I ka mbetur një si fat i keq. Sa herë i bën alarmi ai menjëherë brof në këmbë duke pandehur se është alarmi “thirrje për zjarr”. Kështu vepron gjithmonë, pasi profesioni ia ka lënë këtë shprehi “dhuratë”.
Për dyzet e një vjet me radhë ai nuk iu nda punës si zjarrfikës. Nuk u tremb as kur pati zjarre të mëdha e lëre më ata të vegjlit.
Ky është zjarrfikësi gjashtëdhjetedyvjeçar Vehbi Maloku, i cili tash e dyzet e një vjet bën punën e zjarrfikësit në Brigadën e kryeqytetit. Ai është më i moshuari, me më së shumti përvojë. Madje për nga mosha, thotë, është zjarrfikësi kampion në tërë Kosovën. Para disa muajsh ai ka mbushur 62 vjeç dhe, sipas ligjit, i kanë mbetur edhe dy vjet e gjysmë dhe do të dalë në pension.
Derisa rrëfen peripecitë e jetës dhe të punës, me një qartësi mahnitëse nganjëherë ndalet dhe duke buzëqeshur, përsërit me bindje se nuk i bie pishman që kishte zgjedhur këtë punë të përballjes me zjarret.
Fakti se do të punojë edhe dy vjet e gjysmë e bën të mos ndjehet mirë, pasi i duket se shumë pak kohë i ka mbetur. Jo pse ashtu makinist shprehen edhe të tjerët, Vehbiu thotë se nëse do të kthehej koha mbrapa, ai përsëri do të bëhej zjarrfikës. Jo se ky profesion ka ndonjë farë luksi apo para të majme pasi që merr vetëm 300 euro, apo diçka tjetër.., por thjeshtë, sepse e do këtë punë.
Se është profesion human, me përgjegjësi që të shpëtojë jetë duke shuar zjarre.. Edhe pse pothuajse tërë jetën ia kushtoi këtij profesioni, atij vazhdon të mos i paguhet mundi sa duhet. Kur ishte përcaktuar për këtë punë askush nuk i kishte folur mirë apo keq për këtë profesion. Thjesht, kishte konkurruar rastësisht.
”Në vitin 1970”, …. dhe pasi ndalet pak, si duke u kujtuar, “ me një gusht 1970, kur kam qenë vetëm 21 vjeç kam filluar punën si zjarrfikës. E pashë konkursin dhe aplikova pasi në atë kohë isha kthyer nga shërbimi ushtarak”, tha ai.
Ai nuk ka ndonjë shkollim të lartë. Më në fund, puna e zjarrfikësit nuk do ndonjë shkollë por më shumë guxim dhe vullnet për të shpëtuar të tjerët. “Asgjë nuk kam mbetur keq, edhe me këtë shkollim që kam pasur, pasi që kur fillova punën, kemi mbajtur disa trajnime nga disa zjarrfikës më të vjetër atë kohë..”, shprehet Vehbiu.
Ai tregon se ka marrë pjesë në shumë ushtrime në garë për shpejtësinë e vozitjes në rast të zjarreve. Bashkë me të ishin pranuar edhe dy shqiptarë të tjerë si dhe një serb. Në atë kohë ka pasur edhe serbë, por atëkohë nuk u kanë sjellë ndonjë problem. Dhe shoqëria atëherë, pa marrë parasysh përkatësinë, ka qenë shumë më e mirë se tash.
“Pa marrë parasysh shqiptarë a serbë, kemi kaluar mirë, shumë më mirë se sa tash që kalojnë në përgjithësi kolegët në punë”, thotë ai.
Ai rrëfen për shumë raste të vështira të zjarreve, por thotë se ato i ka mbajtur për vete dhe asnjëherë emocionet nuk i kanë sjellë vështirësi në punë.
“Jo, nuk kam hasur në vështirësi edhe pse ndoshta ka qenë rast shumë i ndërlikuar , thjesht kam vepruar shumë shpejt”, tregon ai. Por, emocionet kanë filluar t’i pengojnë tash në moshën e pleqërisë. Shumë herë gjatë rrëfimit i duhet të ndalet pak.. pasi që preket nga rastet që i sheh. Ai gjatë gjithë viteve të punës ka pasur shumë intervenime, 12, 13 mijë apo edhe më shumë.
” Më kujtohet një rast, një zjarr i madh që kishte përfshirë një shtëpi në një lagje të kryeqytetit, nuk më kujtohet saktësisht viti…
Ne kemi filluar ta shuajmë zjarrin, por për të shpëtuar jetë ka qenë shumë vonë…pasi kur kemi mbërrit ne veç ishte djegur një viktimë brenda shtëpisë.. Ka qenë shumë e vështirë, shumë e rëndë kur e kemi parë njeriun krejt të djegur…Të gjithë kemi mbetur të shokuar”, shprehet ai. Rast tjetër, po ashtu i rëndë që atij i kujtohet ishte një aksident në të cilin njëra veturë është djegur bashkë me një femër brenda.
“Tash, në vitet e pasluftës, ishte lajmëruar për një aksident në qytet ku është djegur njëra veturë . Zjarri ka qenë shumë i madh. Kur kemi arritur kemi vrapuar ta shuajmë zjarrin, ndërsa një viktimë femër ishte djegur aq shumë sa që mezi e kemi identifikuar”, tregon ai.
