Ndeshjet në Ligën e Kombeve, flet trajneri i Kosovës Alain Giresse: Kemi zgjedhur lojtarët më në formë

20 Shtator 2022, 15:02Sport TEMA

Ndeshjet në Ligën e Kombeve, flet trajneri i Kosovës Alain

Trajneri i Kombëtares së Kosovës, Alain Giresse ka folur në konferencën për shtyp para ndeshjeve në Ligën e Kombeve që dardanët do të kenë përballë Irlandës së Veriut dhe Qipros.

Lista e Kosovës ishte fillimisht me 26 lojtarë, pastaj u rrit në 27, ndërsa për shkak dëmtimesh është reduktuar në 23.

Francezi pohoi para gazetarëve se në grumbullim janë thirrur lojtarët që janë më në formë momentalisht.

“Kemi dy ndeshje në Nation League kundër Irlandës së Veriut dhe Qipros. Kemi përgatitur një listë lojtarësh. Kemi grumbulluar lojtarët kanë qenë më në formë”, tha Giresse.

“Lojtarët e rinj që kemi ftuar nuk janë vetëm sa për numër aty. Natyrisht që janë për të luajtur, por më pas do të shihet në bazë të strategjive të ndeshjeve. Me lojtarët e rinj duhet të jemi shumë të kujdesshëm”, vijoi të thoshte ai.

Duke vijuar më tej, Giresse u pyet dhe për një ardhje të mundshme të Mërgim Berishës te dardanët.

“Ne po punojmë vazhdimisht me futbollistët e rinj, por jo gjithmonë i kemi dyert e hapura nga ana e tyre. Thjesht nuk kemi arritur deri në atë pikë për të pasur një përgjigje po apo jo”, tregoi trajneri.

Gjithashtu ai foli dhe për një tjetër lojtar të rëndësishëm për të ardhmen, por që përfundoi duke zgjedhur Suedinë, Edvin Kurtulus. 70-vjeçari tregoi se kishte pasur një bisedë me mbrojtësin, teksa ky i fundit i ishte shprehur se “jam i lumtur që kam zgjedhur Suedinë”.

Në fund, trajneri foli dhe për suksesin e Ballkanit në Evropë, duke e parë këtë si mundësi promovimi për lojtarët që luajnë në atë skuadër.

“Është diçka e mirë që Ballkani luan në fazën e grupeve të Conference League. Sukseset e Ballkanit por edhe paraqitjet e skuadrave të tjera në Evropë kanë bërë që ne të kemi dy lojtarë nga kampionati vendas”, theksoi trajneri.

Kosova do e luajë ndeshjen e parë ndaj Irlandës së Veriut më 24 shtator në transfertë, për ta mbyllur këtë fushatë në Ligën e Kombeve në “Fadil Vokrri” më 27 shtator përballë Qipros.

Ndërkohë, për ndeshjen me Qipron janë bërë të ditura dhe çmimet e biletave për tifozët. Sektori verior dhe jugor do të kushtojnë nga 5 euro, lindori 10 euro, perëndimori 20 euro, ndërsa tribuna VIP 80 euro.

Lini një Përgjigje