Skandali i Juventusit me bilancet po vazhdon të thellohet dhe në media po dalin edhe më shumë detaje. Së fundmi janë publikuar disa përgjime të presidentit Andrea Agnelli, si dhe disa drejtuesve të tjerë ku nuk kursehen edhe akuzat ndaj ish-drejtorit sportiv Fabio Paratici.
Andrea Agnelli pranon në bisedat e tij të zhvilluara me Maurizio Arrivabene se nuk ishte vetëm Covidi që goditi bilancet e Juventusit, por ka dhe shumë detaje të tjera që kanë ndikuar në këtë situatë.
“Nuk ishte vetë Covidi dhe ne e dimë shumë mirë këtë gjë. Nga ana tjetër kemi shkatërruar makinerinë me zhvlerësimet për futbollistët dhe mbi të gjitha me m*t, sepse është i gjithë m**i për të cilin ne nuk mund të themi asgjë. Ne dhamë gjithçka për Ronaldon dhe De Ligt dhe më pas erdhi direkt Covidi”, shkruante ndër të tjera Andrea Agnelli në bisedat e publikuara nga “La Repubblica”.
Përgjime ndërkohë kanë dalë edhe për Stefano Cherubinin i cili akuzon paraardhësin e tij si drejtor sportiv te Juventusi, Fabio Paraticin. Në këtë bisedë përfshihen gjithashtu edhe trajneri aktual Max Allegri dhe ish-portieri Marco Storari.
Cherubini fillimisht akuzon Paraticin në një bisedë me drejtorin e financave, Stefano Bertola. “Në dy vite çoi gjithçka në djall, të 700 milionë eurot e vendosura nga aksionerët. Sepse një ditë vendosi të largonte dy persona që më e mira ishte të qëndronin. Kemi qenë arrogant në merkato dhe me Cristiano Ronaldon nisi rrethi ynë vicioz, sepse paratë nga shitja e Pogba, i kemi shpenzuar për të paguar dy klauzola. Paratici në mars fliste se do të bënte 300 milionë nga ato (flitet për plusvalencat). Të betohem që shkoja në shtëpi dhe më vinte për të vjellë”, thotë ndër të tjera Cherubini.
Ndërkohë që trajneri Max Allegri në një bisedë me Cherubinin konfirmon se merkatoja e bërë nga Juventusi është bërë vetëm me paratë e ardhura nga plusvalencat. “Duhet të kuptosh se merkatoja e vitit të kaluar është bërë vetëm me plusvalenca, prandaj ishte një merkato e qelbur.”
Ndërkohë që Cherubini i përgjigjet: “Bravo! Si kemi arritur deri këtu? Afrime pa sens, investime të kota, përdorim i tepërt i plusvalencave. Në vitet e fundit është edhe faji jonë, Fabio ka droguar merkaton.”
Ndërkohë që Storari tregohet i qartë me të gjithë drejtuesit. “Tani duhet të sistemojmë të gjitha pisllëqet që ka lënë pas ai (Paratici)”, shton ish-portieri i Juventusit.
Lini një Përgjigje