Në një bisedë që prek një nga mangësitë më të mëdha emocionale të shoqërisë moderne, sociologia Marsi Simo flet në Apostrof Podcast për mënyrën se si shumë fëmijë po rriten me idenë se dashuria është përkëdheli, jo nevojë.
Ajo tregon një episod domethënës nga puna e saj me fëmijë 8–10 vjeç, të cilët, kur u pyetën si ndihen kur prindërit i përqafojnë, iu përgjigjën se ajo nënkuptonte përkëdheli. Një frazë që, sipas Simos, nuk është e tyre, por e prindërve dhe e një kulture që ka mësuar të frikësohet nga butësia dhe ta përkufizojë dashurinë si dobësi.
“Ne shpesh e ngatërrojmë dashurinë me mungesën e kufijve,” thotë ajo. “Por dashuria nuk do të thotë t’ia zgjidhësh fëmijës çdo problem, do të thotë të jesh aty, të dëgjosh, të japësh siguri.”
Simo kujton se edhe prindërit e rinj sot dëgjojnë këshilla që iu thonë se duhet ta kufizojnë afërsinë me fëmijën, duke harruar, siç shton ajo, se kontaktet e para fizike dhe emocionale janë themeli i sigurisë së brendshme që njeriu mban gjithë jetën.
Në një kohë ku prindërit përpiqen të bëjnë gjithçka për fëmijët e tyre, t’u sigurojnë arsimim sa më të mirë, kurse, lojëra, stabilitet financiar, pyetja që mbetet është se, kur dashuria është vërtet kaq e rëndësishme për mirërritjen e fëmijëve dhe kur ajo është praktikisht falas, atëherë përse në shumë raste iu mohohet?
Ndiq episodin e plotë të Apostrof Podcast:
Si perfeksionizmi na rrëmben qetësinë dhe gëzimin e përditshëm? | Marsi Simo | Apostrof #38
Lini një Përgjigje