“Mbreti i frutave” që sfidoi pemëtarinë botërore

13 Dhjetor 2010, 22:40Sociale TEMA

Nga Gjovalin Gjeloshi

–  100 vjet nga prodhimi i frytit të parë të kiwit

Pyetje: Cili ushqim përmban aq shumë potas sa një banane, aq shumë fibra sa një tas me krunde cerealesh dhe aq shumë vitaminë C sa tetë herë një gotë me lëngë portokalli të ngrirë, pesë herë më shumë se limoni e njëzetë herë më shumë se molla apo pjeshka?

Përgjigje: Kiwi.

“The Washington Post” 1991

Në historinë e pemëtarisë botërore, nuk ka edhe një frut tjetër që të ketë fituar popullaritet dhe emër në mënyrë kaq të shpejtë , të jetë bërë kaq miqësor me konsumatorin dhe të jetë kaq i kërkuar në treg dhe në tryezat familjare, sa fruti i kiwit. Pothuaj të gjitha frutat që konsumojmë sot, njerëzimi i ka njohur dhe i ka kultivuar qysh nga lashtësia.  Ndryshe është me kiwin. Kjo ka një date të re, që duket sikur është dje. Edhe ajo, nesër do të bëhet e vjetër, si frutat e tjera sot, por data e lindjes së saj do të jetë e shënuar saktë në historikun e pemëtarisë. Sot mbush vetëm 100 vjeç. Edhe pse i ri, shumë i ri, krahasuar me frutat  qindra e mijëra vjeçare, ky frut po konkuron të gjitha të tjerat, në të tëra pikëpamjet: në vlerë agronomike, në vlerë ekonomike, në vlera dietike e ushqimore.

Është fruti që ka çmimin më të  lartë në treg dhe bima prodhon deri 120-140 kg për rrënjë. Për këtë arsye neozelandezët  e quajnë “bima e milionerëve”. Është pema që, krahasuar me të tjerët, don  më pak shërbime agronomike. Për këtë, malazezët e quajnë “bima e dembelëve”. Është fruti që ka më shumë vitamin C, prandaj e quajnë “pema e jetës”. Ka më shumë fibra ushqimore se sa cerealet, prandaj e quajnë “fruti çudibërës”. Shëron me efektivitet konstipacionin dhe hemorroidet, prandaj I thonë “fruti i frutave”. Është shumë efektive në parandalimin e disa lloje kanceresh, prandaj e thërrasin “I madhi kiwi”. Dietologu i njohur Italian, Ciro Vestita e cilëson kiwin si “një frut të çuditshëm që dalëngadalë ka pushtuar botën perëndimore. Mua më pëlqen shumë ky frut, thotë ai, për dy arsye kryesore: Është shumë i pasur me vitamin C dhe nuk sëmuret kurrë”.

Mos-sëmurja, është pikërisht prodhimi “bio”, që ne po flasim përditë e më tepër.

100 vjet më parë

Fruti i kiwit hyri në botën perëndimore në fillim të shekullit të 20-të, kur misionarja Meri Izabelë Fraser, drejtoreshë e kolegjit të vajzave në Wanganui (Zelanda e Re), shkon për një vizitë misionare në Kinë, në vitin 1904.  Pas përfundimit të misionit, Izabela 40 vjeçare kthehet në vendlindjen e saj me farat e kiwit, si një dhuratë e veçantë. Izabelë Fraser  bëhet kështu “dora” që nisi udhën e kiwit. Ajo ia dha farat e bimës së egër pemërritësit Tomas Alison dhe ky i fundit ia dorëzoi të vëllait, Aleksandër Alison, i cili nuk ishte thjesht një pemërritës. U deshën 6 vjet punë seleksionuese- shkencore, që të arrihej te fruti që konsumojmë sot.  Viti 1910 shënon prodhimin e frutave të para të kiwit në botë, në  vendin e quajtur Wanganui të Zelandës së Re.

