësim dhe përmbushin aspiratat e tyre për drejtimin dhe karrierën profesionale apo akademike që dëshirojnë të ndjekin.

Gjithashtu, ky sistem arsimor po tërheq më shumë vajza, diçka që realizohet falë bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë si UNICEF-i dhe Ambasa e Italisë, dhe mbështetjes së shtuar të qeverisë, çka ka përmirësuar ndjeshëm kushtet e shkollimit si edhe cilësinë e arsimit profesional në përputhje me tregun e punës.

Kristina Selmani, 21 vjeç nga Korça, është drejt përfundimit të Shkollës së Mesme Profesionale të Ndërtimit. 

Kristina ka zgjedhur të studiojnë ndërtimtari, një profesion që zakonisht preferohet nga djemtë. Megjithatë, kjo rrethanë nuk e ndali atë për të ecur me vendosmëri drejt ëndrrës së saj për të vazhduar edhe studimet universitare, pasi të ketë përfunduar shkollën profesionale, dhe të bëhet Inxhiniere Ndërtimi.

“Jeta ime nuk ka qenë shumë e zakonshme, por kam zgjedhur t’i bëj gjërat sipas kohës sime. Studimet i rinisa në moshën 19-vjeçare”. Kristina tregon se gjatë kohës që vazhdonte studimet në Shkollën e Mesme Profesionale të Ndërtimit në Korçë, ajo u bë nënë.

“Vendosa të mos i ndërpres studimet, falë edhe mbështetjes së madhe të familjarëve të mi dhe të bashkëshortit. Gjatë vitit të dytë, teksa vazhdoja studimet, zbrisja edhe poshtë te vajza ime për ta ushqyer”.

Kristina thotë se kjo ka qenë një përvojë e vështirë, por edhe shumë e bukur, sepse gjeti mbështetje edhe nga mësuesit, drejtuesit e shkollës dhe nga nxënësit e tjerë. 

“Unë dua ta vazhdoj këtë rrugë dhe të ndjek studimet e larta për Inxhinieri Ndërtimi. Do doja shumë që të rinjtë dhe të rejat, veçanërisht vajzat, duke ditur se ato nuk kanë asnjë limit, të arsimohen në një shkollë profesionale”, thekson ajo.

Eva Qordja, nxënëse në Shkollën Ekonomike Teknike të Tiranës, thotë se të rinjtë që ndjekin arsimin profesional, përfshi vajzat, kanë shanse më të mëdha për punësim dhe janë më të përgatitura për t’u përballur me mjedisin e punës, falë formimit të shtuar profesional që marrin në shkollë.

Ajo tregon se ndër mësimet e para që marrin është që të dinë sesi të komunikojnë me punëdhënësin, përfshi edhe në intervistat e punës.

“Duke qenë se shkolla ofron këto praktika, ne jemi goxha të përgatitur. Punëdhënësi e di që ne e kemi prekur punën, dhe e dimë sesi është një regjim në një vend pune dhe sesi funksionon ajo. Ndoshta, ndaj kemi këtë trajtim prioritar nga punëdhënësit”, thotë Qordja.

Daniele Agolli, shok sholle me Evën, thotë se kur kuptoi që kishte pasion marketingun digjital, studimin e tregut dhe ndërlidhjen e audiencave me ofertën e produkteve dhe shërbimeve, kuptoi gjithashtu që arsimi profesional, ndryshe nga arsimi i mesëm i përgjithshëm, ishte rruga me shpejtë dhe e sigurt për të përmbushur ëndrrën e tij.

“Dhe duke qenë se është diçka që dua vërtet ta bëj dhe do më vijë natyrshëm, falë këtij shkollimi do të kem mundësi që në të ardhmen ta realizoj, duke pasur mundësi qoftë që ta kthej në biznes, për të bërë një investim te vetja që të bëhem sipërmarrës”, thotë Agolli

Griselda, e cila është nxënëse në Shkollën Teknike Pyjore “Kolë Margjini” në Shkodër, tregon se pasioni i saj për natyrën e ka shtyrë të zgjedhë arsimin profesional në drejtimin “Pyje”. “Gjatë gjithë jetës sime kam qenë e rrethuar nga natyra dhe e kam zgjedhur këtë shkollë ngaqë më pëlqen natyra”, thotë Griselda. Ajo tregon se praktika profesionale është një nga përparësitë e shkollës së saj, dhe se shpesh diçka e tillë, përveç përfitimeve të drejtpërdrejta në formimin e saj, e vendos edhe pranë natyrës.  

