(Çelet sezoni turistik në Bashkinë Memaliaj)
Të artikuloje para 3-4 vitesh togfjalëshin “sezon turistik” në rrethinat e krahut verior të Bashkisë Memaliaj, ku shtrihet zona e Buzit, pavarësisht resurseve pafund që ajo ofron në këtë aspekt, me siguri që të quanin: “të marrë”. Sepse zinxhiri i halleve dhe problemeve bazike ishte kaq i gjatë, sa që në zhargonin popullor, banorët e këtushëm do të përgjigjeshin me humor: “… sa këtu e në Berat”!? Por, prej dy-tre vitesh, që kur është ngritur “Vila Sofia” në Gëllavë, dhe Bashkia e drejtuar nga Gjolek Guci, ka filluar të vërë dorë në infrastrukturën rrugore, ky është një realitet i prekshëm…
5 maj 2023. Ditë nderimi për sakrificën sublime, të atyre që i “… kish rritur nëna për një botë të re”. Ky rit nderues, është thjesht një moment ceremonial ndaj njerëzve që i duheshin, jo vetëm kohës që i lindi, por dhe brezave, tek të cilët do materializohej ëndërra e tyre. Në fakt, nderimi i vërtetë ndodh çdo ditë; nëpërmjet reflektimit, përkushtimit dhe inspirimit, që përcjell akti i tyre heroik, në punën e gjithësecilit prej nesh; për zhvillim, mirëqënie dhe dinjitet njerëzor. Vetëm në këtë mënyrë, gjithkush është më i motivuar dhe më i qartë për të ardhmen që ndërton, edhe në rastet kur një gjë e tillë duhet bërë përmes vështirësish të panumërta, duke sakrifikuar në “terrin” e periferive urbane, larg shkëlqimit dhe reklamave joshëse të qyteteve. Madje kur ke fisnikërinë, vizionin, formimin dhe vlerësimin e duhur; mund të ndërtosh vepra të atilla, që tërheqin vëmëndjen e individëve dhe autoriteteve, të cilëve u kanë parë sytë mrekullira anë e mbanë botës. Vila Sofia në fshatin e largët Gëllavë të Bashkisë Memaliaj është një ndër këto “vepra”, e ndërtuar, fund e krye, me “gurë sakrificash”, të mbartuar në shpina guximtarësh të rrallë, siç është dhe biznesmeni Hetem Barjami, bir i këtyre anëve, së bashku me bashkëshorten e tij - Natashën. Në kufijtë e të paimagjinueshmes është iniciativa sakrifikuese e këtij çifti; jo se lanë komoditetin e rehatisë që ofronte vila e tyre familjare në Pezë Helmës të Tiranës, por sepse në mes të pandemisë “Covid 19”, kur gjithë botës i vinte mendja vërdallë, se “ku të fuste kokën”, u shpërngulën në “humbëtirën” e “Tre Çukave të Gëllavës”, për të ngritur atje, biznesin e “Vila Sofia”. Qoftë, dhe vetëm për këtë arsye, vepra të tilla meritojnë një nderim të veçant, siç iu bë në fakt, në 5 maj, nga “Numëri Një” i Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, znj. Mirela Kumbaro, në ceremoninë e organizuar aty nga Bashkia Memaliaj me rastin e çeljes së sezonit turistik të këtij viti. Zonja Kumbaro (Furxhi) në këtë ceremoni, më shumë se sa si Ministre, u shfaq si një “Oficere e Nderit në Art dhe Kulturë”, si përkthyese e jetëve njerëzore të personazheve të Milan Kunderës dhe një personalitet me ndjeshmëri të thellë sociale. Përndryshe, simbolika e zgjedhjes së vendit dhe datës, nuk do të kishin kuptim. Prurjet e “Vila Sofia” janë një “pikë ujë” në oqeanin e buxhetit turistik të vendit, ndaj në aspektin burokratiko-institucional, udhëtimi për më shumë se 3 orë, nga Tirana në lartësitë e “Tri Çukave të Gëllavës”, nuk është gjë tjetër, veçse “një rrugë e mundimshme drejt njohjes” së vështirësive dhe sakrificave, ku trupi dhe truri lodhen edhe për mungesë mbështetjeje apo vlerësimi. Dhe kjo gjë nuk mund të bëhej në ditë tjetër, përveç në 5 maj; sigurisht nga një ministre, që udhën për tek posti zyrtar e bën gjithnjë së bashku me fjalën e urtë, të ndjerë, të mençur e plotë fisnikëri. Edhe tek “Vila Sofia” së bashku ishin…