Nga erdhi kiwi? Çfarë ishin ato fara?

“Rrënjët” e kiwit i gjejmë në luginën e lumit Jance në Kinën Jugore, të paktën qysh në shek. 16-të. Burime të ndryshme përmendin një periudhë deri 700-800 vjeçare, kur në këto zona njiheshin disa fruta të çuditshme që kinezët i përdornin në mjekësinë popullore, kryesisht për ethet, malarjen e të tjera sëmundje që shoqëroheshin me rritje të temperaturës. Këto fruta të egra thirreshin me emrin Jangtao (Yangtao), “pjeshka e ndritshme”. Kjo bimë shquhej edhe për numrin e lartë të varieteteve. Njihen  sot, të paktën  40 varietete të tilla të egra.  (Madje literatura flet për një numër dhjetë herë më të madh të këtyre varieteteve që mund të gjenden edhe jashtë Kinës si në Kore, Japoni apo Siberi). Këto ishin frutat, farat e të cilave u seleksionuan dhe u prodhuan   frutat e para  të kultivuara . Neozelandezët nuk e quajtën më frutin “Jangtao”, me emrin e saj në gjendje të egër, por i vunë një emër që nuk ia mohuan origjinën: “Rrush toke kinez”, sepse frutat nga pamja e jashtme ngjasonin me manat e tokës.

Deri te emri “kiwi”

Nëse ne në Shqipëri do të shpotisnim neozelandezët, “kiwi” i tyre do të përkthehej “shqiponja” jonë. Për kureshtje të lexuesit, kiwi është një shpend –zog, me madhësinë gadi sa të zogut të pulës. Me kokë të madhe,  me sqep të gjatë e me këmbë të fuqishme. Këta zogj nuk fluturojnë dhe burimin e ushqimit e kërkojnë në tokë. Kanë pupla të përhimta në gështenjë që duken si qime. Kësisoj, pamja e jashtme e këtij shpendi të vogël të ngjason me frutin e kiwit. Ky është  zogu kombëtar i  Zelandës së Re, i cili, edhe pse nuk fluturon lartësive si shqiponja jonë, ai vlerësohet e çmohet si një simbol.

Kuptohet lehtë, se pse fruti i  prodhuar në këtë vend, u pagëzua me emrin e simbolit të shtetit. Ishin vlerat e mëdha, cilësitë e tij dhe mbi të gjitha ishin të ardhurat ekonomike të larta që siguruan fermerët  e këtij vendi nga mbjellja e tij. Veç të tjerash, Zelanda u bë një vend i njohur edhe nga  kiwi e deri në fund të viteve 80-të  ishte në krye të  botës për prodhimin e tij.

Deri në vitet 50-të të shekullit të kaluar, përpara se kiwi-zog t’i  “dhuronte” emrin kiwit-frut, kjo bimë nuk kishte një emër të përcaktuar. Njihen deri sot një mori emrash të ndryshëm. Pothuaj shumica e emrave e kanë origjinën nga Kina: “Hardhia-dardhë”, “dardha kacavjerrëse”, “fruta pylli”, “frut me kaçubë leshtore”. E kanë quajtur edhe “lulemiu”. Në Kinë për një periudhë i kanë thënë edhe “rrush toke i Maos”, një emër që tashmë nuk e lejojnë më. Përpara se të merrte emrin  ndërkombëtar “Kiwi” dhe pasi u thirrë “rrush toke kinez”, kultivuesit dhe tregëtarët e quanin edhe “Shalqinëz” ose ”Pjepër”,  duke u nisur nga shija që mund të ngjasojnë me pjeprin. (Në fakt është një kombinim shijesh) Por krahas këtyre emërtimeve, një duzinë karakterizimesh që mund t’i quajmë emra, e kanë lartësuar kiwin: “Fruti i veçantë”, “I jashtëzakonshëm”, “fruti i çuditshëm, “fruti i pashpjegueshëm”, “fruti i mrekullive”, “fruti i rrallë”. Emra të tjerë që kanë lidhje me vlerat e tij pasojnë: “Fruti i vitaminës”, “Superfruti”, “Mbreti i frutave”.

