Ajo që jetojmë sot

26 Shtator 2013, 17:43Blog TEMA

Nga Magdalena Ramohito

 

“Gjithmonë në të gjitha kohërat ngrihet lart me mburrje rëndësia e atyre virtyteve, për të cilat nuk e kemi vrarë fare mendjen: i pasuri flet për nevojën, dembeli për dinjitetin e punës”

(Oscar Wilde)

 

Në fakt ne i përkasim një të shkuare, e cila s’duhej të kish qenë, e tanishmja është kjo që s’duhet të jetë; e ardhmja është kjo që janë artistët… është diçka e pranuar në mënyrë konsensuale nga pjesa inteligjente e çdo shoqërie, e cila është e aftë të ngrihet shumë lart shpirtërisht… Ashtu siç është pranuar se fantazia dhe filistinizmi janë dy gjëra krejt të kundërta me njëra-tjetrën, por që në shoqëritë si kjo e jona ngatërrohen diku qëllimisht e diku si ‘majmunëri’, sepse fantazia është ajo që ndriçon botën, ndërsa filistinizmi s’është gjë tjetër veçse ajo anë e natyrës njerëzore e ndriçuar keq prej saj.

 

Kjo që po jetojmë është filistinizëm?

Ne vijmë nga një sistem që tentoi të ndërtohej mbi qëndrueshmërinë e vlerave të shoqërisë e jo mbi perspektivën e zhvillimit të saj, dhe si e tillë ajo ishte një shoqëri egoiste, sepse egoist nuk është ai që mendon vetëm për veten e tij (siç na mësohej nëpërmjet lëndëve të shpëlarjes së trurit në atë kohë), por ai, i cili kërkon që, të tjerët të mendojnë atë që do ai.

Në atë kohë, kur na kërkohej që të mendonim dhe si rrjedhojë edhe të vepronim siç donte sistemi politik i kohës, gjithkush që tentonte për të qenë vetvetja nëpërmjet sjelljes, veshjes, apo të shprehurit në mënyrë të ndershme, konsiderohej si një njeri kriminel, i cili përveç dënimit personal, penalizonte gjithë të afërmit e tij në atë kohë, por që pasojat duket se nuk ishin aq afatshkurtra për të vetë, të afërmit e tij, por edhe për breza të tjerë.

Ne vijmë nga ajo kohë, kur simpatitë midis njërit- tjetrit nuk krijoheshin mbi një bazë gëzimi, në mënyrë që prej gëzimit edhe vetë simpatitë të rriteshin e t’i rezistonin kohërave, përkundrazi, simpatitë tona lindnin mbi bazë dhimbjesh, të cilat sigurisht nuk mund të rrisnin dot masën e dhimbjes së tjetrit, por që të paktën arrinin të ndihmonin tjetrin të mund ta duronte atë. Në atë kohë në atë ‘shportën’ e normave morale, suksesi personal ishte diçka borgjeze, e keqe, e huaj, madje më kujtohet mirë në kohën e gjimnazit qarkullonte një libër fantastiko-shkencor me titullin “Udhëtimet e kapitenit Hateras”, i cili nuk lejohej në qarkullim të lirë, por që arrinim ta lexonim pikërisht në moshën kur fantazia donte ‘krah’. Gjithkush që “dhunonte” rregullat dhe ligjet e atij sistemi e shoqërie konsiderohej kriminel, si rrjedhojë edhe tendenca njerëzore për t’iu kundërvënë sistemit pengohej, shtypej thahej që në burim.

 

Por çfarë po jetojmë sot?

Ne jemi ata që simpatitë tona i kishim krijuar mbi bazë vuajtjesh, të cilën në mënyrë të pavullnetshme, por në formë ‘majmunërie’ e kemi trashëguar tek fëmijët tanë dhe të gjithë bashkë si shoqëri nuk kemi dot vullnet për tu ngritur shpirtërisht aq lart, sa ta pranojmë suksesin e tjetrit, përkundrazi në mënyrë të pavetëdijshme e pengojmë atë me të gjitha mënyrat deri sa ta shkatërrojmë, sepse ne nuk e kemi njohur gëzimin dhe nuk mund të durojmë dot gëzimin, që sjell suksesi tek tjetri, sepse vijmë nga sistemi ku nuk nxitej fantazia, por filistinizmi dhe tani po jetojmë atë që nuk duhej të ishte.