Është i dyti vit radhazi, që edhe Bashkia Memaliaj ndjek traditën e çeljes së sezonit turistik, tek po i njëjti vend; në ambientet e “Vila Sofia”. Ndoshta fjala e ministres Kumbaro, prania e saj; u bën shkak, që këtë here, çelja e sezonit turistik në Bashkinë Memaliaj, të shndërrohej në një festë të vërtetë; pse jo në një dasëm të madhe, me pjesmarrjen e banorëve vendas, miqve dhe të ftuarve të tjerë. Të zotët e shtëpisë, Hetemi me Natashën qenë kujdesur, që të mos mungonte asgjë: mishi i pjekur, mezetë dhe gatimet tradicionale me prodhimet bio të fshatit, vera dhe rakia, këngëtarët më të njohur tepelenas (Golik Jaupi, Ylli Baka e Klodian Rama), dhuratat për miqtë, etj.
Ceremonia filloi, pasi znj. Kumbaro bëri një vizitë të shkurtër në ambientet akomoduese të “Vila Sofia”, që këtë sezon janë shtuar e zgjeruar më tej. Përshtypjet e krijuara prej saj ishin tepër mbreslënëse; sa reale aq dhe profesionale. Dhe në këtë aspekt, ajo është një profesioniste e klasit të parë, gjë që reflektohet edhe tek bumi turistik i viteve të fundit në Shqipëri; me shtim të kapaciteteve akomoduese, numrit të turistëve dhe të ardhurave buxhetore nga ky aktivitet i rëndësishëm ekonomik.
Kryetari i Bashkisë Memaliaj, Gjolek Guci, i cili kandidon për një mandat të dytë në zgjedhjet e 14 majit, përshëndeti të pranishmit dhe ju uroi atyre, një verë të mbarë! Foli shkurt, si gjithnjë. Sepse gjatë për të, ka filluar të flas puna, të flasin arritjet. Para Gjolekës, turizmi për memaljotët, ishte thjeshtë një fjalë e dëgjuar rutinshëm në media; tani është një destinacion, një aktivitet ekonomik. Vitin e kaluar numri i turistëve që vizituan këtë njësi administrative, ende nga më të varfërat në vend, ishte mbi 10 200 vetë, gati sa gjysma e popullsisë së kësaj bashkie. Pra, sipas një llogarie të thjeshtë, kemi një turtist për çdo dy banorë. Dhe për kushtet e Bashkisë Memaliaj, kjo nuk është pak. Flas në raport me kushtet infrastukturore, nga më të prapambeturat në Shqipëri, nëse përjashtojmë fshtrat që ndodhen në anë rrugës nacionale Levan-Tepelenë. Fakt është, se në 30 e ca vite demokraci, vetëm këto 4 vitet e fundit, nën drejtimin e Gjolek Gucit janë rehabilituar e asfaltuar mbi 30 km rrugë fshatrave të kësaj bashkie. Dihet, që pa infrastukturë rrugore, nuk ka as jetesë normale, jo më turizëm. Largimin masiv të njerëzve nga fshtarat e kësaj zone, e ka shkaktuar pikërisht mungesa e infrastrukturës rrugore dhe i asaj energjitike, në disa raste. Kjo ishte arsyeja, që fjala e deputetit të zonës, Laert Duraj u prit me ovacione të jashtëzakonshme nga të pranishmit, teksa ai dha lajmin e shumëpritur për shprehjen e interest, lidhur me mbledhjen e ofertave për tenderin e ndërtimit të segmentit rrugor Ballban-Buz, të rrugës së vjetër Këlcyrë-Berat, që kalon mes përmes krahinës së Buzit.