Përfundimisht emri  “kiwi” u propozua dhe u vendos, më 1960,  në mbledhjen e kompanive që merreshin me tregtimin e kiwit, “Turners” dhe “Growers”. Propozuesi i këtij emri ishte pronari i njërës prej këtyre kompanive, Xhek Turner. Kësisoj ata kishin vendosur emrin e një superindustrie. Por edhe pse fruti me  emrin “kiwi” njihet tashmë në të gjithë botën, ky nuk është emri i pasaportës së tij. Botanistët e klasifikojnë  kiwin në gjininë  “Aktinidia Chinensis” dhe disa kultivues e specialistë e thërrasin atë “Aktinidia”. Specia “Aktinidia Chinensis”  është shumë e ngjashme me kiwin që ne kultivojmë sot dhe që thirret  “Aktinidia Deliciosa” ose “Aktinidia e shijshme”.

Nga Kina në Zelandë

Edhe pse Kina është vendi i origjinës së kiwit, gjatë këtyre  njëqind viteve, ky vend nuk ishte lideri I prodhimit botëror. Këtë rol për vite e dekada e luajti atdheu i dytë i kiwit, ose atdheu i parë i kiwit të kultivuar, Zelanda e Re. Kultivimi në Kinë në shkallë të gjerë  ka fillluar pas viteve 80-të. Provinca kryesore e Kinës që e prodhon këtë frut është Shaanxi, e cila jep dy të tretat e prodhimit kombëtar. Pas vitit 1990 Kina ka një rritje dramatike të prodhimit të këtij fruti. Sipas specialistëve, Kina në pak vite mund të arrijë Zelandën e Re në prodhimin e përgjithshëm duke mbjellë sipërfaqe gjigande  dhe me kushte të mira zhvillimi. Dhe është vetëm çështje kohe: Kina do të konkurojë edhe Italinë.

Në vitet 1920-1930 në Zelandën e re u bë një revolucion i vërtet shkencor në fushën e përmirësimit gjenetik të kësaj bime. Kësaj periudhe i përkasin krijimi i kultivarëve bazë si: “Allison”, “Abbott”, “Bruno”, “Hayward”. (Pothuaj të gjithë këta kultivarë u pagëzuan me emrat e shkencëtarëve që i seleksionuan). Kultivari “Hayward” ka sot shtrirjen më të madhe në të gjitha vendet e kultivimit.  Më vonë, në vitet 50-të u seleksionua edhe kultivari “Monti”, “Greensill” etj.

Po kështu u punua edhe me kultivarët e bimëve meshkuj kryesisht “Mattua” dhe “Tomuri” (duhet cilësuar se kiwi është një bimë me seks të ndarë. Lulet mashkullore dhe femërore janë në bimë të veçanta). Shkenca nuk ka pushuar së kërkuari në fushën e seleksionimit të llojeve të reja. Në vitin 1991 seleksionohen varietetet e reja “Zespri i Artë” me tul të verdhë dhe “Zespri i gjelbër” me tul me ngjyrë esmeraldi.

Gjeografia e kiwit në botë

Dy hemisferat dhe shtatë kontinentet-përbëjnë gjeografinë e përhapjes së kiwit. Nga Zelanda e Re,  prodhimet e para të eksportit filluan më 1952. Ishte një ngarkesë vetëm prej 13 ton që u nis drejt Anglisë dhe disa vjet më vonë u eksportuan edhe drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës e më pas edhe në Europë. Kalifornia është shteti i parë I SHBA-ve që e kultivoi  këtë frut. Kiwi në Europë u përhap gjerësisht në fund të viteve 60-të e në fillim të viteve 70-të. Në fillim në Francë e më pas në Itali, Spanjë, Greqi. Pak më vonë kiwin e gjejmë edhe në vendet e ish Jugosllavisë,  rreth e rrotull nesh. Përveç vendeve europiane kjo bimë kultivohet në Amerikën Latine. Frutat e Kilit i gjen edhe në tregjet tona. Japoni e Australi. Kiwi rritet edhe në Kamboxhia, Vietnam e Laosin jugor. Edhe Turqia  eksporton fruta kiwi. Në Iran e konsiderojnë si “produktin më të shëndetshëm në botë, sepse nuk përmban pesticide kimike”.

