Nga Andi Lila
Kupa e Botës është turneu më i madh, më i bukur, më emocionues dhe më i ndjekur në planet. Për mua, historia personale me këtë kompeticion nisi në vitin 1994, në USA ’94. Isha vetëm 8 vjeç dhe për herë të parë po shikoja një finale Botërori.
Brazili mundi Italinë me penallti, ndërsa ylli i madh i atij Botërori, Roberto Baggio, humbi penalltinë vendimtare. Baggio ishte idhulli im i futbollit. Në fakt, mund të them se nisa të stërvitem në futboll edhe për shkak të tij.
Disa moshatarë të mi qanë atë ditë, disa të tjerë lanë bishtin tek flokët në nder të Baggios. Madje njoh njerëz që, pas atij Botërori, u vendosën fëmijëve emrat Roberto ose Roberta. I tillë ishte ndikimi i atij futbollisti dhe i asaj finaleje.
Që nga viti 1994, nuk kam humbur asnjë finale të Kupës së Botës. Për mua, finalja më e bukur deri tani kishte qenë ajo e vitit 2022, mes Argjentinës dhe Francës. Një ndeshje spektakolare, me gola, cilësi të jashtëzakonshme dhe dy gjigantë si Messi dhe Mbappé që dhuruan emocione të paharrueshme.
Ndërsa finalja e djeshme, në vlerësimin tim, ishte ndoshta finalja me diferencën më të madhe mes dy skuadrave. Një Spanjë që dominoi në çdo aspekt të lojës dhe një Argjentinë që tregoi karakter, por që vetëm karakteri nuk mjafton për të fituar Kupën e Botës.
Luis de la Fuente tregoi edhe një herë se është një profesor i madh i futbollit modern. Ai ka arritur të kombinojë filozofinë e Tiki-Takës dhe Juego de Posición me një organizim të shkëlqyer në bllok kur skuadra nuk ka topin. Por ajo që më impresionoi më shumë ishte reagimi i Spanjës në momentin e humbjes së topit.
Në ato momente, tre ose katër futbollistë reagonin menjëherë për ta rikuperuar topin. Një gegenpressing i organizuar në mënyrë perfekte, që e detyroi Argjentinën të tërhiqej gjithnjë e më shumë në mbrojtje.
Boterori mbaroi. Historia do të flasë për të. Do të flasë për fituesit, për heronjtë, për zhgënjimet dhe për ndeshjet që do të mbeten gjatë në kujtesën e tifozëve.
Por ëndrra ime e madhe, si shqiptar dhe si njeri i futbollit, është një tjetër: të shikoj Shqipërinë në një Kupë Bote.
Ish-trajneri i Kombëtares, Sylvinho, ka thënë se Shqipëria në vitet e ardhshme i ka të gjitha mundësitë për t’u kualifikuar në një Botëror. Ka talent, ka karakter dhe ka një popull që e dashuron futbollin.
Ndoshta një ditë do të jem në tribunë, duke parë Shqipërinë në Kupën e Botës. Dhe atëherë, besoj se emocionet do të jenë edhe më të mëdha se çdo finale që kam parë që nga USA ’94.
Ky debili as ne njofje futbolli seshte serioz …e nis me karlliqe dhe e perfundon po me karlliqe …shikoja finalen e futbollit kur isha 8 vjec thot …e cpret nga nje bythqir Kavoje …
I dashur katundar! Nuk eshte per ty futbolli.
Per mus kupa e botes duhet te luhet ne mes 10 ekipeve me te mira ne renditjen e FIFA sepse ato fitojne gjithmone te tjeret mundihen kot .
Faleminderit Lila!