Rregullat në tavolinën e Silvinjos…

14 Nëntor 2024, 19:28Sport TEMA
Rregullat në tavolinën e Silvinjos…

Nga Drilon Xhepollari

Natyrisht, tavolina e Silvinjos nuk është e lehtë. Në “pjatancën” e Kombëtares, disa duhet të përdorin pirunin, ndërsa të tjerë lejohen që të përdorin “duart”.

Pra, standardet nuk janë të njëjta, pavarësisht se “pecetat” e kuqe janë një domosdoshmëri.

“Pjatanca” me të cilën po përgatitet produkti për t’u përballur me Çekinë dhe Ukrainën, ka elementë nga të gjithë, por jo nga të njëjtat.

Silvinjo thotë se në tavolinën e tij duhet të vijnë vetëm lojtarët që luajnë rregullisht, por bileta kanë marrë edhe ata që nuk aktivizohen.

Por, natyrisht, standardi i dyfishtë i atyre që luajnë dhe atyre që nuk luajnë, prodhon debate në opinionin sportiv dhe vë në punë penën e gazetarëve, të cilët shikojnë me imtësi se si vijnë lojtarët në kombëtaren shqiptare.

Elseid Hysaj nuk grumbullohet nga Lazio, por në kombëtare luan titullar, ndërsa Adrian Bajrami dhe Jon Mersinaj, në këtë moment, nuk aktivizohen në klubet e tyre, ashtu si portieri Simon Simoni.

Nëse Hysaj ftohet për kontributin në të kaluarën, po portieri Etrit Berisha, që ka mbajtur shirtin e kapitenit, a duhet të ketë pretendime për të qenë pjesë e grupit?!

I detyruar nga dëmtimi i Berat Gjimshitit dhe Marash Kumbullës, Silvinjo thirri me shpejtësi mbrojtësit Adrian Bajrami dhe Jon Mersinaj.

Bajrami është grumbulluar shpesh në kombëtare, por te klubi i tij, Benfica, nuk aktivizohet. Në këtë sezon, ka luajtur vetëm 58’ minuta me ekipin B të Benfica-s në Ligën e Dytë.

E njëjta situatë është edhe me Mersinajn, i cili, ndonëse sezonin e shkuar ishte një element tepër i rëndësishëm te Lokomotiva, në këtë fushatë nuk po luan rregullisht.

Luftë me faktet nuk mund të bësh dhe Silvinjo e di, por ai insiston se kjo është lista më e mirë e mundshme.

Në këtë situatë, një emër që mund të ishte pjesë e kombëtares për repartin difensiv është Eneo Bitri, i cili luan tek ETO Gyor në Superligën e Hungarisë dhe mban shiritin e kapitenit.

Mbrojtësi beratas është ndër më të vlerësuarit në ligë, ndërsa ka shënuar edhe 3 gola në 11 paraqitje. Gjithashtu, u shpall edhe lojtari i muajit tetor.

Statistikat flasin vetë, por si duket Silvinjo nuk i ka qejf lojtarët nga Berati, pasi në Euro 2024 la jashtë Myrto Uzunin, edhe pse shënoi 11 gola në La Liga.

Ndërkaq, për sulmin pas dëmtimit të Manajt, një alternativë mund të ishte Cristian Shpendi, autori i 10 golave në Serie B. Ky i fundit kërkohet nga disa klube të rëndësishme në Itali dhe jo vetëm.

Alernativa mund të jenë dhe të tjerë. Natyrisht Silvinjo nuk duhet të ngelet vetëm te grupi që ka, pasi qëllimi është forcimi i kombëtares.