Lideri i prodhimit botëror në 15 vjeçarin e fundit është Italia, e cila ka një prodhim vjetor prej më shumë se 500 mijë ton e ndjekur nga Zelanda e Re me rreth 300 mijë ton. Pastaj vjen Kili me më shumë se 150 mijë ton. Japonia me Greqinë ndajnë një prodhim gadi të barabartë prej nga 40 mijë ton, ashtu siç ndahen mes tyre edhe Shtetet e Bashkuara me Iranin me prodhim vjetor nga 20 mijë ton. Australia nga ana e vet nuk prodhon as për nevoja të brendshme. Sipërfaqja e mbjellë me kiwi në Australi nuk i kalon të 350 ha. Po ç’nevojë ke të mbjellësh vet, kur ke Zelandën afër.

Pas disa negociatash, Kina i hapi dyert për importimin e kiwit italian. Parashikohet që për vitin 2010, Kina të importojë më shumë se 550 mijë tonë prodhim botëror. Vet Italia, prodhuesja më e madhe në botë, do të eksportojë rreth 280 mijë ton, nga të cilat 7 mijë ton në Lindjen e Largët, 5 mijë në Lindjen e Mesme, 13 mijë në Amerikën e Veriut dhe 220 mije ton në vendet e BE. Këtë vit Italia parashikon të prodhojë 12 përqind më shumë se një vit më parë dhe marrëveshje të tilla si ajo me  Kinën u jep mundësi italianëve të konsolidojnë industrine e prodhimit të kiwit. Sipas të dhënave, në periudhën 2007-2008, 70 përqind e prodhimit Italian është shitur jashtë vendit. Duke vazhduar me prodhimin europian; Franca ka një prodhim të stabilizuar në 60-80 mijë ton ndërsa prodhimi spanjoll në vitet 2008-2009 pësoi një humbje prej 35 përqind. Kjo për arsye të ngricave të hershme të vjeshtës dhe shirave gjatë periudhës së lulëzimit.

Kiwi në Shqipëri

Është e pa shpjegueshme që,  përpara vitit 1990, kjo bimë nuk është njohur dhe kultivuar në  vendin tonë. (Një autor shqiptar, Prof. Dr. Resmi Osmani, thotë se rreth viteve 70-të, disa bimë të kiwit, të sjella nga Franca, ishin në bazën eksperimantale të Lushnjës.  Më tej, askush nuk e shpjegon , se pse ato nuk shkuan më tutje, përderisa u eksperimentua dhe pati rezultate të mira). Ndërkohë    kultivohej me sukses  në vendet rreth e rrotull  nesh. Përveç Greqisë, fjala vjen, Strumica e Maqedonisë apo Tivari e Ulqini i Malit të Zi, nuk kishin klimë më të favorshme se sa ne, përkundrazi.

Për kaq prezencë të kiwit  përpara viteve 90-të, na jepet e drejta të flasim për një “lindje” dhe jo për një “rilindje” të këtij fruti tek ne. Bimët e para në Shqipëri u sollën nga Mali I Zi në vitin 1993 dhe u mbollën në një fermë modeste në fshatin Kakarriq të rrethit të Lezhës. Ishin 7 bimë femra të kultivarit “Hayward”, një bimë e kultivarit “Abbott” dhe një bimë mashkull e cv. “Mattua”. Sot, këto bimë  17 vjeçare, janë bimët e vetme të kësaj moshe në vendin tonë.

