VAR-i dhe risia e “offside”, zyrtari UEFA-s zbarkon në Tiranë: Ku duhet të fokusohemi

3 Gusht 2022, 22:07Sport TEMA

VAR-i dhe risia e “offside”, zyrtari UEFA-s zbarkon në

Prej tre ditësh Federata Shqiptare e Futbollit po organizon një aktivitet të rëndësishëm në prag të nisjes së sezonit të ri futbollistik. Sektori i Arbitrimit në FSHF është duke punuar me të gjithë arbitrat dhe asistentët e kampionatit “Abissnet Superiore” në një seminar praktik dhe teorik mjaft cilësor me emra të njohur ndërkombëtar të arbitrimit , me qëllim përmirësimin e nivelit të arbitrimit në futbollin shqiptar.

Përveç drejtorit teknik të IFAB (Bordi i Shoqatës Ndërkombëtare të Futbollit), David Elleray, në këtë seminar dhe dhënë leksione edhe anëtar i Komitetit të Arbitrave i UEFA-s, Giovanni Stevanato, i cili është njëkohësisht Presidenti i Komitetit Rajonal të Gjyqtarëve të Venetos.

Stevanato, i cili është fokusuar veçanërisht në rolin e asistentit, ka shpjeguar risitë e rregulloreve për këtë sezon dhe se çfarë ka diskutuar me arbitrat dhe asistentët e kampionatit Abissnet Superiore” gjatë leksioneve që ai ka mbajtur në seminarin e zhvilluar në ambientet e Shtëpisë së Futbollit. Duke folur për Fshf.org zyrtari i UEFA-s theksoi se është e rëndësishme që secili nga trupa e arbitrave gjatë një ndeshjeje të ketë të qartë rolin e vet dhe ka theksuar edhe bashkëpunimin në kuadër edhe të përdorimit të sistemit VAR dhe interpretimit të situatave të caktuara të lojës.

Jam në Shqipëri teksa FSHF po përgatitet për ta nisur sa më mirë sezonin e ri sportiv që fillon pas rreth dy javësh. Duke qenë se ka pasur një risi të rëndësishme në aspektin e interpretimit të Rregullit 11 të pozicionit jashtë loje, u kemi sjellë kontributin tonë arbitrave shqiptarë me analiza të videove, situatave të ndryshme të lojës dhe ushtrime për t’i dhënë interpretimin e duhur dhe për të kuptuar se kur topi është luajtur në mënyrë të vullnetshme dhe devijuar apo është prekur në mënyrë të pavullnetshme.

Sepse kjo më pas përcakton nëse kemi pozicion jashtë loje ose jo dhe nëse duhet akorduar ky faull”, tha Giovanni Stevanato, duke shtuar më tej: “Ndërsa në pjesën tjetër të leksioneve të mia është folur për punën e grupit, pra të bashkëpunimit mes arbitrit kryesor dhe asistentit, që duhet të kenë aftësinë për të parë gjithçka ndodh në fushën e lojës, për t’u këshilluar në situatat më delikate, por secili duhet të marrë përgjegjësinë e vet në rolin që ka, si arbitri ashtu edhe asistenti i tij apo arbitri i katërt.

Në Shqipëri, duke qenë se në ndeshje përdoret dhe sistemit VAR, është e rëndësishme që roli i gjithsecilit të jetë i përcaktuar qartë dhe që uniformiteti i interpretimit teknik të jetë i njëjtë për të gjithë në mënyrë që në analizën e fakteve të ketë një interpretim të vetëm”. Ndërkaq, anëtari i Komitetit të Arbitrave të UEFA-s theksoi se është e rëndësishme të ruhet integriteti fizik i lojtarëve gjatë ndeshjes, teksa u shpreh i surprizuar për nivelin e pjesëmarrësve dhe interesin e madh të arbitrave shqiptarë për të marrë njohuri të reja.

Duhet thënë se ka një vëmendje të veçantë nga ana e UEFA-s mbi të gjitha për të ruajtur integritetin fizik të lojtarëve, pra ne duhet të favorizojmë në interpretimin e lojës leximin e duhur të rregullave, të kuptojmë edhe se çfarë duan të bëjnë lojtarët. Nëse duan të vazhdojnë lojën, atëherë lejohet avantazhi, nëse nuk duan të vazhdojnë, atëherë arbitri vërshëllen. Kjo është shumë e thjeshtë.

Ka qenë një surprizë e bukur të shikoja arbitrat të ishin shumë të interesuar dhe aktivë në këtë seminar. Ajo që më befasoi pozitivisht ishte dëshira për të marrë pjesë, dëshira për të marrë njohuri të reja, dëshira për t’u formuar dhe kjo është fillimi i një pune të madhe që mund të bëjmë bashkërisht”, theksoi Giovanni Stevanatonë prononcimin e tij. Qëllimi kryesor i këtij seminari është padyshim përmirësimi i nivelit të arbitrimit shqiptar, teksa të gjithë arbitrat dhe asistentët do të kenë mundësi të zgjerojnë njohuritë e tyre dhe të mësojnë ndryshimet e reja të rregullave nga lektorë shqiptarë e të huaj. 

Lini një Përgjigje