Në episodin më të fundit të Apostrof Podcast, sociologia Marsi Simo flet për një nga plagët më të heshtura të shoqërisë shqiptare, përsëritjen e dhunës nga një brez te tjetri. Sipas saj, dhuna nuk është vetëm fizike, por shpesh verbale, emocionale dhe e justifikuar me shprehje që tashmë janë bërë pjesë e përditshmërisë.
“Të kesh guximin të veprosh ndryshe, me komunikim, me fjalë, kërkon shumë punë. Është më e thjeshtë ajo metoda me 'shapkën',” thotë Simo, duke nënvizuar se prindërit shpesh e zgjedhin mënyrën më të shpejtë për të marrë “rezultat”, pa menduar për pasojat afatgjata tek fëmijët.
Sipas saj, prindërit e sotëm, të rritur në të njëjtin model ndëshkimi, shpesh epërsërisin të njëjtën sjellje:
“Pothuajse të njëjtat terma që kanë përdorur prindërit e tyre, i përdorin edhe ata dhe dalin me atë parullën ‘çfarë na ka gjetur ne, jemi shumë të shëndetshëm.’”
Por pas këtij justifikimi, Simo sheh një formë të thellë pasigurie dhe frike për të ndryshuar.
“Dhuna është mënyra më e shpejtë për ta bërë fëmijën të reagojë, sepse e di që do të bindet menjëherë. Është e provuar dhe prindërit e dinë, sepse e kanë provuar në kurriz vetë,” shpjegon ajo.
Nga ana tjetër, thotë Simo, ndryshimi kërkon durim, reflektim dhe guxim për të thyer ciklin që për dekada është perceptuar si “normalitet.”
“Të përqafosh një tjetër metodë, të veprosh ndryshe me komunikim e me fjalë, është shumë punë. Nuk është kaq e thjeshtë.”
Në këtë bisedë, Marsi Simo i fton prindërit dhe shoqërinë të reflektojnë mbi mënyrën si e konceptojmë disiplinën, autoritetin dhe dashurinë. Sepse, siç thotë ajo, dhuna ndoshta sjell bindje të menjëhershme, por fjalët ndërtojnë lidhje që zgjasin.
Ndiq episodin e plotë të Apostrof Podcast:
Si perfeksionizmi na rrëmben qetësinë dhe gëzimin e përditshëm? | Marsi Simo | Apostrof #38
Lini një Përgjigje