Por njohja masive e këtij fruti në vendin tonë ngjau vetëm pas vitit 2000. Në vitin 2002, duke pasur mbështetje nga një institucion shkencor në Greqi, Universiteti Bujqësor i Tiranës në bashkëpunim me Institutin e Kërkimeve Biologjike, ngritën tre ekspermente me sipërfaqe modeste në tre rrethe: Tiranë, Fier dhe Elbasan. Ndërkohë edhe para këtij viti në shumë zona kishin filluar mbjellje sporadike. Shumë amatorë të kultivimit të pemëve kishin shuar kureshtjen duke gjetur e mbjelllur “dy-tre rrënjë” kiwi.

Ndërkohë janë bërë edhe studimet e eksperimentimet e para për këtë bimë. Sipas një studimi të udhëhequr nga Departamenti i Hortikulturës në UBT, është provuar se bima e kiwit shkon në të gjithë ultësirën perëndimore të Shqipërisë. Ajo shkon shumë mirë në luginat e lumenjëve tanë nga Shkodra e deri në Sarandë.  Po kështu edhe në faqet perëndimore me kundrejtim nga deti si dhe në sipërfaqe toke që janë nën ndikimin e mikroklimës së liqeneve, ku përgjithësisht sigurohet një lagështi ajrore, aq e pëlqyer nga kjo bimë. Sot gjejmë plantacione modeste në Shkodër (Velipojë e Koplik), Lezhë (Kakarriq e Shënkoll), Kurbin, Durrës, Fier, Lushnjë, Berat, Vlorë, Sarandë etj. Gjithkund në toka jokarbonatike, me taban të thellë, që nuk përmbyten dhe me mundësi për ujë. Ky i fundit, aq i kërkuar nga kiwi. Sipas disa përllogaritjeve të përafërta, gjatë viteve 2000-2010 janë futur në vendin tonë rreth 50 mijë rrënjë fidana, kryesisht nga Greqia e më pak edhe nga Mali I Zi.  Po bëhen përpjekjet e para për prodhimin e fidanave në vend.

Sot kiwi ka çmimin e vet në Bursë, ashtu siç kanë çmim monopol edhe drithrat e bukës apo petrolet, aq të domosdoshme për jetën dhe ekonominë. Në Zelandën e Re, Kaliforni, Itali, Iran, Kili etj, ka të ngritura Unione të fuqishme, të cilat mbrojnë kiwin dhe interesat e prodhuesve të tij. Edhe në vende moshatare me ne në prodhimin e kiwit, fermerët po organizohen. Në Gjeorgji psh, një numër fermerësh janë të organizuar në një kompani, ku kanë bashkuar resurset dhe kapacitetet e tyre. Perpjekje te tilla kane filluar edhe tek ne. Në Lezhë funksionon një shoqatë rajonale, modeste e fermerëve që kultivojne kiwi, me tendencë për t’a zgjeruar në të ardhmen.

Kur lind një fëmijë, të gjithë bashkohen për t’i vënë emrin. Në Shqipëri “ka lindur” një frut i ri. Duam t’a atdhesojmë. Duam t’i japim një pasaportë. Por më shumë se sa për një emër të ri, që të ketë lidhje me atdheun tonë, kiwi sot ka nevojë për mbështetje, jo thjesht amatore. Është fat që këtë vit, në listën e pemëve frutore që subvencionon shteti, u shtua edhe kiwi. Kjo do të thotë se, përveç amatorëve të kultivimit, këtë bimë po e njeh edhe qeveria. Le ta pranojmë  pra, këtë frut, që nga të gjithë autorët dhe kultivuesit me përvojë  100 vjeçare mbiquhet: “I madh”, “I veçantë”, “Interesant”, “Fruti I jetës”, “Bimë që nuk sëmuret”, “Bima e shëndetit”, “Bima e milionerëve”.

Pas një përvoje modeste, edhe unë i kam gjetur një emër: “Shporta e shijeve”.

Lini një Përgjigje