Është pikërisht kjo zonë, ku ndodhet dhe “Vila Sofia”, që ka potencialet turistike më të mëdha të krejt kësaj njësie administrative, ashtu siç janë evidentuar, tash së fundi, edhe në faqen zyrtare të Bashkisë Memaliaj. Kjo zonë shtrihet prej majës së Trebeshinës në Jug deri tek “Tre Çukat e Gëllavës” në Veri. Vetëm këto dy lokacione po të marrin, evidentojmë një sërë destinacionesh turistike. Siç dihet, Mali i Trebeshinës shtrihet prej Qafës së Kiçokut dhe deri në Grykën e Këlcyrës, në një gjatësi të përgjithshme prej 20.5 kilometra. Kurrizi i tij vjen gati i sheshtë, me amplituda të vogla të lartësive relative dhe është shumë i përshtatshëm për hiking, sidomos në sezonin e verës. Aty rritet në sasi të konsiderueshme bima mjekësore e çajit të malit, e cila dallohet njëkohësisht edhe për cilësinë e saj mjaft të mirë, ku shumë grumbullues bimësh mjekësore, madje të ardhur që nga rajonet e Beratit, ngrenë aty çadra dhe punojnë për muaj me radhë. Ndërkohë, pika të veçanta të këtij mali, duke filluar me Qafën e Kiçokut, janë “dëshmitarë historikë” të një prej luftrave më të përgjakshme, që ka ndodhur në mesin e shekullit të kaluar, midis ushtrisë greke dhe asaj italiane. Kur, për shumë arsye, njerëzit shkelnin në lartësitë e Trebeshinës, bëheshin dëshmitarë të prezencës së gjyleve të artilerisë italiane, mbetur aty si trofe të pashpërthyera të kësaj lufte, të cilat barinjtë i përdornin më vonë edhe për të rrethuar vatha bagëtishë në stinën e verës. Nga ana tjetër, në anën perëndimore të tij, ku shtrihet dhe fshati Arrëz e Vogël, ndodhen dy nga tunelet-bukner më të mëdhenjë të kohës së komunizmit, që së bashku me katër bunker të tjerë të këtyre përmasave në Buz dhe Gëllavë, i shtohen hartës së destinacioneve turistike të kësaj zone. Hidhemi në krahun tjetër, tek “Tre Çukat e Gëllavës”, maja më e lartë e të cilave, mbi 1000 metra lartësi, bën të mundur, që të shohësh në 360 gradë: ishullin e Sazanin, qytetin e Fierit, Beratin, Kuçovën, Tepelenën, Memaliajn, Gjirokastrën, Delvinën, Sarandën, etj. I ndodhur në këto lartësi, frymëshkëmbimi të qetësohet në atë farë feje, sa që të duket se, kur librat e shenjtë përmendin parajsën, përshkruajnë pikërisht këto vise.
Në njerën nga “Tre Çukat e Gëllavës”, tek një lisë shumëvjeçar, që mban të gdhendur në trungun e tij figurën e një zemre, gjendet e ashtuquajtura “Pema e dashurisë”. Mendohet se kjo është “vepër” e ushtarëve italianë, që të ndodhur larg familjeve dhe të dashurave të tyre, kanë gdhendur në trungun e pemës këtë simbol dashurie. Vetë fshati Gllavë është një vendbanim i shekullit të pestë të Erës Sonë, pra me një histori mbi 1500 vjeçare, e cila përbën një periudhë të gjatë kohore, mbushur plotë mistere interesante për t’u zbuluar e eksploruar. “Shkëmbi i Bardhë” i Hoxhajve, dhe në mënyrë të veçantë “Shkëmbi i Dokos” buzë lumit të Maricaj, që arrin lartësinë 20 m, në brendësi të të cilit gjëndet një guvë e madhe, është ende e pa ekspoluar dhe apelon për ekspertizë serioze profesionale. Flitet për ekzistencën e një kishe brenda shkëmbit, gjë që e dëshmojnë edhe pikturat e vjetra murale me figura shënjtorësh në faqet e saj. Rrënojat arkeologjike të Rabijes, Ura dhe Ujëvara e Gigovës në fshatin Selckë e Madhe, liqenet artificial të Komarit, Rozeçit, Hauzit, Shalësit, Izvorit, etj., janë gjithashtu disa destinacione të tjera turistike, të evidentuara këto vitet e fundit, pas ndërtimit të “Vila Sofia” dhe drejtimit të Bashkisë Memaliaj nga Gjolek Guci. Por që të gjitha këto destinacione, përfshi dhe iniciativën e Shoqatës “Tafil Buzi” për ndërtimin e Muzeut historik për figurën e Tafil Buzit, kërkojnë investime të tjera publike dhe rrugë të dedikuara, përveç rrugës Ballaban-Berat, që, më së fundi, po bëhet realitet.