Sipas Vehbiut, shkaktarët më të mëdhenj të zjarrit, sidomos në vitet e pas luftës, janë bombolat e gazit, qirinjtë e ndezur e të harruar, etj.
Gjatë këtyre viteve sa ka punuar Vehbiu, jo rrallë i ka ndodhur të shkojë në shtëpi me vonesë apo edhe të mos mund shkojë fare. Sidomos gjatë viteve kur okupatori serb pati vendosur orën policore, nuk ka guxuar të dalë në ato orë në rrugë.
“Për 21 vjet kam udhëtuar nga Bradashi për në Prishtinë.Ka qenë shumë e vështirë. Më kujtohet njëherë…një javë nuk kam shkuar në shtëpi për shkak se ishte ora policore, dhe nuk guxonim të dilnim në atë orë”, tregon ai.
Vehbiu pas dy dekadave udhëtimi a prej para njëzet viteve është bërë prishtinas. Ai tani jeton në kryeqytet. Dhe përkundër të gjitha këtyre përjetimeve, lodhjeve, mundimeve e rreziqeve me të cilat është përballur, ai thotë se kurrë nuk është ndier keq.
“Nuk jam pishman që kam punuar për kaq shumë vite si zjarrfikës. Keq po ndihem vetëm se jam plakur . E kam dashur këtë profesion dhe do ta dua deri sa të jem gjallë”, thotë ai.
Edhe kur të dalë në pension, thotë ai, në rast se diku do të shohë zjarr, do ta ketë të njëjtën ndjenjë, që të vrapojë dhe ofrojë ndihmë, edhe pse pa helmetë e rroba zjarrfikësish, të cilat i ka mbathur tash e katër dekada.
Çdo herë ka pasur intervenime
Vehbiu thotë se nuk i kujtohet që të ketë kryer ndërrimin e të mos ketë pasur nevojë për intervenime.
“Gjatë dymbëdhjetë orëve sa kemi punuar, nuk ka pasur natë që nuk kemi intervenuar, së paku në një rast zjarri..”, tregon ai . Në atë kohë, tregon ai, nuk kanë pasur kamionë të mjaftueshëm, dy -.tre , jo më shumë, ndërsa u është dashur të intervenojnë edhe në disa komuna tjera përveç Prishtinës. E mira ndër vështirësitë e shumta të zjarreve kanë qenë rrugët e liruara e jo sikurse tash që në të shumtën e rasteve janë të bllokuara.
Por, edhe përkundër vështirësive, thotë ai, ia kanë dalë pasi edhe atëherë edhe tash , mbizotëron vullneti për punë.
“Nëse me të vërtet e do punën dhe ke vullnet, të gjitha pengesat dhe problemet i përballon “, thotë ai. Në raste urgjente, kur ka rast zjarri, rregullat e komunikacionit për zjarrfikësit nuk vlejnë, natyrisht pa rrezikuar ndokënd.
“Nëse nuk rrezikojmë ndokënd, jemi të detyruar, por edhe të lejuar të vozisim edhe në trotuare. Edhe nëse është semafori i kuq, pasi “dikush “ është duke luftuar me zjarrin dhe jeta mund t’i varet nga ne”, shprehet Vehbiu.
Familje zjarrfikësish
Në familjen e Vehbi Malokut, i cili me prejardhje është nga Bradashi i Podujevës, nuk është vetëm një zjarrfikës. Edhe djali i tij i dytë tashmë ka marrë këtë rrugë, apo zanatin e babait. Vehbiu thotë se ai këtë e ka përzgjedhur vetë, përkatësisht askush nuk ia ka imponuar. “Jo, nuk ia kam imponuar. Thjesht, kështu ka dashur dhe është bërë”, thotë Vehbiu./zeri
Me vjen mire per zjarrfiksin ne fjale, per dashukrine dhe perkushtimin . Do te thosha se ky sherbim ne Kosove ka nje profil te qarte ndryshe nga ketu ne Shqiperi , qe cdo here qe nderrohen qeverite mbushen repartet zjarrfikse me militante te pa afte dhe vetem sa per te marre rrogen, kjo ndikon ne cilesine e sherbimit ndaj njerzve dhe mos vleresimin e jetes se tyre.
PMNZSH-ja ketu ne Shqiperi eshte ne pozite te veshtire duke filluar nga Ligji organik qe duhet ndryshuar sa me shpejt, efektivi i pa mjaftushem , mjetet e amortizuara, paisje per shpetim & aksesore , trainime etj.
Ketu ne Shqip ka pasur dhe ka efektiv te perkushtuar qe e duan profesionin e zjarrfiksit po te ne nuk ka siguri se nuk kane ngrene dot pensionin si i futen ne “liste”
Mbase ky viti 2012 sjell ndryshime per mire per Zjarrfiksirt ne Shqiperi .Le te bejne qeveritaret nje pune te mire si me Ligjin per pensionin e parakohshem qe eshte nje arritje e madhe, po nuk mjafton.
Mu ba qefi qe i lexova keto pak rreshta tuat se kesh tue kerkue nej fotografi tanden me muer malli me te pa pak por u knaqa veq me kto rreshta te gazetes.Te pershendet shum Fatmir Durmishi