3 Komente

  1. f
    fotografi

    100% të drejtë ke,por formacionin nuk e përgatit Silvinjo,por Duka dhe po nuk u 'kollite' mirë nuk je në formacion. Të paktën këtë kam dëgjuar nga thashethemet në mesin e tifozëve ,që furnizohen me lajme nga 'gojët e liga'.. Portieri Berisha ,Bare,Çikalleshi e Uzuni i dhanë kualifikimin Shqipërisë në europian,por në portë futën Strakoshën ,birin e të atit,që s'bëri asgjë dhe ishte nga më të dobtit pas Hysaj. U harru psh Roshi,që ka dy sprinte e dy krose të sakta në fundore,u harru Sadiku ,sulmues goli që gjuan nga çdo pozicion. U harru Bare,që merrte inisiativa dhe e kalonte skudrën në sulm me shpejtësinë e tij. Nuk u alternun lojtarët 'e vjetër' me të rinjte,por u bën ndryshime radikale nën emrin e asaj se nuk luan në ekipin e vet,apo ska ekip,kur ne nuk e kemi këtë luks,se nuk jemi Brazili. Por futja në vazhdimsi e Hysaj,e rrëzon këtë argument,i cili edhe pse ka bërë mirë dikur dhe duhet të kishte eksperiencë,është lojtari i fundit 'nga të vjetrit' që duhet të rrinte dhe të jepte eksperiencë,sepse tani ai ka humbur vehten,por po revolton dhe tifozët, kur duhet të ikte me nder e i respektuar vet dhe kohë më parë,që para europianit,ku në ndeshjet e fundit miqsore para europianit, tregoi se nuk meritonte të vishte më bluzën e përfaqësueses së Shqipërisë. Gjatë eliminatorëve të Europianit,po gëzoheshim se kishim prurje ( talente te reja) në përfaqësuese,duke thënë se tani po kemi dhe stol ,fal konkurrencës,por dalngadalë kjo ka filluar të prishet rrugës,që filloi me grumbullimin në europian dhe që vazhdon sot e ksaj dite me 'goditje poshtë brezit' ,aq sa po ndikon në harmoninë e skuadrës,të nivelit të performancës së tyre me oshilacione,në paqartësinë e një skuadre që nuk ka një fizionomi loje,solide e serioze,por që 'përndiqet' nga rastësia,ku rezultatet vijnë nga veprime individuale të x lojtari ,që bën 'mrekulli' dhe kur n'a jep fitoren ,gjith skuadra nuk analizohet per performancen ,të metat e saj ,se medemek fituesi 'nuk gjykohet'. Dhe pas kësaj 'fryhemi' dhe hyjmë në ndeshjen e radhës si ekip i modh dhe 'rrifemi si gomari n'duhan'. E pra një ekip serioz e me fizionomi loje të qartë,ku lojtarët janë zgjedhur mirë e janë vënë në vendin e duhur e në kohën e duhur dhe me një taktikë të qartë dhe të ndryshueshme sipas ecurisë së ndeshjes,ne nuk po e shohim dhe ky është faji i trajnerit dhe stafit e deri te Duka. Ore nuk thotë kush që të fitojmë çdo ndeshje kur s'mundemi,por të paktën tē tregojmë që dimë të luajmë futboll,të tregojmë dëshirë e grint në çdo ndeshje,që edhe po humbe largohesh me kokën lart. Kjo do të vij vetëm kur fryma në FSHF do të ndryshojë dhe të mos ket as ndërhyrjen më të vogël prej saj,sepse po shohim futbollistët edhe pse shumica të rritur jashtë,pas dy tre ndeshjesh kanë një lloj stepjeje,që tregon anën psikologjike të dobët ,por dhe mos konkordancën,që vjen nga fryma brenda e stafit që përcillet negativisht tek lojtarët. Dhe më e keqja është se kjo frymë shkon edhe tek trajnerët e huaj që vijnë këtu,ku për këtë shembulli më konkret është Silvinjo,një trajner 'i trembur' gjithë kohës,i pavendosur në qëndimet e tij në aspektin profesional ,( formacioni dhe ndërhyrjet e dobta gjatë ndeshjes ),i pakuptueshëm në qëndrime kur humbet,me sllogane braziliani dhe i gëzuar 'si fëmijë' kur fiton ( se habitet edhe vet që fitoi rastësisht) ,aq sa dhe duket sikur pret ti japin 'akulloren' e premtuar. Po,trajnerët Bariç dhe De Biasi,ruajtën një personalitet të tillë,ku humbjet dhe fitoret kishin një pamje,skuadër serioze me fizionomi loje të përcaktuar mirë,paçka se nuk kishin prurje lojtarësh si sot,të cilët sot mjafton ti menaxhosh ,se talente ka.

    Përgjigjjuni
    1. T
      Tifoso

      Ke bere nje hartim shoku dhe kjo me duket paradoksale sepse llogjikon sikur jemi nje vend qe kualifikimin nuk e kemi diskutuar asnjehere por ne vazhdim te analizes tende kemi qene edhe per titull. Zoteri jemi ne Shqiperi dhe cdo arritje nga kushdo qofte eshte sukses prandaj dhe Silvinjo eshte pjese kryesore e ketij suksesi duke na kualifikuar me rezultate qe askush mund ta imagjinonte pasi kishte humbur dhe ballafaqimin e pare. Aludimi jot se Duka qenka prapa gjithe kesaj I jep merita presidentit dhe jo te tjereve qe punojne me perfaqesuesen sipas kesaj llogjike nuk paskemi nevoje per trajner mjafton Duka. Jo zoteri nuk eshte kaq e thjeshte kur vjen puna tek ndeshjet dhe niveli I kombetares ne behemi te gjithe trajnere dhe gjithkush sipas preferencave bejme formacionin ideal te munguar dhe pse nuk thirren filani apo fisteku nje ndeshje e mire apo nje gol I bukur I shenuar nuk eshte pashaporte per ne kombetare duhet me shume duhet qendrueshmeri aktivizim I perhershem qe pervec disave qe jane edhe stabel te tjereve u mungon plus edhe pershtatja sipas asaj qe ka ne koke trajneri. Zoteri ne nuk kemi arrituar akoma ne ate stad qe pretendohet ne analizen tende jemi akoma fillestare dhe shpejtimi demton procesin e rritjes, nxitimi na ka lene keta qe jemi marrim zjarr pernjehere dhe pas nje ndeshjeje te bukur pretendojme trofeun ne jemi vend i vogel dhe pa shume eksperience ne nivele te larta gjerat e mira behen ngadale dhe duke u ngutur. Te uroj gjithe te mirate respekte.

      Përgjigjjuni
    2. f
      fotografi

      E jotja shoku @ il tifoso..qenka më 'hartim' se e imja dhe për më shumë nuk më 'hodhe poshtë' me asnjë argument,që tregon se je i përciptë dhe nuk sheh përtej asaj që kam thënë,bile në fund 'më aprovove' se konkludove kënvështrimin tim por me fjalë konstatuese të tjera. Gjithsesi të respektoj dhe unë ,pavarsisht që ke marr 'mundimin' të më analizosh mua dhe jo përfaqësuesen.

      Përgjigjjuni

      Lini një Përgjigje