Debutimi i Iranit në Botërorin 2026 është shndërruar menjëherë në një çështje polemikash diplomatike, tensioni politik dhe problemeve logjistike pa precedentë. Pas barazimit 2-2 kundër Zelandës së Re, Federata Iraniane e Futbollit ka bërë me dije se do të ankohet zyrtarisht në FIFA, duke denoncuar masat e forta shtrënguese ndaj skuadrës.
Këto masa, sipas zëdhënësit të Federatës iraniane, kanë prishur qetësinë e lojtarëve në prag të ndeshjes delikate me Belgjikën në Los Angeles. Protesta iraniane nisi me planin logjistik mjaft të kontestuar: delegacionit të Teheranit i është lejuar hyrja në SHBA vetëm për ndeshjet. Lojtarëve u është mohuar e drejta për të qëndruar më gjatë në tokën amerikane dhe Irani është detyruar të kthehet në selinë e tij në Tijuana të Meksikës, çka ka bërë që aziatikët të shndërrohen në udhëtarë.
Bilanci i udhëtimit të parë drejt “SoFi Stadium” të Los Angeles ishte i rëndë. Mes fluturimit dhe kontrolleve të rrepta doganore, skuadra u përball me një odise prej 5 orësh para ndeshjes, duke shkuar në stadium qartësisht e lodhur. Drama u përsërit edhe pas ndeshjes, pavarësisht kërkesave të Federatës iraniane për të qëndruar të paktën një natë në Los Angeles për të rikuperuar energjitë.
Edhe pas ndërhyrjes personale të presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, situata nuk ndryshoi. Urdhri i autoriteteve amerikane ishte taksativ: duhet të ktheheni menjëherë!
Frustrimi shpërtheu në konferencë shtypi nga trajneri Amir Ghalenoei dhe kapiteni Mehdi Taremi, të cilët ngritën zërin për atë që po ndodh me Iranin. Situata ishte komplikuar që në prag të turneut, pasi SHBA-të refuzuan të jepnin viza për 11 pjesëtarë të delegacionit iranian, mes të cilëve elementë kyç të stafit teknik.
Tani, para ndeshjes me Belgjikën më 21 qershor, situata rrezikon të përkeqësohet. Irani ankohet për autorizimin për të shkuar në Los Angeles vetëm një ditë para ndeshjes dhe jo dy, siç parashikon rregullorja.
Përtej transportit, debutimi në Kaliforni u bë problem dhe për realitetin gjeopolitik të Los Angeles, ku jeton komuniteti më i amdh iranian jashtë vendit, i përbërë në pjesën më të madhe nga azilantë të revolucionit islamik të 1979-ës. Qindra manifestues protestuan kundër skuadrës, e akuzuar se përfaqëson regjimin teokratik të Teheranit dhe jo popullin persian. Në stadium himni i Iranit u mbyt nga vërshëllimat, kurse në shkallë u valvitën flamuj me luanin e artë.
Lini një Përgjigje