Vaji i tepërt i palmës shkakton kancer: Falsifikimi i nënprodukteve të qumështit, ja sesi mund ta zbuloni nga shtëpia

19 Janar 2023, 09:20Sociale TEMA

Vaji i tepërt i palmës shkakton kancer: Falsifikimi i

Inside Story ka realizuar blerjen e disa llojeve të ndryshëm të djathit në mënyrë rastësore, mostra të cilat do të dërgohen për analiza.

Përzgjedhja është bërë nga produktet me çmime më të lira, tek ato më të shtrenjta, për të parë një tregues të rëndësishëm siç është niveli i yndyrnës. Tregues, që të çon drejt zbulimit nëse kemi të bëjmë me yndyrë shtazore, apo vaj palme.

Për të realizuar një proces të saktë dhe korrekt, kemi vendosur që të bëjmë ruajtjen dhe transportin e mostrave me një termues ftohës.

Pasi kemi blerë të gjitha mostrat për analiza i jemi drejtuar një laboratori privat në Tiranë. Marrja dhe dorëzimi i mostrave u bë sipas të gjitha kritereve dhe rregullave të përcaktuar në fillim të procedurës. Dalja e rezultateve kërkon disa ditë kohë. Kjo është metoda për të kuptuar nëse produktet që ne konsumojmë janë natyrale apo të falsifikuara.

Por, jo çdo qytetar e ka këtë mundësi dhe askush nuk mund ti drejtohet laboratorëve sa herë furnizohet me bulmet. Kjo procedurë që ne po ndjekim, normalisht është një punë rutinë e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit. Megjithatë, ne do të realizojmë disa teste mjaft të thjeshta që çdo kush nga ne mund t’i realizojë në shtëpi.

Tek djathi, ai që konsiderohet si problem që haste masivisht është shtimi i masës duke përdorur niseshte. Për të kuptuar këtë, ne kemi marrë disa mostra djathit në një prej dyqaneve pranë Pazarit të Ri në Tiranë.

Në total, kemi marrë 8 mostra të ndryshme të përzgjedhura në mënyrë rastësore ku përfshihen djathë dhie, dele dhe lope. Produktet janë prodhim i subjekteve nga zona të ndryshme të vendit që emërtohen sipas njësive lokale nga vijnë në kryeqytet.

Në fakt, kjo është edhe mënyra se si ato tregtohen pa pasur asnjë etiketë apo informacion nëse kanë përbërës shtesë industrial si vaji i palmës apo aromatizues.

Prova që ne do të bëjmë është me jodio, i njëjti që përdoret për mjekimin e plagëve të ndryshme që çdokush mund ta ketë në shtëpi.

Kemi pikuar disa pika në secilën mostër dhe kemi pritur se çdo të ndodhte. Djathi që fillon të nxihet dhe ndryshon ngjyrë tregon se ka përqindje niseshteje në brendësi të tij.

Nga prova jonë rezultoi se djathë lope Përmeti ndryshoj ngjyrë dhe u bë blu siç mund ta shihni. Djathi miks i prodhuar nga një baxho në Pogradec gjithashtu ndryshoi ngjyrën dhe u bë më i errët. I njëjti rezultat bëhet edhe tek djathi i dhisë i prodhuar në Ersekë.

Pra, prova jonë rastësore zbuloi se të paktën 3 prej mostrave janë produkte të falsifikuara. Përdorimi i niseshtesë bëhet nga prodhuesit për të rritur masën me një kosto më të ulët. Këtu, jemi përballë një mashtrimi ndaj konsumatorit i cili po konsumon niseshte!

Prova që zbulon tregtimin masiv të djathit me vaj palme

Ka edhe një metodë tjetër për të zbuluar nëse bulmeti që ne konsumojmë ka përbërës natyralë apo është i falsifikuar si 3 mostrat që treguam.

Një pjesë nga djathi që kemi blerë e kemi vendosur në enë me ujë të pastër.

Të gjitha enët me djathin e zhytur në ujë i kemi lënë për dy javë në një ambient të freskët siç na sugjeruan ekspertët e sigurisë ushqimore.

Kjo është një metodë për të zbuluar nëse djathi përmban niseshte ose vaj palme. Nëse uji bëhet si i verdhë dhe ngjit tregon që ka sasi të vajit të palmës.

Nëse produkti përmban vaj palme, prodhuesi duhet ta demonstrojë qartë me etiketë, gjë e cila, nuk është prezente në asnjë prej produkteve.

