Pushime dhe qëndrim me familjen për të rikarikuar bateritë dhe të nisë gjithçka nga e para; ish drejtori sportiv i Milanit, Igli Tare i shkarkuar përpara një muaji një ditë pas ndeshjes me Cagliarin që i la kuqezinjtë jashtë Ligës së Kampioneve, rrëfehet në një intervistë për Sportmediaset duke folur për të tashmen, të kaluarën, të ardhmen dhe për ata që i qëndruan pranë gjatë sezonit të tij milanist.
"Jam mjaft mirë, tani dua të qëndroj pak me familjen time, gjë që ndihmon të rimarrësh veten-tha Igli Tare i cili padyshim ka përjetuar javë të vështira, por që nuk e pengon të shohë edhe përtej Milanit teksa foli për Allegrin dhe kalimin e tij të Napoli
‘Është një trajner i shkëlqyer, Napoli ka bërë një zgjedhje të mençur, është në një linjë me ambiciet që ka klubi dhe duhet të vazhdojë ta ketë për sezonin e ardhshëm-vijoi Tare-Janë situata që janë pjesë e lojës dhe profesionit tonë, edhe vitin e kaluar, Allegri ishte një prej kandidatëve të mundshëm për Napolin, kështu mbajtën të gjallë raportin e tyre. Unë dhe Max komunikojmë çdo 2-3 ditë; ndonjë gabim e kemi bërë, por Allegri është një trajner që ka bërë shumë mirë në historinë e futbollit italian dhe do të vazhdojë ta bëjë’.
Për Taren është e ende e vështirë të flasë për Milanin, por ai ka vetëm një urim.
‘Shpresoj që Milani të gjejë ekuilibrin dhe një projekt serioz për të ardhmen-shtoi Tare-Leao? Nuk e di nëse bën mirë apo keq që dëshiron eksperienca të reja, por nëse dikush e ka një dëshirë të tillë, do të thotë se raporti me klubin ka marrë fund, që cikli është mbyllur. Cilësitë e tij nuk diskutohen,duhet vetëm të gjejë vazhdimësi në ndeshje sepse është një lojtar që mund ta vendosë i vetëm. Këtë vit nuk ndodhi edhe për shkak të problemeve fizike që ka pasur’
Nga Milani te Italia, nga Allegri te Mancini, Tare foli edhe për këtë pikë.
‘Italia mund të riniset nga eksperienca e Mancinit, trajneri i fundit që ka fituar dhe që tani mund të rinisë punën e ndërprerë-tha Tare-ky është momenti për të bërë zgjedhje kurajuese dhe të besosh te të rinjtë; ka lojtarë që janë të perspektivës, mjafton të shohësh rezultatet e skuadrave të moshave, por duhet të kesh kurajo dhe t’u japësh atyre besimin dhe të dish të presësh’.
Lini një Përgjigje