Dëmtim në moshën 17-vjeçare dhe stërvitjet me lot në sy, trajneri tregon vuajtjet e Nunez: Nuk duronte dhimbjet!

3 Gusht 2022, 22:25Sport TEMA

Dëmtim në moshën 17-vjeçare dhe stërvitjet me lot

Pas paraqitjes mbresëlënëse në finalen e Community Shield ku shënoi edhe një gol, Darwin Nunez ia ka dalë të bëjë për vete tifozerinë e Liverpool. Sulmuesi uruguajan që u transferua në Anfield për shumën rekord të 100 milionë eurove duket se do ta bëjë edhe më të frikshme makinerinë e ndërtuar nga trajneri Jurgen Klopp.

Megjithatë, karriera e 23-vjeçarit ka kaluar në vështirësi dhe vuajtje të mëdha duke qenë se në moshën 17-vjeçare rrezikoi të mos e prekte më fushën e futbollit pas një dëmtimi në ligamentin e gjurit. Një dëmtim që Nunez e ka pësuar kur ende luante futboll në vendlindjen e tij dhe ishte pjesë e Penarol, më saktë ekipit U23. Këta të fundit luanin një ndeshje finale dhe kërkuan Nunez si një opsion më shumë, por sulmuesi pas një kërcimi të fuqishëm, vendosi keq në tokë këmbën duke dëmtuar gjurin.

Trajneri i Penarol në atë kohë, Leonardo Ramos, tregon se Nunez e përfundonte çdo ditë stërvitjen duke qarë nga dhimbjet, madje arriti deri në pikën ku mendonte të tërhiqej nga futbolli pasi nuk e duronte më dhimbjen. Megjithatë, Ramos tregon se i kujtoi sulmuesit ëndrrën dhe arsyen pse kishte nisur të luante futboll dhe ishte pikërisht ajo që duhej.

Në vitin 2019, Nunez u transferua te Almeria në Spanjë dhe pas një viti e gjysmë kaloi te Benfica, aty ku të gjithë tashmë e dinë historinë e tij. Nunez nuk hoqi dorë nga ëndrra edhe në momentin më të vështirë e duket se tashmë ka ardhur momenti të shpërblehet për të gjitha sakrificat.

Lini një Përgjigje