Turizmi në Berat, mes arritjes dhe rrezikut për dështim

19 Gusht 2022, 11:29Turizëm Namir Lapardhaja

Turizmi në Berat, mes arritjes dhe rrezikut për dështim

Si asnjëherë më parë, Berati këtë periudhë ka qenë i tejmbushur me turistë, vendas dhe të huaj. Ky numër i madh vizitorësh nuk është meritë e pushtetit, por e qytetit. Qysh në shek. XVII, Berati do t’i linte përshtypje të veçantë kronikanit të vjetër osman, Evlia Çelebiut, i cili në “Sejahatname-në” e tij do të shënonte: “Berati është qytet madhështor, me lulishte parajsore dhe me një Kala të shkëlqyer.”

“Shtëpia e kafes Gimi”, lokali ku shpeshherë ulem për kafenë e mëngjesit, është plot me të huaj. Aty dëgjon një larmishmëri gjuhësh, sheh një llojshmëri racash dhe kombesh dhe jo rrallëherë të qëllon të jesh shqiptari i vetëm në atë ambient që i tejkalon kërkesat evropiane të konsumimit të kafesë. E njëjta situatë shfaqet edhe në lokalet e tjerë të pedonales, të cilët gjatë kësaj kohe janë të tejmbushur. Po ashtu, paraqitet gjendja me hotelet, hostelet, bujtinat dhe shtëpitë e pritjes, të cilat, sipas pronarëve të tyre, gjatë muajit gusht kanë qenë të pronotuara plotësisht dhe nuk kanë pasur më kapacitete pritjeje.

Fatmirësisht që prej futjes së qytetit në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s, interesimi i të huajve ka ardhur në rritje, ku bumi më i madh është arritur vitet e fundit.
Ndonëse pushteti qendror dhe ai lokal mund të vetëmburren dhe ta paraqesin si arritje, e vërteta është se në shumicën e rasteve ata nuk kanë asnjë lloj merite.

Që turizmi ka marrë këto përmasa një kontribut të çmuar kanë dhënë agjensitë turistike, që e kanë renditur Beratin në majën e listës së qyteteve që duhen vizituar në vendin tonë. Gjithashtu, edhe investitorët privat, që kanë kontribuar në fushën e hoteleri-turizmit, të cilët, përveçse pengesave të mëdha dhe rritjes së tarifave lokale, nuk marrin asnjë ndihmë nga pushteti. Madje, shpeshherë, nuk gjejnë një vesh që t’i dëgjojë shqetësimet e tyre. Një ndër të cilat është konkurrenca e pandershme dhe mosformalizimi i plotë i këtij sektori.
Edhe pse ka një numër të madh turistësh, me rëndësi ngelet që kjo rritje të mos jetë vetëm në muajin gusht apo gjatë muajve të tjerë të verës, por mundësisht të shtrihet, ndofta me intesitete më të vogla, gjatë gjithë vitit. Vetëm një turizëm i vijueshëm mund të justifikojë investimet e mëdha që ende vijojnë në këtë sektor të rëndësishëm për ekonominë e qytetit. Sfidë tjetër në këtë drejtim ngelet ofrimi i mundësive për turistët vendas dhe të huaj, në mënyrë që të mos qëndrojnë për një periudhë të shkurtër apo të jenë ditor në Berat, por të kenë arsye për të qëndruar më gjatë. Që të realizohet kjo, është e nevojshme t’u ofrohet diçka përtej mureve dhe gurëve të Kalasë dhe të lagjeve muzeale. Një gjë e tillë kërkon vizion dhe strategji të qartë, çka do të kërkonte që investimet në Berat të mos orientohen në gjëra pa rëndësi, por të fokusohen pikërisht në sektorin e turizmit, si e vetmja perspektiv e sigurt për ekonominë e qytetit.

Pavarësisht se, në përgjithësi, situata paraqitet e kënaqshme, sërish ka një mori problematikash, që mund të përmirësohen me ndihmën e pushtetit qendor dhe vendor, të cilët në këtë panoramë janë, thuajse, inekzistentë.

Të dielën që shkoi vizitova Kalanë e qytetit dhe, siç thotë shprehja popullore, “nuk kishte vend ku të hidhje kokrrën e mollës” nga numri i shumtë i vizitorëve. Pa më të voglin ekzagjerim, Kalaja ishte plot, mirëpo mbizotëronte një kaos i madh. Makina që kishin tejmbushur pjesën e brendshme të kështjellës, të parkuara pa asnjë rregull - mungon një parking në zonën e Kalasë, por, edhe në mungesë të tij, nevojitet një sistemim i tyre, ose mundësisht moslejimi në këtë zonë, përveçse të atyre që banojnë; ferra dhe barishte në të gjithë rrugicat e brendshme, pa asnjë lloj mirëmbajtjeje dhe përkujdesi, të shoqëruara në masë të madhe nga jashtëshqitje kafshësh, plehra dhe papastërtish të tjera, dhe, si për të mos mjaftuar të gjitha këto, një muzikë e lartë tallava që vinte nga brendësia e një banese dhe përhapej në të gjithë hapësirën lindore të Kalasë, pa u mbyllur për asnjë moment të paradites. Një shëmti e vërtetë estetike për veshët e atyre që e dëgjonin.

Përveç këtyre problematikave, në dukje, të vogla, Kalaja e Beratit ka nevojë për investime të mëdha dhe serioze, për shkak të amortizimit, por edhe përkujdesjes dhe mirëmbajtjes së vazhdueshme. Ajo ka nevojë të mirëmbahet, shtëpitë kanë nevojë jo vetëm për investime në fasadën e jashtme, por, mbi të gjitha, për ruajtjen e pasurisë dhe vlerave të brendshme që ato mbartin. Gjithashtu, kështjella vijon të jetë një thesar ende i pazbuluar plotësisht përsa i përket gërmimeve arkeologjike.

E njëjta situatë kaotike paraqitet edhe poshtë në qytet, ku prej vitesh investimet e filluara në qendër dhe në lagjet muzeale vijojnë të mos kenë asnjë afat konkret përfundimi, çka bën që çdo sezon turistik të paraqitet e njëjta gjendje e rrëmujshme. Berati, githashtu, mund të jetë i vetmi qytet turistik në planet që nuk ka banjo publike për vizitorët – përveç tualeteve të lokaleve – dhe çezma publike për të shuar etjen në ditë të nxehta. Për të mos folur pastaj për bashkëjetesën mes frikës dhe kërcënimit të njerëzve dhe qenve në shëtitoren e vetme të qytetit.

Dhe meqë e nisëm me Evlia Çelebiun, madhështia e qytetit të Beratit duhet të vijojë të mbrohet me fanatizëm, siç është trashëguar nga të parët ndër shekuj, por lulishtet duhen ribërë ose të krijohen të reja, për shkak se investimi i vitit 2014 i shkatërroi të dy lulishtet kryesore: asaj në qendër i zhduku hijen, ka pemë, por s'ka hije dhe të përvëlon dielli, ndërsa atë në Çelepias, duke i nxjerrë rrënjët pishave, gati njëshekullore, dhe duke i mbushur me çakull dhe beton, çka ka bërë që sot shumica e tyre të jenë tharë. Sa për Kalanë, ajo do jetë dëshmitare e shumë ngjarjeve dhe njerëzve në të ardhmen, ashtu siç ka qenë e tillë prej shekujsh edhe në të kaluarën e largët.

Lini një Përgjigje