Nga prova që ne kryem na rezultoi se uji ku është vendosur djathi i deles së Gjirokastrës ka marrë ngjyrën e hirrës. Djathi i dhisë së Gjirokastrës është tretur si kos. Nëse produkti kthehet në gjendje të lëngshme si përbërësi fillestar që është qumështi, tregon se ai është cilësor.

Djathi i dhisë së Libohovës ka marrë ngjyrën e hirrës. Djathi i deles së Libohovës nuk është bërë si hirrë por ka marrë ngjyrë të bardhë. Kjo të çon drejt dyshimeve për përbërës të tjerë. Një prej tyre mund të jetë niseshteja.

Në djathin miks të Pogradecit uji është bërë si i ngjitshëm. Sipas ekspertëve nëse uji bëhet si i verdhë dhe ngjit, kjo tregon se nga djathi ka dalë vaji i palmës. Djathi i lopës së Përmetit ka qëndruar i fortë.

Edhe ky është një tregues jo normal. Kujtojmë se ky djathë në fillim me provën e jodit rezultoi të ishte me niseshte. Ribëjmë edhe një herë provën e jodit pasi e kemi lënë për 15 ditë në ujë. Përsëri djathi merr ngjyrë blu. Pra, ka përmbajtje niseshteje.

Shkakton kancer, si mbahet i fshehtë përdorimi i vajit të palmës tek bulmeti

Në të gjithë botën ka produkte që bëhen me vaj palme. Nëse ky vaj përdoret në sasi të vogël nuk është i rrezikshëm për shëndetin.

Problemi qëndron se në vendin tonë jo të gjithë e deklarojnë vajin e palmës që përdorin. Konsumimi i shumë produkteve me vaj palme mund të çojë në rritjen e sëmundjeve kancerogjene në popullatë.

Nëse bëjmë një vëzhgim të shpejtë në marketet tona sa i përket etiketave që kanë vendosur vetë prodhuesit, nuk figurojnë që të përmendet vaji i palmës. Ai përmendet si yndyrë bimore në produkte të ndryshme. Megjithatë duhet të dimë se shumë produkte që tregtohen në markete përmbajnë vaj palme.

Këtu mund të përmendim patatinat, ëmbëlsirat, djathin, gjalpin, ushqimet e konservuara etj.

Në vitin 2021 u publikua një studim në Spanjë ku fliste për ndikimin që ka vaji i palmës te të sëmurët kronik dhe jo vetëm.

Sipas studimit tregohet se vaji i palmës ndikon në rritjen e qelizave kancerogjene. Por të rriskuar janë edhe qytetarët e shëndetshëm apo edhe fëmijët të cilët konsumojnë produkte me përmbajtje apo të gatuara me vaji palme.

2 Komente

  1. k
    konsumatori

    Emisionet investigative jane shume te nevojshme. Por nese investigojne vertet per vlerat e konumatorit dhe jo te kthehen ne gjobevenes. Mendimet e mia si degjues: "Vaji i tepërt i palmës shkakton kancer" - SI vertetohet kjo shkencerisht? Ku eshte bazuar autori emisionit per te publikuar kete perfundim? - ka nje kerkim shkencor qe e verteton kete fakt? Per produktet ushqimore dhe fushen ushqimore ne teresi ka shume, dhe shume per te permiresuar dhe per te bere emiione. Por ato duhen bere me baza dhe fakte te verteta, te bazuara ne prova dhe perfundime shkencore, dhe jo editime gazetash. Ne emisionin e Top channel nuk u paraqit asnje fakt i shkruar qete vertetoje lidhjen direkte te perdorimit te vajit te palmes me kancerin. Asnje.

    1. A
      Anila

      Ne menyre urgjente duhet te ndalohet tregtimi i bulmetrave, djathe, gjalpe, gjize, salce kosi etj te hapura. Cdo produkt duhet te jete i ambalazhuar me etikete dhe te tregoje permbajtjen qe ka ne menyre qe te mund te kontrollohet. Keto dyqanet e bulmetit me emertime te tilla "Bulmet jugu", "Bulmet Zagorie" etj, etj duhet te mos lejohen. Edhe baxhot te cilat nuk shesin produkt te ambalazhuar me etikete te mbyllen. Me mire te ngelen pa pune disa dhjetra fshatare se te rrezikojme jeten e njerezve.

      Lini një Përgjigje