Dinamo fiton Kupën e Shqipërisë pas 22 vitesh, “ruleta” e penalltive “shkurorëzon” Egnatian

1 Maj 2025, 20:59Sport TEMA
Dinamo fiton Kupën e Shqipërisë pas 22 vitesh,

Emocione të mëdha ka dhuruar finalja e Kupës së Shqipërisë.

Sfida mes Egnatias dhe Dinamos ka qenë e bukur dhe e luftuar, madje për të shpallur skuadrën fituese nuk kanë mjaftuar 120 minuta lojë.

Koha e rregullt përfundon në barazim 2-2, nuk ka gola në 30 minutat shtesë dhe është dashur të goditen penalltitë, që të vendoset se kush do të jetë skuadra fituese. Lojtarët e Dinamos tregohen më të saktë nga pika e bardhë (5-4) dhe fitojnë trofeun e Kupës së Shqipërisë për herë të 14-të në historinë e klubit, një trofe që mungonte prej 22 vitesh në klubin “blu”.

Ndeshja e transmetuar drejtpërdrejt në RTSH Sport ka qenë e bukur dhe plot me emocione. Dinamo kalon e para në avantazh me Itodo Mandelën, por Egnatia rikthen shifrat në ekuilibër me Guindon në minutat shtesë të pjesës së parë.

Mandela shënon sërish në pjesën e dytë, por rrogozhinasit kundërpërgjigjen sërish në kohën shtesë, kësaj radhe me Bakajokon. Koha e rregullt përfundon 2-2. Nuk ka ndryshim rezultati në 30 minutat e  kohës shtesë. Ruleta e penalltive i buzëqesh Dinamos, që shkurorëzon Egnatian (rrogozhinasit kishin fituar 2 edicionet e fundit të Kupës) dhe fiton Kupën e Shqipërisë për herë të 14-të në histori, një sukses që mungonte prej 22 vitesh.

Një meritë të veçantë ka trajneri Ilir Daja, që në sezonin e tij të parë te Dinamo, arriti që të rikthejë “blutë” te trofetë. Ndalet për momentin (kujtojmë që dy skuadrat do të luajnë në Final 4 për titullin kampion) seria e sukseseve të trajnerit Tetova, të cilit këtë sezon i mbetet të fitojë vetëm kampionatin.

2 Komente

  1. A
    Astrit

    Urime Legjendës se futbollit shqiptar. Kupa u kthye ne shtepi.

    Përgjigjjuni
    1. A
      Agimi , Philadelphia ,USA

      Bravo Dinamo ime e dashur. Fitorja e kesaj kupe na ktheu nostalgjine e Dinamos se famshme te viteve, 60,70 e 80. Thank you Ilir Daja , team Dinamo and Dinamo owner.

      Përgjigjjuni

      Lini një Përgjigje