Botërori, më shumë se futboll

20 Qershor 2026, 18:49Sport TEMA
Botërori, më shumë se futboll

Nga Andi Lila

 

Unë jam një tifoz i madh i Botërorit. Kam lexuar, kam parë dokumentarë dhe jam munduar të mësoj sa më shumë për historinë e Kupës së Botës, që nga viti 1930 kur u zhvillua për herë të parë në Uruguai.

Pak veta e dinë që edhe Shqipëria kishte marrë ftesë për të marrë pjesë në atë Botëror. Por Mbreti Zog vendosi të mos e dërgonte ekipin kombëtar, sepse sipas tij vendi kishte prioritete më të rëndësishme. Sot kjo duket paksa e çuditshme, por atëherë kohët ishin ndryshe.

Sot jemi në një tjetër epokë dhe po shijojmë një Botëror që shumë specialistë e konsiderojnë si kandidatin kryesor për të qenë më i bukuri në histori.

Jemi ende në fazën e grupeve dhe disa skuadra kanë bërë detyrën. Franca, Argjentina, Anglia dhe Gjermania kanë treguar forcë dhe personalitet. Nga ana tjetër, Brazili, Portugalia dhe Spanja deri tani kanë zhgënjyer.

Surprizat më të bukura për mua janë Maroku, SHBA dhe Cape Verde. Këto skuadra po tregojnë se emri i madh nuk të fiton ndeshjet. Në fushë fiton ai që vrapon më shumë, lufton më shumë dhe gabon më pak.

Për skuadrat kryesore kam disa mendime të thjeshta.

Hollanda ka lojtarë shumë cilësorë, por nuk më bind trajneri. Mendoj se kjo skuadër mund të japë shumë më tepër.

Franca ka sulm, ka mbrojtje, ka shpejtësi dhe cilësi, por i mungojnë mesfushorët që të ndërtojnë lojën nga prapa dhe të kontrollojnë ritmin e ndeshjes.

Brazili ka probleme në mesfushë. Me Casemiron dhe Paquetán do ta ketë të vështirë të dominojë skuadrat e mëdha. Megjithatë, Carlo Ancelotti është një nga trajnerët më të mirë në histori dhe mund të gjejë zgjidhjen në momentin e duhur.

Argjentina më pëlqeu shumë në ndeshjen e parë. Messi duket në formë fantastike. Por ekziston rreziku që skuadra të mbështetet shumë tek ai dhe të presë që ai të zgjidhë çdo ndeshje i vetëm.

Anglia është favoritja ime për titullin. Ka një skuadër të fortë, lojtarë në formë dhe një trajner të madh si Thomas Tuchel. Nëse i buzëqesh edhe fati, ndoshta anglezët mund të rikthejnë në shtëpi Kupën e Botës pas 60 vitesh.

Portugalia ka emra të mëdhenj në letër, por nuk më bind si skuadër. Cristiano Ronaldo mbetet një kampion i madh, por mosha nuk fal askënd. Dëshira është aty, por fiziku nuk është më ai i viteve të arta.

SHBA është skuadra që më ka bërë më shumë përshtypje. Kanë energji, disiplinë, forcë fizike dhe talent. Janë një ekip që mund t’i hapë probleme çdo kundërshtari.

Por në fund të fundit, Botërori është shumë më tepër se futboll. Është emocion, histori, krenari kombëtare, prestigj dhe ndonjëherë edhe politikë. Për një muaj të tërë, bota ndalet dhe miliarda njerëz flasin të njëjtën gjuhë: futbollin.

Carlo Ancelotti ka thënë se Botërorin e fitojnë skuadrat që kanë talent, durim dhe fat. Unë mendoj se duhet edhe karakter.

Tani na mbetet vetëm të shijojmë ndeshjet dhe të shohim se kush do ta ngrejë lart trofeun më të rëndësishëm në futboll.

Lini një Përgjigje