Sipas statistikave, ka një numër gjithnjë e më të vogël djemsh që regjistrohen në universitete, dhe akoma më të pakët janë ata që i përfundojnë dhe diplomohen. Nga ana tjetër, vajzat dhe gratë po diplomohen në numra gjithnjë e më të lartë, çka reflekton edhe një trend global që tregon se vajzat po përparojnë ndjeshëm në arsim, ndërsa djemtë po mbeten pas.
Në episodin më të fundit të Apostrof Podcast, sociologia Marsi Simo e lidh këtë fenomen me mënyrën si shoqëria e koncepton suksesin për burrat dhe gratë.
"Burrave, djemve po iu kërkohet që në moshë të hershme të fitojnë më shpejt ta ardhura. Është fenomeni i të pasuruarit dhe të arriturit pushtet e prestigj sa më shpejt. Dhe po arrin të kuptohet, që këtë nuk ta jep shkolla, as ajo diploma 4-5 vite, por ta jep një punë nga e cila do vuash, do sakrifikosh vitet e para dhe më pas do kesh prestigjin tënd. Dhe këtë, djemtë dhe burrat e shohin tek emigracioni, prandaj një pjesë e tyre duan të ikin," thotë Simo.
Sipas saj, djemtë po rriten me ndjenjën se vlera e tyre matet me fitimin, jo me dijen. Ata ndihen të shtyrë drejt punëve që ofrojnë para të menjëhershme, drejt emigracionit apo sipërmarrjeve të shpejta, ndërsa arsimi perceptohet si një proces i gjatë, pa garanci.
Në anën tjetër, vajzat rriten me pritshmërinë e qëndrueshmërisë dhe sigurisë përmes arsimit.
“Grave, vajzave u mësohet që ty të duhet një diplomë, ty të duhet një punë në zyrë. Të duhet një punë më komode, që të jesh e gjendshme dhe në shtëpi edhe në punë,” shton ajo.
Kjo ndarje e pritshmërive duket se po krijon një pabarazi të re, jo në mundësi, por në mënyrën si formohen ambiciet. Vajzat dhe gratë po përparojnë përmes arsimit, ndërsa sdjemtë dhe burrat mbeten pas.
Në një shoqëri ku prestigji matet me fitim, jo me përmbushje, dijet po humbasin terren përballë parasë. Dhe siç shprehet Marsi Simo, ndoshta nuk është se djemtë nuk duan të mësojnë, por se po rriten me idenë që të mësosh nuk mjafton më.
Ndiq episodin e plotë të Apostrof Podcast:
Si perfeksionizmi na rrëmben qetësinë dhe gëzimin e përditshëm? | Marsi Simo | Apostrof #38
Vajzat dhe grate po perparojne ne kete me ndere arsimimi, sepse nuk kane se ku te shkojne tjeter, kurse gjinia mashkullore ka braktisur vendin me emigrimin biblik. Eshte vizioni i nje te cmenduri qe trumbeton Shqiperia ne Be 2030