Në episodin e radhës të Apostrof Podcast, psikologia dhe psikoterapistja Valentina Telhaj solli një shembull të dhimbshëm për të treguar se si bullizimi i vazhdueshëm, edhe kur nuk lë shenja fizike, mund të përshkallëzohet në tragjedi.
Bëhej fjalë për një djalë që për katër vite me radhë u përball me fyerje, përjashtime nga grupi dhe letra fyese të hedhura fshehurazi. Ngacmime të vogla në dukje, që nuk tërhiqnin vëmendjen e askujt. Por ato ishin, siç i quan Telhaj, “trauma me 'T' të vogël” – plagë të padukshme, të heshtura, që lënë pasoja po aq të rënda sa dhuna e hapur.
Kur djalit iu mbush kupa dhe reagoi me dhunë ndaj ngacmuesit të tij, ngjarja mori fund në mënyrë tragjike: bashkëmoshatari tjetër u lëndua, dhe befas gjithë faji u hodh mbi atë që për vite të tëra kishte qenë viktimë. Askush nuk pyeti se pse kishte reaguar në atë mënyrë, çfarë dhimbjesh të mbledhura e kishin çuar në atë shpërthim.
Rasti, sipas saj, është një thirrje për reflektim mbi mënyrën se si e lexojmë sjelljen e të rinjve. Neglizhenca jonë kolektive, indiferenca ndaj bullizimit të heshtur dhe mungesa e një vëmendjeje të vërtetë psikologjike, prodhojnë viktima që në fund shihen si fajtorë. Dhe kjo, sipas Telhajt, është një padrejtësi që shoqëria e përsërit vazhdimisht.
Ndiq episodin e plotë të Apostrof Podcast:
"Neglizhenca lë plagë më të thella se dhuna fizike te fëmijët" | Valentina Telhaj | Apostrof #37
Lini një Përgjigje