PROFIL: Kush është Florin Bratu, trajneri i ardhshëm i Partizanit?

15 Qershor 2026, 12:50Sport TEMA
PROFIL: Kush është Florin Bratu, trajneri i ardhshëm i

Florin Bratu pritet të jetë trajneri i ri i Partizanit, duke sjellë në stolin e të kuqve një emër të njohur të futbollit rumun, me eksperiencë si lojtar dhe trajner.

Lajmin e ka përcjellë ekskluzivisht gazetari sportiv i Gaztës TemA, Fatjon Baze, i cili ka raportuar se tekniku pritet të mbërrijë së shpejti në Tiranë për të hedhur firmën në kontratë.

Por kush është Florin Bratu, trajneri i ardhshëm i Partizanit?

I lindur më 2 janar 1980 në Bukuresht, Bratu ka zhvilluar një karrierë të pasur si sulmues, duke luajtur për disa klube të rëndësishme në Europë. Ai ka qenë pjesë e skuadrave si Rapid Bukuresht, Dinamo Bukuresht, Galatasaray, Nantes dhe Valenciennes, ndërsa ka veshur edhe fanellën e kombëtares së Rumanisë.

Gjatë karrierës së tij si futbollist, Bratu është stërvitur nga emra të njohur të futbollit europian si Mircea Lucescu, Fatih Terim, Gheorghe Hagi, Walter Zenga dhe Mircea Rednic. Në nivel ndërkombëtar, ai ka qenë pjesë e kombëtares rumune, ku ka punuar me trajnerë si Victor Pițurcă dhe Anghel Iordănescu.

Pas tërheqjes nga futbolli i luajtur, Bratu nisi karrierën si trajner dhe zotëron licencën UEFA Pro, nivelin më të lartë të kualifikimit për trajnerët në Europë. Ai ka drejtuar disa skuadra në Rumani, ndërsa në vitin 2020 u vlerësua si trajneri më i ri në elitën e futbollit rumun.

Si trajner, Bratu preferon një futboll agresiv, me presion të lartë, rikuperim të shpejtë të topit dhe kontroll të lojës përmes posedimit. Ai është i njohur për fleksibilitetin taktik dhe përshtatjen e skemave sipas karakteristikave të futbollistëve që ka në dispozicion.

Gjatë karrierës së tij si lojtar, Bratu ka fituar titullin kampion të Rumanisë, Kupën e Rumanisë dhe disa Superkupa, ndërsa është vlerësuar edhe si sulmuesi më i mirë i kampionatit rumun në sezonin 2008-2009.

Me eksperiencën e krijuar si futbollist dhe trajner, Florin Bratu pritet të nisë një kapitull të ri në krye të Partizanit, me synimin për ta rikthyer skuadrën në garën për trofetë.

Lini një Përgjigje