Hapat e hedhur deri tani, sidomos këto 3-4 vitet e fundit janë shpresëdhënës. Hijet e dyshimeve të së kaluarës kanë filluar të veniten. Kanë nisur të braktisen rrugët e marrëzisë, të ikjes nga sytë këmbët. Rrugët e rikthimit kanë nisur të shtrohen. Po shtrohen dhe do të shtohen, së bashku me shpresën. Arsyeja po i fton njerëzit drejt traditës, që në këtë pjesë të “Toskërisë së vogël”, siç e quante Sami Frashëri gjithë zonën e Bashkisë Memaliaj, është ndër visaret më të mira shqiptare. Ajo i fton të ulen këmbëkryq në tokën e të parëve, por jo të rrinë duarkryq…
Se vetëm kështu do të vij një kohë që njerëzit e këtyre anëve të thonë: “E para ishte… Vila Sofia”, ndonëse sipas Dhiatës së Vjetër, më e para nga të gjitha ishte fjala. Por “Vila Sofia” është “Dhjata e Re” e fjalës “punë”. Ashtu si fjala dikur, edhe puna sot, reflektojnë një realitetit të caktuar. Të dyja, si fjala dhe puna kanë me të vërtetë fuqi, por shpeshherë ato janë vetë fuqia. Vërtetë fjalët të çojnë tek imagjinata, por është puna që e materializon atë, si ndodhi dhe me investimin privat të çiftit Barjami në Gëllavë. Përveçse dëshmi e punës plotë përkushtim e sakrifica, ai investim është edhe një farë fati për atë zonë të braktisur e lënë në harresë, kohë pas kohe. Në një shkrim të mëparshëm, me titull: “Vila Sofia, agrobiznesi që ringjalli zonën e Buzit”, kam folur folur gjerë e gjatë për këtë iniciativë të rrallë investuese, të cilës, në këtë ditë të çeljes së sezonit turistik për vitin 2023 nga Bashkia Memaliaj, po i zbres mbi krye ylberin e këngës, së krijuar dhe kënduar në këtë ceremoni mbreslënëse nga bilbili i Labërisë, Golik Jaupi:
Në Gëllavën e historisë,
Këtu ku ke pirë sisë,
Hetem Barjami nga fis,
Ngriti Vilën e Sofisë.
Këtu në mes bukurisë,
Si në gji të Perëndisë,
Në 5 majin e Lavdisë,
Hapet sezoni i Bashkisë.
Në oazin buzë ballkoni,
Sot këtu hapet sezoni,
Këngë e valle të këndoni,
“Gëzuar!”, njëzëri thoni.
Zoti Hetem, me avash,
Bashkë me zonjën Natashë,
Ka ndërtuar një oaz,
Në kufi të “Tri Vagas”.
Gëzuar Hetem Barjami!,
Kështu e kërkon vatani,
Nga Eno, nga Erandi,
E gëzofshi djalë pas djali!
Patriot dhe atdhetar,
Nga Guri i Babës pa ndarë,
Kështu si “Vila Sofia”,
U bëftë e gjithë Shqipëria!
Lini një Përgjigje