Sot lulëzojnë filistinët, të cilët e shkatërrojnë fantazinë, atë që përpiqet të ndriçojë përreth, sepse duket shqiptarët’ nuk kanë më kohë’, duhet të arrijnë atë, që nuk e kishin në atë sistem, sipas tyre atë materialen, prandaj shoqëria jonë nuk ka sot një ‘flamur’ vlerash, përkundrazi një zhgënjim total, i cili çdo ditë vjen duke u rritur sepse ne nuk e durojmë dot gëzimin dhe simpatitë e asaj kohe na zhgënjejnë çdo ditë duke na i përplasur në fytyrë në mënyrë të pamëshirshme, simpatinë, që atyre u kemi dhënë bujarisht, sepse ajo nuk ka mjaftuar, nuk u ka dhënë gëzim, përkundrazi thellë në nënkoshiencë paskan gjalluar ndjenja të shëmtuara, të cilat në këto 23 vjet përsiatje për të gjetur rrugën e humbur gjetën shtratin për tu shpërfaqur me gjithë shëmtinë e dhimbjen që lënë pas.

Sistemi që lamë synonte solidaritet, ndërsa në fakt mbolli në shpirtrat e shqiptarëve babëzinë.

Në vitet e para pas “rënies së sistemit socialist”, në një kurs specializimi në një nga vendet e zhvilluara të Europës, midis shumë të huajve edhe një grup shqiptarësh, u përballëm me “lirinë” kapitaliste. Në katin ku zhvillohej mësimi, në orën e pushimit, fare pranë klasës ishte një kuzhinë ku cilido mund të përgatiste vetë një kafe dhe mund konsumonte ndonjë biskotë… edhe një telefon, që mund të përdorej eventualisht.

Pas pushimit, në klasë hyri profesoresha (me disa minuta vonesë?) e skuqur krejt në fytyrë dhe me një tërbim haptazi, na u drejtua: Telefoni është përdorur në mënyrë kriminale, biskotat janë shpenzuar në mënyrë kriminale dhe shpjegoi duke u dridhur prej zemërimit rregullat, që ishin thyer pa vënë gishtin mbi asnjë, por pranë meje një djalë i ri (shqiptar) më tha nën zë: “Unë jam kriminel se hëngra një pako biskota dhe fola me familjen time?” Dhe menjëherë qeshëm në të njëjtën kohë, madje edhe tani qesh sa herë e kujtoj, as nuk i vë fare faj atij djali, të cilin nuk e kam parë më kurrë që atëherë, por për mua ai ka qenë leksioni i parë dhe i fundit, i cili më ka bërë të arrij të ngrihem në lartësinë e duhur për të kuptuar dhe për ta duruar këtë që po jetojmë dhe për të frymëzuar aq sa mundem të rinjtë, brenda mundësive që kam pasur (varet nga hapësira që të japin filistinët) se të jesh egoist nuk është gabim, por të jesh i babëzitur është KRIMINALE dhe ajo fillon, me një biskotë, me një telefon… dhe përfundon në marrje jetësh njerëzish, në shkatërrim total të të gjitha vlerave edhe të atyre, që mund të qëndronin në këtë kohë, që po jetojmë dhe nuk jam habitur aspak madje prapë kam qeshur, kur kam prekur me dorën time para dy ditësh DRYNIN e vendosur për të mbrojtur letrën higjienike nga ‘vjedhësit’ në një tualet të një ambienti i ashtuquajtur nga më luksozët të kryeqytetit tonë, Tiranës…

9 komente në “Ajo që jetojmë sot”

  1. Andrea says:

    Nje analize e pavend, egoiste dhe me shumice filistine. Te jete kjo pasoje e gjurmes qe i ka lene sistemi i kaluar i pushtetit te shumices se popullit, megjithese kane kaluar 23 vjete? Kete mund ta thote autorja qe per shkaqe qe i di vete, nxjerre konkluzione te gabuara per ate kohe dhe aktualitetin.

