Tregu i madh Bujqësor i Tiranës mes Lundrës dhe Farkës hapet brenda vitit për ti ardhur në ndihmë fermerëve. Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj temë të videomesazhit të kësaj jave kishte zhvillimin rural.
“Një ndërhyrje proaktive e Bashkisë së Tiranës për të ndihmuar fermerët dhe tregtarët që jo vetëm që të rrisin prodhimin, por edhe t’i mbështesim të aksesojnë tregun vendor në një treg publik, pa taksat që vë privati, duke ulur edhe koston për ata që janë konsumatorë dhe që do ta marrin të njëjtin produkt të freskët, organik të rrethinave të Tiranës me një çmim më të ulët”.
Kryetari i Bashkisë u ndal dhe tek lagjet që u ndërtuan pas tërmetit të 26 nëntorit të vitit 2019 në Zall Herr, Vaqarr, Baldushk, Ndroq dhe Pezaë.
“Ofrojnë për 202 familje përfituese shtëpi më të mëdha, më të bukura, dhe më të forta, sigurisht pas tërmetit, por edhe një sens komuniteti ku jetojnë bashkë. Komuniteti është përtej një çatie mbi kokë: është një proces i vazhdueshëm, që i bashkon njerëzit, i sjell më afër, i bën më humanë, më njerëzorë, më solidarë”, tha ai.
Investimet sipas Veliaj do të vijojnë me ndërhyrje të tjera në rrugë, shkolla dhe ujësjellësa.
Zhvillimi rural i Tiranës ishte tema e radhës e videomesazhit të përjavshëm e kryebashkiakut Erion Veliaj. Në fjalën e tij, Veliaj tha se ishte reforma territoriale ajo që i hapi rrugë zhvillimit të vrullshëm të ish komunave që rrethojnë Tiranën dhe që sot janë transformuar me të njëjtën cilësi, si në qytet.
“Para reformës administrative, fshatrat e Tiranës ishin si çdo gjë tjetër: të harruar, të shpërfillur, të braktisur, pa shërbime, pa ndonjë infrastrukturë, pa asnjë formë planifikimi urban, teksa qeverisja e administrimi aq jetik i tyre ndahej si qokë bastionesh partiake, njëherë majtas, njëherë djathtas. Është fakt se një ish-komune të dikurshme, pa reformën territoriale, do t’i duheshin 33 vite për të mbuluar koston e ndërtimit të një shkolle, ndoshta më shumë për një rrugë apo urë të re. Kjo shpjegon pse për ne zhvillimi rural u kthye shumë shpejt në një mision të përditshëm të Tiranës së re, të zmadhuar si zonë metropolitane”, nënvizoi ai.
“Sot, reforma administrative ka rezultuar një sukses në infrastrukturë, në rritjen e cilësisë së shërbimeve dhe prodhimit, në rritjen e vlerës së pronës edhe në fshat dhe në mundësinë e planifikimit zhvillimor përmes ndërlidhjes me hapësirat urbane të hapësirave rurale. Ne i rikthyem dinjitetin rrethinave të Tiranës me investime në infrastrukturë dhe në shërbime,” nënvizoi Veliaj.
Kryebashkiaku renditi disa nga ndryshimet që kanë pësuar zona ku më parë nuk ishte vënë dorë. “Më konkretisht, shtruam dhe rinkonstruktuam mbi 30 Km rrugë në secilin drejtim të Tiranës, si dhe hapëm rrugë të reja që lidhin me Zall-Herrin, me Krrabën, apo me Zall-Bastarin. Ndërkohë, kemi shtuar 9 linja të reja të transportit rrethqytetas, transportit urban. Hodhëm 7 ura të reja lidhëse me zonat rurale, si dhe pastruam 114 kilometra kanale kulluese dhe 81 kilometra kanale vaditëse. Ndërkohë, ndërtuam dhe rehabilituam 18 qendra në njësitë administrative rurale, si dhe rijetësuam qendrat e fshatrave Baldushk dhe Zall-Bastar. Ofruam dhe vazhdojmë të ofrojmë përditë një shërbim cilësor të pastrimit, që më përpara nuk ndodhte. Ndaj dhe sot jam krenar me atë që kemi mbërritur në fshat, sidomos me çerdhe, kopshte dhe shkolla, si të Tiranës urbane. Ju kujtoj që vetëm në fshatin ose ish Komunën e Pezës kemi katër shkolla të reja”, deklaroi Veliaj.
Sipas tij, të gjitha këto ndërhyrje ndikuan në rritjen e numrit të agroturizmeve. “Kemi gjetur 12 në 2015-ën dhe janë 77 sot. Sot ka festa si ajo e Gjelit të Detit në Baldushk, ajo e Domates së vonë në Shëngjergj, e Ullirit në Ndroq apo e Verës në Farkë, që promovojnë produktet “Made in Albania” dhe “Made in Tirana”, sidomos dhe në fshat”, tha ai.
Kryebashkiaku shtoi se me lehtësimin dhe qasjen e produkteve të fshatit sot fermerët tregtojnë në 2 tregje të lëvizshme në qytet të mbikëqyrura dhe me kushte të denja higjieno-sanitare.
Kthejini pronat pronarve atë bëni. Fermer me nji lop. E 6 dynym tok ???. Mashtrusa. Spo lini më gjë pa vhedhur