“Një prej këtyre është edhe aksioni përvitshëm në Malin e Taraboshit, ku ne mbjellim pemë, ngaqë ky mal pyllëzohet vetëm në sezonin e verës”, shpjegon Griselda, e cila shton se i pëlqen të eksplorojë llojet e ndryshe të bimëve dhe drurëve të Shqipërisë.

Ajo vë theksin se mbrojtja e mjedisit është prioritet, dhe se përmes arsimit që ka zgjedhur synon të kontribuojë edhe në këtë drejtim.

Gjithashtu, vajzat që regjistrohen në arsim profesional përfitojnë edhe nga mbështetja dhe kushtet e studimit. Shkollat profesionale në Shqipëri ofrojnë automatikisht gjysmë burse për vajzat, krahas bursës së plotë për të gjithë nxënësit e shkëlqyer.

Në total janë rreth 2,500 bursa që jepen çdo vit në arsimin profesional në Shqipëri. Nga ana tjetër, ofrohet strehim falas në konvikte për vajzat që jetojnë më shumë se 5 kilometra larg shkollës.

Arsyet se përse shanset për punësim janë më të mëdha për ata që kanë përfunduar arsimin profesional, i shpjegon Anila Nanaj, Drejtore e Shkollës Ekonomike Teknike të Tiranës. 

Nanaj tregon sesi gjatë 20 viteve të para të tranzicionit u humb lidhja mes biznesit dhe shkollës, ndaj dhe bizneset tentuan fillimisht që t’i përmbushnin nevojat e tyre duke punësuar familjarë, vetëm për të kuptuar që kjo nuk ishte zgjidhja e duhur, ndaj edhe filluan të kërkojnë profesionistë.

“Një biznes i mirë nuk mund të ecte dhe nuk mund të përparonte pa specialistë të mirë dhe pa menaxherë të mirë. Kështu që sytë e të gjitha bizneseve sot janë drejt arsimit profesional”, thotë ajo.

“Sot vij këtu nga disa takime me biznese të ndryshme, përfshi zyra të konsulencës financiare që duan të marrin praktikantë me synimin për t’i punësuar në të ardhmen e afërt, edhe pa u diplomuar. Prej vitesh, kjo është bërë realitet.”

Etleva Gjelaj, Drejtore e Departamentit të Menaxhimit të Arsimit dhe Formimit Profesional në Agjencinë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive (AKPA), tregon se një nga sfidat ka qenë ndryshimi i mentalitetit te të rinjtë, ku arsimi dhe formimi profesional është parë si zgjedhje e dytë.

Ajo vë në dukje se arsimi profesional dhe përfitimet e tij nuk njihen mjaftueshëm edhe pse rezultojnë në krijimin e profesionistëve të rinj dhe në punësim të shpejtë.

Sipas Gjelaj, që në vitin e dytë të studimeve, nxënësit kanë mundësi të njohin botën e punës nëpërmjet praktikave profesionale në biznes. Diçka e tillë ka dhënë rezultate të prekshme.

“Nga gjurmimi i fundit që kemi bërë, rezulton që pothuajse 60 përqind e nxënësve që janë punësuar, e kanë gjetur punën gjatë kohës së shkollës – pra, pa e përfunduar shkollën, ata kanë arritur të punësohen”, thekson Gjelaj.

“Angazhimi i biznesit në të gjithë sistemin e arsimit dhe formimit profesional është diçka për të cilën është investuar shumë gjatë viteve të fundit, që të ofrohen sa më shumë mundësi për praktika profesionale në biznes”, thotë ajo.

Përfshirja e bizneseve në sistemin e arsimit profesional përfaqëson një marrëdhënie të fortë, e cila lidhet drejtpërdrejt me interesin e sektorit sipërmarrës për të tërhequr profesionistë të rinj, të aftë dhe të gatshëm që të punësohen sa më shpejt.

Lini një Përgjigje