Gjërat tek Interi duket se nuk janë duke shkuar në mënyrën më të mirë të mundshme. Pas nisjes zhgënjyese të sezonit dhe pas zërave për shkarkimin e Rafa Benitezit, tashmë mes këtij të fundit dhe presidentit të Interit, Masimo Morati, kanë plasur polemikat. Gjë që duket se e ka bindur përfundimisht Moratin për largimin e tij. Të shumtë janë emrat që përflinen si pasardhës të Benitezit tek Interi, duke filluar që nga Spaleti, Leonardo, madje dhe Kapelo, por dhe ëndrra në sirtar e Masimo Moratit, që quhet Pep Guardiola. Por, mediat italiane thonë se Morati ka në mëndje dhe një rikthim të bujshëm të Murinjos për drejtimin e Interit. Kjo, pas zënkave të fundit të Murinjos me drejtuesit e Realit, gjë që mund të sjellë pasoja për portugezin në fund të sezonit. Për më tepër që vet Murinjo ka deklaruar se Moratin e ka shumë mik dhe nuk e ka përjashtuar mundësinë që një ditë të rikthehet sërish për të drejtuar zikaltërit. Nëse do të ndodhte kjo, Interi do të drejtohej deri në fund të sezonit nga ish-portieri legjendar i zikaltërve, Valter Zenga. Koha pritet që të vërtetojë nëse ky rikthim i bujshëm u Murinjos në “San Siro” do të ndodhë.