Talenti shqiptar në misionin e radhës, Mehmeti ndryshon skuadër dhe ngjit shkallët në futbollin britanik

31 Janar 2023, 13:35Sport TEMA

Talenti shqiptar në misionin e radhës, Mehmeti ndryshon skuadër

Anis Mehmeti pritet që të bëjë një hap përpara në karrierë, teksa mediat britanike raportojnë se sulmuesi do të vijojë karrierën e tij në Championship. Bristol City do të jetë skuadra e re e 22-vjeçarit, teksa është arritur akordi mes klubeve dhe lojtarit për këtë lëvizje.

Mehmeti ka zhvilluar një edicion fantastik në nivelin e tretë të futbollit anglez, duke qenë një nga lojtarët më të dalluar të Wycombe. 22-vjeçari ka luajtur 27 ndeshje, ndërsa është shënuesi më i mirë në skuadër me 9 gola, teksa ka shërbyer dhe 3 asist.

Edhe pse nuk janë bërë ende publike detajet e transferimit, Wycombe pritet që të përfitojë 1 milion euro, aq sa llogaritet dhe vlera e mesfushorit me tipare sulmuese. Mehmeti është aktivizuar dhe me skuadrën e 21-vjeçarëve të Shqipërisë e me hapin e ri në karrierë, mund të shtojë shanset e tij për të marrë ftesë nga trajneri Sylvinho, aq më tepër që për ndeshjen me Poloninë nuk do të jetë i gatshëm as Armando Broja.

Bristol City aktualisht ndodhet në vendin e 17-të të Championship e shpreson që me golat e Mehmetit të ngjitet sa më shumë në renditje, për të synuar pse jo dhe zonën e play-off.

Lini një Përgjigje