Mary E. Brunkow, Fred Ramsdell dhe Shimon Sakaguchi, janë tre shkencëtarët e shpallur fitues të Çmimit Nobel në Fiziologji ose Mjekësi për vitin 2025, për zbulimet e tyre që ndihmuan në shpjegimin e mënyrës se si sistemi imunitar i njeriut mëson të mos sulmojë vetveten.
Komiteti Nobel në Stokholm tha se kërkimet e tyre kanë hedhur dritë mbi një mekanizëm të quajtur tolerancë periferike imunitare, i cili vepron si “sistemi i dytë i mbrojtjes” për trupin, duke parandaluar që qelizat imune të shndërrohen në armike të organeve dhe indeve të veta.
Profesor Shimon Sakaguchi, nga Japonia, është njohur për identifikimin e qelizave T rregullatore (Treg), që luajnë rol vendimtar në ruajtjen e këtij ekuilibri. Fred Ramsdell dhe Mary Brunkow kanë zbuluar gjenin FOXP3, i cili është thelbësor për zhvillimin e këtyre qelizave dhe për parandalimin e sëmundjeve autoimune.
Zbulimet e tyre, sipas Akademisë Nobel, kanë hapur rrugën për zhvillime të reja në trajtimin e sëmundjeve autoimune, kancerit dhe në përmirësimin e suksesshmërisë së transplantimeve.
Ceremonia e ndarjes së çmimeve do të mbahet më 10 dhjetor, në Stokholm, në përvjetorin e vdekjes së Alfred Nobel.
Lini një Përgjigje