Brishtësia e vetëdeklarimit etnik

21 Dhjetor 2010, 21:30Blog TEMA

Nga Artan Xh. Duka

Pavarësisht se në kontekstin shqiptar voluntarizmi e bën të brishtë, kaotik e irreal procesin e përfundimet e vetëdeklarimit etnik, të surprizon zelli i qeverisë në sponsorizimin e tij. Ndonëse me mijëra halle, në servilizëm të pashoq ndaj fqinjit jugor, po tentohet një pyetje, në dukje e “pafajshme”, që në kushtet e sotme mund të provokojë qorrollepsje absurde afatgjata me spekulimet e multietnicitetit fals me sherrin jo më mes vetes por me të tretë.

Objektivitet në pikëpyetje!

Përditësimi i hartës etnike konservon e stimulon asetin e vlerave në shoqëri duke qenë në perëndim rutinë pa komplekse, gjë që nuk mund të thuhet për kontekstin ballkanik. Ne nuk jemi paragjykues e të huajt, vizitorë apo rezidentë, janë trajtuar njëlloj në mos diskriminuar pozitivisht në raport me popullsinë shqiptare në kontrast me fqinjët për të cilët shqiptarët jashtë shtetit amë janë qytetarë inferior të destinuar për asimilim sikurse minoritetet në Shqipëri janë ekzagjeruar e interpretuar në dëm të interesit të fqinjësisë së mirë.

Këto mentalitete mesjetare e fantazma si “vorio-epiri” ndërkohë që ka vetëm Epir e ky i të parëve tanë, që nuk justifikohen as për habitatin historik, kompromentojnë objektivitetin e sinqeritetin e iniciativës për vetëdeklarim veçanërisht për përkatësinë greke. Ky minoritet, ndryshe nga arvanitasit që nuk i mbijetuan “demokracisë” greke, jo vetëm i mbijetoi socializmit “më të egër”, por dhe u akomodua prej tij pa dallim prej shoqërisë shqiptare bile dhe vetë komuniteti çam që u martirizua e anatemua nga shteti matanë, mëkat e makth që shoqëria moderne greke e mban ende në ndërgjegje.

Vetëdeklarimi implikon përtej një kërkese të ligjshme e demokratike për të konfirmuar vetveten. Presioni matanë kufirit për një vetëdeklarim imediat etnik në Shqipëri nuk lë vend për optimizëm lidhur me interpretimin e të dhënave pavarësisht objektivitetit të tyre. Vetëdeklarimi nuk mund të jetë realist sepse, për arsye të kuptueshme, mjaft syresh të vetëdeklaruar me origjinë greke për një pension, leje qëndrimi, siguri nga policia greke, punë, vizë, ndonëse shqiptarë në gen, të vënë në siklet nga ky deklarim, me keqardhje mund të konfirmojnë identitetin e ri për të ruajtur statu-quonë ekonomike, sociale e mos rrezikuar implikime penale e civile për deklarime false me efekte ligjore e rimbursime të favoreve të gëzuara.

Reciprocitet

Me shtetin fqinj duhet reciprocitet. Nëse presim anëtarësimin në BE për t’u ndjerë të barabartë, do presim gjatë e do humbim shumë. Çmimi për në BE nuk mund të jetë në dëm të dinjitetit kombëtar e interesave strategjike. Në Greqi shpërfillen minoritetet e përmasat reale të tyre e me elegancë kjo formalizohet në censuset përkatëse ku dhe arvanitasit, nën një mori faktorësh kompleks, çuditërisht “ndjehen” grek duke dëshmuar marzhinën e madhe të shtrembërimit të realitetit demografik që një vetëdeklarim etnik vullnetar i pabazuar në dokumentacion provokon në varësi të kontekstit politiko-historik.

Përpara se të sensibilizojnë opinionin shqiptar e më gjerë për domosdoshmërinë e standardit europian të vetëdeklarimit, përfaqësuesit e minoritetit në Shqipëri, si shtetas shqiptar e si zëdhënës të mbrojtjes pakufizim të të drejtave njerëzore e kombëtare në kuadër të partive politike, për të qenë konsekuent, transparent e të besueshëm në qëndrimin e tyre, duhet paralelisht të sensibilizojnë e promovojnë brenda e jashtë vendit Çështjen Çame, afirmimin e plotë të identitetit arvanitas e arbëresh, të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni, Serbi, Mal të Zi apo të drejtat e nëpërkëmbura të emigrantëve shqiptarë kudo në botë.

Është në nderin e shtetit amë që të mbështesim patriotizmin e bashkëkombasve matanë për t’u ndjerë krenar për identitetin e të parëve të tyre, kundrejt komplekseve e implikimeve eventuale, duke lartësuar imazhin e vendit me stabilizimin e demokracisë e shtetit ligjor, seriozitetin e duhur me partnerët ndërkombëtar e një marketing ndërkombëtar efikas rreth vlerave historike e kulturore të një kombi vazhdues i qytetërimit pellazg, djepi i civilizimit mesdhetar.

Etnia nuk zgjidhet sepse gjaku nuk zhbëhet

“Grek nuk bëhesh, por lind”, rëndom pohohet matanë si shprehje e krenarisë së fqinjit për solemnitetin e të qënurit grek. Nëse kështu, çfarë vlere ka deklarimi si i tillë përmes konvertimit përveçse synon jo thjesht rritjen e prezencës së faktorit grek të natyralizuar por disbalancimin e homogjenitetit shqiptar? Ndërsa është normale për një shtet demokratik të trajtojë me respekt sipas konventave ndërkombëtare minoritetet reale të stabilizuara prej dekadash, është e papranueshme të provokohet politikisht, financiarisht, administrativisht e ligjërisht me pseudominoritete “romantike” apo “pragmatike” që “licencohen” në absurd.

Etnia nuk zgjidhet sepse gjaku nuk zhbëhet e trajtimi i saj si hobi apo preferencë stili jetese zhvlerëson solemnitetin e përkatësisë të bazuar në fjalë në erë. Vetëm gjeneza e faktet nuk lënë vend për dilema. Vetëdeklarimi etnik “poetik” apo pragmatik cenon qenësinë reale etnike duke “futur në një shportë” të gjithë e krijuar pretendime “surrogatësh” në kurriz të interesave legjitime të realëve me faturë ekonomike, sociale e zhgënjime eventuale.

Absurdi i ngutjes!

Vrulli i qeverisë për vetëdeklarim, për “rastësi” gjatë pashkëve ortodokse 2011 e zgjedhjeve të radhës me pritshmëri të pranisë më të madhe të emigrantëve nga Greqia, që në rastin më të mirë është manovër e radhës për të sfumuar debatin e transparencës zgjedhore, provokon boomerang për interesat kombëtare, cenon harmoninë me komunitetet etnike reale e krijon konfuzion mes vetë minoriteteve të afirmuar prej dekadash. Nëse kusht për BE, ka të tjera prioritare si transparenca e zgjedhjeve, rikthimi pronës ndaj të mos provokojmë iniciativa-shashka sikurse “martesat” gay gjoja në emër të integrimit. Të presim dhe censusin e radhës në Greqi me precedentin ndaj bashkëkombasve tanë të rishtas e të vjetër në funksion të reciprocitetit më vonë.

Është absurde ngutja për vetëdeklarim kur kemi humbur kaq kohë në sensibilizimin e çështjes çame, stimulimin e identitetit arvanitas dhe integrimin, në respekt të të drejtave të njeriut, të emigrantëve. Këto janë sfidat e qeverisë ndaj fqinjit jugor e me lëshimet e njëpasnjëshme që kulmuan me marrëveshjen e ujërave apo paktet e fshehta të varreve, nuk lënë vend për optimizëm.

Që litari të mos mbetet jashtë!

Nëse vetëdeklarimi lançohet pavarësisht kontekstit, zgjidhja nuk është bojkoti sepse minoritarët, në të drejtën e tyre, e ata që do të “pagëzohen” me identitet të ri nën presionin e verifikimit eventual, do të marrin pjesë e llogariten përkundrejt totalit duke “legjitimuar” kuotën përkatëse demografike e hapur rrugën për abuzime eventuale nga qarqe nacionaliste ekstreme.

Zgjidhje nuk është as kthimi me të njëjtën monedhë “sinqeriteti” sponsorëve e inspiruesve të procesit përmes ironizimit e zhvlerësimit të konkluzioneve pas vetëdeklarimeve masive e të qëllimshme që përfshijnë gjithë hartën e botës apo “vetëdeklarimit” të qëllimtë të të gjithëve si “pakicë greke” që kompromentojnë besueshmërinë e të dhënave përmes krijimit të hartave etnike absurde që nuk besohen as nga vetë qarqet nacionaliste.

Zgjidhja duhet të jetë parimore. Ajo mbetet presioni e lobimi për ta administruar në kohën e duhur këtë proces për të evituar pseudorealitete etnike sepse minoritetet nuk ndodhen nën trysni denigrimi e mosnjohjeje, sikurse gjetiu në rajon, që procesi të jetë imperativ. Minoritetet të parat duhet të jenë të interesuara për tablo sa më objektive të pranisë së tyre duke shmangur “ujërat” e implikimet përkatëse që kompromentojnë interesat e tyre afatgjata. Vetëdeklarimi, i drejtë në parim, duhet pezulluar deri në nivelin e duhur ekonomik, social e ligjor për të shmangur rrethanat që promovojnë subjektivitetin në vetëdeklarim e fashitjen e pretendimeve absurde përtej kufirit.

Nëse qeveria injoron oponencën publike në rritje e kufizohet vetëm me voluntarizmin në deklarimin e etnisë të pabazuar në të dhënat arkivore, normale në perëndimin që nuk vuan nga sindroma “ballkanike”, mbetet sfidimi ligjor për nulëzimin e rezultatit, nëse artificial, përmes denoncimit e diskretitimit të besueshmërisë nëpërmjet ballafaqimit të deklarimeve me burimet arkivore me gjithë konsekuencat përkatëse.

Ne e Greqia jemi të lidhur nga fati e historia. Gjaku shqiptar rrjedh në dejet e shoqërisë matanë kufirit tek bashkëkombasit tanë autokton e emigrantët ndaj të thuash popuj miq, ke thënë pak. Në harmoni e respekt reciprok, vendet tona të lashta sa historia, duhet të shndërrohen në faktorë të rajonit. Sfida e vetme janë komplekset e së kaluarës. Koha për t’u çliruar prej tyre.

1 komente në “Brishtësia e vetëdeklarimit etnik”

  1. albani says:

    Ne llogjiken e nje nacionaliste ballkanas, jam dakort. Ne anen tjeter te medaljes, sigurisht qe jo. Per paradoks, ndiqni se cfar po ndodh me bashkekombasit shqiptare ne Maqedoni, Ata jo vetem qe kercenojne per bojkot sepse nuk behet fjale mper deklarimet e fese dhe etnise, por se nje pjes e tyre mbetet jashte numerimit dhe per kete shkak duhet anulluar. Po ketej pse ju vjen keq kur minoriteti grek apelon me te drejte se po hiqen nga lista prioritetet e fese dhe kombesise dhe nderkohe, si per cudi, eshte paralajmeruar nga qeveria se emigrantet nuk do te jene te lire te zgjedhin kthimin ne vend per tu numeruar. O popull shqiptar mblidhni veten se, nuk jeni qendra e botes. Shqiperia i dashur mik, eshte i vetmi vend ne bote qe dikatoret, vdesin ne pension.

Comments are closed.

Lini një Përgjigje