  2. fatmir says:

    Shume shkrim i bukur. Kete situate po perjetojme te gjithe ne shqiptaret kudo qe ndodhemi. Nje tronditje e thelle e shoqeresise dhe nje c’organizim i organizuar keto 23 vjet, ku ligjin e kane bere injoranca dhe mediokriteti. Aty ku dashuria mungon, eshte shume e lehte percarja. Magdalena me ke kenaqur me kete konkluzion, i cili eshte shume i vertete. Nuk mund te ndertohen themele te forta ne rere. Edi Rama ka te drejte kur e cilleson si “Shqiperia e gjenerates tjeter” dhe te faleminderit per kurajon qe u jep njerezve, sepse kjo na ngelet te durojme dhe ta pranojme kete gjendje si nje fatalitet

    U lexofshim prape!

  3. Saimir says:

    Zonja Magdalena, me duket se kete rradhe nuk e paske lexuar artikullin perpara publikimit. Shume gabim.

  4. noname says:

    Autorja ka nevoje per nje psikologe me shume pervoje. Dhe pasi te jete konsultuar me psikologun mund te beje nje shkrim tjeter me temen: Pse e preka me dore drynin e letres higjenike ne WC-ne luksoze te kryeqytetit!

    1. eri franc says:

      Komplinete per shkrimin Magdalena!

      Kam qeshur shume me ate drynin edhe une e kam pare, sigurisht ju jeni nje vezhguese e mire dhe kete e kam vene re gjate gjithe shkrimeve tuaja.

      Magdalena ja qe ne kete vend vidhet edhe letra e tualetit.

      Magda po te tregoj edhe dicka, po mos trego: grate kur pine kafe neper lokale vjedhin qeset e sheqerit. Shqiptaret i mesojne femijet, te sjellin cdo gje qe u kap dora ne shtepi edhe nje gur sikur te jete dhe futja sterkembeshin edhe kusheririt te pare, edhe kujtdo.

      Magda ky vend eshte i mbushur me filistine

      1. erjon says:

        Profesoresha, pershendetje!

        Ju lexoj gjithmone me te njejtin interes dhe ju sigurisht me optimizmin realist qe ju karakterizon. Une ju kam degjuar shume neper leksione, shembujt ilustrues i kishin ne maje te gjuhes dhe cdo nje nga ne reflektonim mbi veten tone. Edhe ky shkrimi juaj me ka bere te reflektoj, edhte fatkeqesisht konkluzioni i sakte ai qe keni nxjere ju.

        ju uroj suksese dhe shume faleminderit per mbeshtetjen qe na keni dhene gjate kohes ne fakultet

    2. selam says:

      Kjo eshte e verteta por kuptohet ne kaq hapeaire sa lejon formati i gazetes, sepse ky nuk eshte disertacion, por ne ate SISTEM sic e qun autorja ne nje institucion me njerez te” perzgjedhur” si i perzgjidhte regjimi HOXHA nje mikut tim i vodhen nje prefse thonjsh, sepse ne ate kohe shqiptaret i prisnin thonjte o me bris rroje o me gershere prerese rrobash…

  5. Pijaneci says:

    Shumë bukur Magdalena…për ata që kuptojnë dhe kanë sy e mëndje për të parë realitetin dhe…nuk fluturojnë me presh në bythë dhe injorancën në kuriz…

  6. Ati says:

    PERSHKRIM REAL DHE FILOZOFIK I GJENDJES QE PO JETOJME
    TE VERTETA TE TRISHTA QE DUHEN KAPERCYER ME KURAJE
    KURAJE PER TE KUPTUAR
    KURAJE PER TE PRANUAR
    KURAJE PER TE NDRYSHUAR
    MAGDA TE FALENDEROJ PER OPINIONET UNIKE DHE EFEKTIVE
    MENDIME FISNIKE TE PASQYRUARA ME FILOZOFI NE FUNKSION TE
    ALTERNATIVAVE POZITIVE TE NDRYSHIMIT SOCIAL;EMOCIONAL

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje