Ky kapitull është marrë nga libri i Fred Abrahams për rënien e komunizmit në Shqipëri, që pritet të botohet vitin që vjen nga New York University Press
Lagjja e studentëve në Tiranë, e quajtur Qyteti Studenti, ndodhet në majë të një kodre të ulët, në juglindje të qytetit. Në vitin 1990, konviktet ngjyrë gri, rrethoheshin nga mbeturina betoni dhe nga bar i shkelur. Elita e periudhës komuniste kontrollonte çdo ndryshim të aspektit politik në vend, por atë vjeshtë studentët morën kontroll mbi atë kodër të zymtë dhe tronditën regjimin.
Lëvizjet filluan kur universiteti vendosi që të shtyjë për dy javë mësimin. Qeveria pretendonte se disa godina kishin nevojë për rikonstruksion, por studentët e nuhatën mashtrimin. Ambasada italiane dhe ajo franceze ishin shumë afër Qytetit Studenti. Qeveria ndoshta druhej për ndonjë tjetër dyndje në ambasada.
Kur rinisi mësimi, funksionarët e partisë i dënuan “vagabondët” që kishin sulmuar ambasadat në korrik dhe u kërkuan studentëve që të respektojnë ligjin. Partia e Punës po bëhej demokratike, u thanë ata. Shqiptarët vetë do të diktonin rrugën e ndryshimit. Studentët i hodhën poshtë këto pretendime. Kur Ministri i Brendshëm vizitoi Akademinë e Arteve, ai u përball me pyetje të mprehta në lidhje me lirinë e shprehjes dhe ndalimin që i ishte bërë artit modern.
Studentët po e humbnin durimin. Përgjatë një viti ata kishin para ndryshimet dramatike në Çekosllovaki, Gjermaninë Lindore e madje edhe në Rumani, duke shpresuar se Ramiz Alia do të ndiqte atë rrugë. Në të vërtetë, çdo lëvizje ishte mikse. Alia lejoi lëshimin e pasaportave, por ushtarët qëllonin mbi ata që synonin të arratiseshin matanë kufirit. Më përpara në shtypin shtetëror ishin shfaqur disa çështje tabu, por Alia kërkonte respekt për linjën e partisë.
Shumë nga studentët vinin nga qytete të tjera, përfshi Shkodrën dhe Kavajën. Ata kishin parë protestat e para në këto qytete dhe kishin sjellë energji në Tiranë. Ashtu si pjesa tjetër e Europës Lindore, ata mendonin se Shqipëria duhej të ndryshonte.
Ndërsa dimri afrohej, studentët zgjoheshin të mërzitur e në të ftohtë. Universiteti Enver Hoxha dhe Qyteti Studenti vuanin nga dritaret e thyera, mungesa e ngrohjes, uji që vinte në mënyrë sporadike si dhe ndërprerjet e energjisë u bënë më të rënda atë vit për shkak të një përmbytje që ngadalësoi turbinat.
Në mesin e tetorit disa studentë refuzuan që të hanë ushqimin e mjerueshëm në mensë. Dy ditë më vonë dikush ngjiti në mur një letër të shkruar me dorë ku thuhej: Ky ushqim është i keq! A jeni dakord? Ishte një protestë e vogël për shumë universitete, por një hap domethënës në një vend kaq të izoluar e kaq të frikësuar. Një grup studentësh dhe profesorësh të rinj krijuan atë që e quajtën “Organizata për Studentët dhe të Rinjtë Intelektualë”. Ajo kishte nisur me kujdes një pranverë më parë të diskutonte për kushtet e vështira të jetesës dhe reformën politike. Më pas u shfaqën disa qëllime abstrakte si “ndryshimi”, “liria” dhe “demokracia”.
Disa nga studentët i vlerësonin këto synime politike, por shumica ëndërronin për xhinse blu, muzikë rrok e për të udhëtuar jashtë vendit. Edhe ata që kishin xhinse blu dhe ora dixhitale, nuk mund t’i tregonin në publik pa i shpëtuar ndëshkimit. “Frymëzimi ynë nuk ishte politik, por personal,” shpjegon Blendi Gonxhe, një aktivist i studentëve në atë kohë.
Në nëntor, disa nga fakultetet i dërguan një letër Ramiz Alisë dhe qeverisë, duke kërkuar reforma. Organizata e të Rinjve Komunistë nga Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike kërkoi një takim me kryeministrin Çarçani dhe u ankua për kushtet ekonomike në universitet. “Nuk mund të bësh një pallto të re me rrecka të vjetra,” thuhej në letër.
“Ideja ishte që të mos dilnim kundër, por të ishim ndryshe,” më shpjegoi në vitin 2005 nga zyra e tij në Ministrinë e Mbrojtjes, Pandeli Majko, një nga bashkë-autorët e letrës.
Me ethe dhe të acaruar, studentët e inxhinierisë elektrike krijuan rezistenca për ngrohjen e dhomave duke përdorur telat e krevatit. Transformatori që përdorej për të furnizuar konviktet nuk mbajti dot, shpërtheu dhe ikën dritat. Në errësirë, zëra filluan të dëgjohen nga ballkonet: “Liri!”, “Duam demokraci!”. Studentët nisën t’u bien tubave të kaldajave nëpër dhoma. Studentët e muzikës u përgjigjen në godinat e tjera duke u rënë borive në kor.
Në Tiranë, të shtunën më 8 dhjetor, binte shi. Rreth orës 3.00, kryeministri Çarçani erdhi në Qytetin Studenti pa lajmërim në kohën kur studentët ishin në mësim, së bashku me Ministrin e Arsimit dhe atë të Ndërtimit, me arsyetimin se po inspektonin godinat e rinovuara. “Duhet të ishim të kujdesshëm se kushtet nuk ishin një arsye për revoltë,” më ka treguar ish- ministri i Arsimit në atë kohë, Skënder Gjinushi, duke reflektuar për atë ditë.
Studentët kërkonin të takoheshin me kryeministrin dhe 400 prej tyre u mblodhën në një sallë për të paraqitur pikëpamjet e tyre. Ata i folën me respekt Çarçanit, por kërkuan kushte më të mira. Kur të tre zyrtarët u larguan, ata e kuptuan se “diçka po digjej”, kujton Gjinushi.
Atë natë, rreth orës 8.00, dritat ikën sërish. Një grup i vogël, shumica e tyre studentë inxhinierie, u mblodhën tek transformatori për t’u ankuar. Së bashku ata këndonin një këngë të vjetër patriotike, “Eja mblidhuni këtu, këtu…”
Vite më vonë, mbetet ende e paqartë se përse ikën dritat. Disa ish- studentë thonë se kjo ndodhi për shkak të mbingarkesës, siç ndodhte shpesh në ato net. Të tjerë thonë se studentët hodhën një tel ose monedha metali në transformator, me synimin që dritat të iknin e të mblidhej turma. Ndoshta qeveritë e huaja kishin inkurajuar disa studentë që të sabotonin dritat dhe të niste revolta, ashtu siç kishin bërë kur nxitën njerëzit të hynin në ambasada pesë muaj më parë. Të tjerë besojnë se qeveria shqiptare kishte gisht, duke dërguar disa agjentë që të provokonin mbledhjen e turmës, që ta kishin më pas nën kontroll.
Një rindërtim i ngjarjeve sugjeron se të gjitha këto teori kanë vendin e tyre. Pa dyshim studentët ishin gati për të lëvizur. Disa nga protestuesit atë natë besonin se mund të nxitej ndryshimi dhe përdorën errësirën për të lëvizur.
Është gjithashtu e mundur që qeveritë perëndimore të kenë inkurajuar studentët për revoltë.
Ndërsa asnjë nga ish- drejtuesit e studentëve që kam intervistuar nuk ka ofruar ndonjë fakt, dhe të gjithë mohuan që të kenë pasur kontakte me to, shumë pranonin se shërbime sekrete të ndryshme ishin shumë aktive në Shqipëri në ato ditë. Përveç kësaj, qeveria shqiptare mund të ketë futur studentë të besuar mes grupeve për t’u dhënë ngjarjeve drejtimin që donte. Shumë nga këto komplote janë shkrirë dhe bashkuar me kalimin e kohës. Pushteti korruptonte studentët e ndershëm. Por planet e qeverisë u kthyer kundër padronëve. Kishte lojëra dhe lojëra të dyfishta, ndërsa njerëzit rreshtoheshin e ri- rreshtoheshin në një skenë kaotike që ndryshonte me shpejtësi. Pavarësisht shkakut të ikjes së dritave, rreth 50 deri në 100 studentë, duke kënduar, u zhvendosën në qendër të Qytetit Studenti. Konviktet e tjera kishin drita, dhe grupi u bëri thirrje mbështetësve që t’i fiknin ato në shenjë solidariteti. “Ikja e çdo drite ishte një kënaqësi e madhe,” thotë Arben Lika, një nga drejtuesit e studentëve, ndërsa më shoqëron në rrugën që ndoqën atë natë, duke kujtuar ngjarjen me krenari.
Studentët po kalonin tek godina numër 12 dhe atje po qëndronte në një stol të ulët një person i bëshëm me flokë onde ngjyrë kafe, me një xhaketë të zezë me shkëlqim lëkure, që u bënte thirrje studentëve që të marshonin. Studentët mendonin se ai ishte një provokator i qeverisë, por më pas e dëgjuan duke bërtitur: “Kam dy fëmijë. Ju betohem që jam me ju.”
Ai person ishte Azem Hajdari, një 27- vjeçar nga Tropoja në veri, student filozofie, që shumë shpejt do të bëhej një nga drejtuesit më të fuqishëm të studentëve dhe eventualisht kreu i partisë së parë opozitare në Shqipëri. Një hero kurajoz për mbështetësit e një spiun rrufjan për kritikët, ai luajti një rol të rëndësishëm e kontrovers deri në vrasjen e tij në vitin 1998.
Duke fituar përkrahës dhe vrull, Azem Hajdari dhe protestuesit zbritën kodrën. Ata nuk kishin forca për të lënë Qytetin Studenti, kështu që u kthyen në të majtë tek konviktet e femrave, ku u bënë thirrje shoqeve dhe të dashurave që të bashkoheshin me ta. Pak prej tyre zbritën poshtë në pizhame dhe masa e rritur nisi të rrotullohej.
Në të njëjtën kohë, anëtari i Komitetit Qendror, Piro Kondi, i telefonoi ministrit të Arsimit, Gjinushi, për ta informuar për ngjarjet. “Po luftojnë atje,” i tha Kondi. Gjinushi thirri rektorin e universitetit dhe të dy u nisën për në Qytetin Studenti, duke mbërritur aty në kohën që studentët po linin zonën e po drejtoheshin nga qyteti.
“Studentët nuk i donin dritat,” kujton Gjinushi, një tjetër person që ka luajtur një rol në vazhdimësi në jetën politike në Shqipëri. “Ata druheshin se Sigurimi po filmonte.”
Në Rrugën Budi poshtë Qytetit Studenti, protestuesit u ndalën në një kordon policësh, të komanduar personalisht nga Ministri i Brendshëm, Hekuran Isai. Studentët u bënë gati për dhunë, por Isai u dha lajmin e papritur. “Nxirrni 15 persona që të shkoni tek universiteti,” tha ai. Ramiz Alia ishte gati për të folur. Studentët u befasuan dhe ishin dyshues, gati për tu arrestuar. Por ata organizuan një delegacion dhe shkuan në zyrat kryesore të administratës së universitetit, pa ditur gjë për çfarë.
Kreu i partisë për Tiranën, Xhelil Xhoni, një burrë i ashpër, i njohur për qëndrimet e tij të rrepta, hyri i pari në klasë. “Kështu pra djem,” tha ai në mënyrë sarkastike, duke lëvizur në buzë një cigare të pandezur. “Ju keni vendosur që të shtyni provimet?”
Alia mbërriti menjëherë dhe u drejtua për tek podiumi. “Ju jeni djem të rinj e të pashëm,” tha ai me një buzëqeshje të lodhur. “Përse e zgjoni nga gjumi një të moshuar si puna ime?”. Alia i pyeti për emra, qytetet e lindjes dhe fushat ku studionin.
Studentët u ankuan se kryeministri i kishte mashtruar duke ardhur në Qytetin Studenti, ndërsa ata ishin në studim. Ata protestuan për kushtet në Qytetin Studenti: mungesën e energjisë dhe ushqimin e shpifur. Ata u dobësuan dhe bënë konfuzë, por kush nuk do bëhej kështu përballë dy njerëzve më të fuqishëm të Shqipërisë në mesin e natës?
Kur e kam intervistuar Ramiz Alinë në vitin 2002, ai e kujton shumë mirë atë mbrëmje.
“Ata më thanë që kishin shqetësime ekonomike,” tha Alia. “I pyeta ata, ose e thënë më mirë, u tregova atyre: dëgjoni, për problemet që keni, përse e keni Organizatën e të Rinjve Komunistë? Diskutojini me to. Pak prej tyre thanë ‘Ne nuk i besojmë asaj organizate. Duam të krijojmë një organizatë tonën të pavarur’. Pas ndërhyrjes time, ata paraqitën këtë çështje. Ishte e qartë se bëhej fjalë për një problem politik sesa ekonomik.”
Alia ra dakord se do i takonte studentët sërish dhe do diskutonte për ankesat e tyre, por vetëm nëse do të qetësonin turmën në Qytetin Studenti dhe do të ktheheshin në mësim. Ai premtoi se ata nuk do të goditeshin.
Delegacioni u kthye në Rrugën Budi rreth orës 2:00 për të dhënë lajmin. Atëherë ndërhyri policia.
“Ata më morën pistoletën,” ulëriti një polic, dhe kolegët e tij sulmuan me shkopinj bambuje. Studentët vrapuan në të gjitha drejtimet, duke u mbrojtur nga sulmet. Policët plagosën rëndë një vajzë dhe u hapën fjalë se ajo kishte vdekur. Policia pretendoi se kanë reaguar kur një student i rrëmbeu armën një polici. Studentët mohojnë që ndonjë prej tyre të ketë prekur policin.
“Ishte e tmerrshme,” kujton pothuajse pas 12 vitesh ish drejtuesi i studentëve, Arben Lika, ndërsa qëndron në vendin e rrahjes, pranë një lokali të quajtur “Made in Italy”. “(Ministri i Brendshëm) Isai ishte aty. Ai u thoshte “goditini me sa të mundeni”.
Hekuran Isai refuzoi që të intervistohej për këtë libër, por Ramiz Alia e kujton gjithashtu incidentin.
“Pas takimit, shkova në shtëpi dhe nuk e dija se çfarë kishte ndodhur,” thotë ai. “Ditën tjetër mësova që kishte pasur një incident mes studentëve dhe policisë. Me shumë mundësi kishte qenë një incident banal- një oficer thotë se studentët i rrëmbyen armën dhe policia i sulmoi për ta rimarrë atë, dhe rrahën dy ose tre studentë më shkopinj. Kështu më thanë mua.”
Sofokli Lazri, një këshilltar i lartë i Alias, është pak a shumë kaq indiferent, por është më i ndershëm për qëllimin e qeverisë. “Ishte një mesazh i lehtë,” më ka thënë ai mua duke tundur duart.
Po atë natë, një grup studentësh arti protestonte në mënyrë të ndryshme. Për të përkujtuar 10 vjetorin e vdekjes së Xhon Lenon, disa studentë dhe profesorë u mblodhën në Akademinë e Arteve. Tekstet e këngëve të ndaluara të Xhon Lenon kishin stolisur muret e auditorit. Grupi këndonte Revolution, Working Class Hero, Imagine — dhe më pas kërcente. Studentët hoqën portretet e Alisë dhe Hoxhës dhe i zëvendësuan ato me fotot e Lenon. Qirinjtë zëvendësuan dritat. Një letër u shkrua për Yoko Ono-n, disa e nënshkruan, të tjerë refuzuan, por pa pasur një adresë të Ono-s, letra nuk u dërgua kurrë. Përkujtimorja po shkonte drejt fundit, rreth orës 2.00, kur mbërriti fjala për demonstrata në Qytetin Studenti. Një grup i vogël u ngjit sipër për të kontrolluar. Në Rrugën Budi ata panë studentët dhe Ministrin e Brendshëm, Hekuran Isai, që dukej se po fliste me turmën. “Më pas, krejt papritur, policia nisi të godiste,” thotë një nga bashkëkujtuesit e Lenon, shkrimtari Ardian Klosi. “Turma u përça. Unë vrapova.”
Po binte shi në mëngjesin e 9 dhjetorit, mësimi ishte sa për sy e faqe dhe studentët nga Tirana mbërritën në Qytetin Studenti të ftohur e të lagur. Ata shihnin pantoflat e këpucët e studentëve të varura në ballkone, disa prej tyre me njolla gjaku nga një natë më parë. Askush nuk kishte vdekur, por policia kishte treguar se do përdorte forcën. Për studentët, dhuna e kishte galvanizuar çështjen. Ata kishin kuptuar se ndryshimi nuk mund të vinte nga sipër. Alia nuk mund të besohej se do e mbante fjalën.
Një grup prej 20 studentësh u takuan në katin e parë të mensës dhe formuan një komision organizativ. Në orën 9:00, paradite, dy prej tyre takuan kreun e Organizatës së Rinisë komuniste, Lysien Bashkurti, me kërkesën e këtij të fundit. Në pjesën e poshtme të Qytetit Studenti, Bashkurti u tha atyre se ata e kishin lënë Alinë pa gjumë. Ai propozoi që studentët të ngrinin një komision, ta quanin si të donin, dhe ai të bëhej pjesë e Rinisë Komuniste. Studentët refuzuan.
Në orën 10:00, mijëra studentë ishin mbledhur në sheshin qendror të Qytetit Studenti. Disa kishin synime politike, por shumë ishin fëmijë të anëtarëve të partisë që e kishin shijuar afërsinë me pushtetin, në mos pushtetin vetë. Ata duhej të falënderonin regjimin që u kishte dhënë librin në vend të plugut, por ata kërkonin më shumë. Mes konfuzionit, dikush propozoi një protestë përpara administratës së universitetit. Turma e etur nisi marshimin, e armatosur me hormone e shpresa të mëdha.
Forcat speciale të policisë kishin bllokuar shumicën e rrugëve nga Qyteti Studenti dhe e kishin kanalizuar turmën poshtë në Rrugën e gjerë të Elbasanit. Pak blloqe më tutje, përpara Liceut dhe pranë Muzeut të Marksizëm- Leninizmit, forcat speciale kishin vendosur mburojat e prisnin me shkopinj gome në dorë. Disa mijëra studentë shtynin përpara drejt policëve të demoralizuar, në përpjekje për të ndaluar edhe rrjedhjen e disa studentëve.
Kreu i Rinisë Komuniste, Bashkurti, përpiqej t’u fliste studentëve nga pas kordonit të policëve, duke i siguruar se dhuna do ndalohej. Studentët ndryshonin pozicionet në mënyrë që Sigurimi ta kishte të vështirë që të merrte foto nga godinat pranë. Ata flisnin për kushtet ekonomike dhe kërkesat politike ndërsa turma këndonte “Ne si e gjithë Europa!”, “Gjithë Tirana është me ne!”.
Pranë ambasadës italiane, pas kordonit të policisë, tre persona në moshë të mesme, vëzhgonin skenën. Njëri ishte producent filmash, njëri shkrimtar dhe njëri doktor, Sali Berisha, që kishte shkruar artikuj kritikë dhe kishte folur në takimin e intelektualëve me Alinë në atë verë. Shumë shpejt ai do luante një rol të rëndësishëm.
Pikërisht përpara orës 2:00, i ftohti, shiu dhe frika e kishin zvogëluar turmën në disa qindra. Por ndeshja e së dielës në stadiumin aty pranë pritej të niste në orën 2.30. Partizani i Ministrisë së Mbrojtjes, do të luante kundër Dinamos së Ministrisë së Brendshme. E frikësuar nga një përzierje e rrezikshme e studentëve me tifozët e futbollit, qeveria vendosi që protesta duhej të merrte fund. Studentët në radhët e para dëgjuan urdhrin në radion e policisë: “Shpërndajini me forcë”. Studentët ia mbathën përmes fushës pranë ambasadës italiane, të baltosur nga shiu që kishte rënë. Ata kërcyen dhe u hodhën në apartamentet e godinave, ku u morën nga banorët që i simpatizonin. Libra e këpucë u shpërndanë gjithandej në fushën e lerosur. Për herë të parë qeveria e pranoi se policia ishte përplasur me protestuesit. Një raport i shkurtër nga agjencia shtetërore e lajmeve thoshte se disa studentë, të acaruar me ikjen e dritave në Qytetin Studenti, ishin “përpjekur ta përdornin këtë gjë për qëllime politike”. Në këto rrethana, thuhej në raport, “forcat e rendit u detyruan të ndërhyjnë për t’i shpërndarë ata”.
Atë natë mbizotëronte konfuzioni dhe thashethemet: Alia kishte marrë goditje, studenti trupmadh, Azem Hajdari ishte vrarë, Alia po ndryshonte mendje, Hajdari ishte gjallë. Në të njëjtën kohë nisën të shfaqen edhe çarje mes studentëve. Disa donin të kërkonin pluralizëm dhe që protesta të shtrihej në rrugët e Tiranës. Të tjerët frikësoheshin nga konfrontimi dhe donin të fokusoheshin në ankesat ekonomike për komoditetin në Qytetin Studenti. Pasi policia shpërndau studentët, dr. Sali Berisha dhe një nga miqtë e tij, shkrimtari Besnik Mustafaj, u ngjitën në Qytetin Studenti. Studentët që takuan ishin të shqetësuar e të brengosur për miqtë e tyre që ishin goditur dhe arrestuar nga policia. Sipas Mustafajt, ata të dy ofruan ndihmën e tyre. Ata shkuan tek zyrat qendrore të partisë për Tiranën, ku Berisha njihte zv/kryetarin, për tu shpjeguar situatën dhe tu vetëdeklaruar në emër të studentëve. Berisha foli me zv/ministrin e Brendshëm, kujton Mustafaj, duke i kërkuar atij që të liroheshin studentët e arrestuar.
Kreu me ndikim i partisë për Tiranën, Xhelil Gjoni, ishte në godinë në atë kohë. Kur mësoi se të dy burrat ishin në seli, ai i thirri në zyrën e tij, kujtojnë Mustafaj e Gjoni. Ai mori më pas në telefon Ramiz Alinë për t’i thënë se ishte bashkë me shkrimtarin dhe doktorin. “Më jep Saliun të flas me të,” iu përgjigj Alia.
Pas një bisede të shkurtër në telefon, Alia i kërkoi Berishës që të shkonin tek ai menjëherë. Makina e Gjonit i mori Mustafajn dhe Berishën në Bllokun e ndaluar dhe Berisha e Alia u takuan vetëm, ndërsa Mustafaj priste jashtë.
“Një natë më parë, kur isha me studentët, i pyeta se nga janë,” kujton Alia 12 vjet më pas. “Dy ose tre prej tyre me thanë nga Tropoja- Azemi dhe të tjerëve nuk ua mbaj mend emrin. Mendova, për shkak se Saliu është nga Tropoja, do të ishte e arsyeshme për këtë djalë që t’u transmetonte studentëve disa fjalë.”
Sali Berisha ka refuzuar që të intervistohet për këtë libër, por Alia ka paraqitur versionin e tij të bisedës së asaj nate. “I thashë atij se kur i takova studentët një natë më parë, ramë dakord që ata do ktheheshin në mësim dhe unë do të shkoja aty në orën 5:00 pasdite,” tha Alia. “Nuk shkova, por studentët e kanë fajin për shkak se nuk e mbajtën fjalën.” Alia tha se i kishte thënë Berishës se ai dëshironte të takonte studentët, por vetëm nëse ata do të ktheheshin në mësim. “Thuaja këtë gjë në emrin tim,” tha ai. “Dhe sapo të kesh mbaruar, kthehu sërish.”
Në këndvështrimin e Alisë, Berisha ishte një i dërguar i besuar. Ai kishte qenë kreu i partisë në Spitalin e Tiranës dhe kishte qenë mjaftueshëm i besueshëm sa për ta dërguar me studime në Francë. Një kardiolog ambicioz dhe i kompletuar, ai ishte kujdesur për një anëtar të lartë të Byrosë Politike dhe kishte aplikuar për t’u bashkuar me stafin mjekësor të Enver Hoxhës. Në të njëjtën kohë, Berisha ishte i njohur për qëndrimet e tij kritike, të shprehura në intervista dhe artikuj, në të cilat vlerësonte Alinë, por bënte thirrje për reforma të mëtejshme. Ai ishte njeriu i mesëm që mund të përdorte Alia.
Pritja që iu bë Berishës në Qytetin Studenti ishte e përzier. Shumë studentë vlerësonin artikujt e tij, por të tjerët dyshonin për motivet, ashtu siç bënin të tjerë intelektualë partie që kishin vërshuar në Qytetin Studenti. Ata e njihnin atë si kreu besnik i partisë në spital dhe mjaft disiplinar në mësim, i cili në mënyrë të vazhdueshme detyronte studentët meshkuj që të shkurtonin flokët e gjata. Ai duhej të sillte fjalën e partisë.
Studentët po debatonin opsionet e tyre kur mbërriti Berisha dhe Mustafaj. Pasi u bllokuan dhe u rrahën, disa donin të mësynin sheshin Skënderbej dhe të zgjeronin revoltën. Berisha dhe Mustafaj argumentuan kundër largimit nga Qyteti Studenti, për shkak se mund të provokohej një përplasje e përgjakshme me shtetin. Me dhunë, thanë ata, Alia mund të rikthente kontrollin.
Ndërsa studentët po flisnin, Mustafaj e prezantoi Berishën me studentin energjetik, Azem Hajdari, që kishte udhëhequr studentët një natë më parë, të cilin Mustafaj e njihte nga vendlindja e tyre e përbashkët, Tropoja. Ishte hera e parë që Berisha dhe Hajdari po takoheshin. Ata do të luanin një lojë të komplikuar politike njëri me tjetrin për tetë vitet e ardhshme. Tre burrat u tërhoqën në një kthinë të mensës për të diskutuar privatisht, kujton Mustafaj. Aty Berisha e pyeti Hajdarin për kërkesat e studentëve. Duam kushte më të mira jetese, u përgjigj Hajdari. “Ju nuk mund ta nisni këtë për të futur sheqer në çaj,” iu përgjigj Berisha. “Ju duhet të kërkoni pluralizëm”. Studentët nuk duhet të largohen nga Qyteti Studenti, kërkoi Berisha, por pluralizmi politik duhet të jetë në krye të listës. Se përse Berisha i tha Hajdarit të kërkojë pluralizmin, mbetet e paqartë. Mbështetësit e Berishës e paraqesin atë si një demokrat të përkushtuar, që donte më shumë se të gjithë ndryshimin e regjimit. Kritikët pretendojnë se ai po i shërbente Alisë, që donte që studentët të shtynin ndryshimin në mënyrë që partia të mund të merrte kontrollin. Skenari më i mundshëm është që Berisha luajti të dy kartat. Si një politikan i aftë që do të bëhej së shpejti, ai qëndroi pranë dy palëve duke reaguar ndaj lëvizjeve delikate.
Kur të tre burrat u kthyen sërish tek studentët, i gjetën ata të acaruar dhe konfuzë. Disa qindra prej tyre ishin shkëputur nga Qyteti Studenti për të protestuar në Sheshin Skënderbej. Hajdari u përpoq të bindë mijërat e mbetur se ishte më mirë që të qëndronin. Turma fishkëllente dhe e quante atë tradhtar, kurse Berisha e Mustafaj shikonin të shokuar nga një qoshe.
“Ju na tradhtuat,” i bërtiti dikush Hajdarit, duke treguar me gisht nga Berisha dhe Mustafaj. “Këta të dy janë dërguar nga Ramiz Alia për të na mashtruar.”
Hajdari përdori të njëjtat fraza dramatike, që kishte ulëritur një natë më parë. “Ne të gjithë do të vdesim së bashku dhe nuk do lejojmë askënd që të na mashtrojë,” deklaroi ai. “Unë do jem i pari që do vdes.”
Gradualisht, Hajdari e qetësoi turmën. “Ky ishte një nga momentet më delikate kur gjithçka rrezikohej të shkatërrohej,” do shkruante më vonë Mustafaj.
Pak pas mesnatës, Berisha u kthye tek Alia. “Nuk mund t’i kuptosh këta njerëz,” pretendon Alia që të ketë thënë Berisha. “Nuk dola askund me to. Njëri thoshte diçka, tjetri diçka tjetër. Nëse bije dakord me njërin, tjetri refuzonte. Unë u thashë ato që më the ti, por ata thanë se nuk kishin besim.”
Ditën tjetër, më 10 dhjetor, më shumë studentë u mblodhën në sheshin e hapur të Qytetit Studenti, i quajtur më vonë Sheshi Demokracia. Për herë të parë dikush solli një qendër zëri. Hapësira u mbush me muzikë dhe me fjalime. Drejtuesit e studentëve nisën që të formulonin një listë me kërkesa ekonomike dhe politike. Ata caktuan një komitet organizativ me shumë nga individët që kishin qenë aktivë gjatë dy ditëve të mëparshme: Azem Hajdari, Arben Lika, Tefalin Malshyti, Mimoza Zhamo dhe Shinasi Rama, që ishte ndarë me një grup të vogël një natë më parë për të protestuar në Sheshin Skënderbej. Me përjashtim të Zhamos, e vetmja grua, të gjithë anëtarët e këtij komiteti ishin nga veriu. Pjesërisht kjo reflektonte prirjet jugore të Partisë së Punës: Enver Hoxha e kishte tërhequr pjesën më të madhe të elitës politike nga jugu, ku kishte lindur. Por gjithashtu reflektonte edhe personalitetin e atyre që ishin përfshirë. Malësorët trima dhe kokëfortë nga veriu donin që të flisnin me mendjen e tyre.
I gjati dhe i ashpri Shinasi Rama nga Shkodra, 31 vjeç, mbante linjën më të ashpër, duke bërë më vonë thirrje për studentët për “gjak në shesh” në mënyrë që revolucioni të ecë përpara. Djali i një oficeri ushtrie, më vonë ai u përplas me intelektualët, për të cilët mendonte se po tradhtojnë lëvizjen, veçanërisht Sali Berisha. “Të gjithë ata janë të dalë nga blloku komunist,” më tha ai në vitin 2002 nga apartamenti i tij në Nju Jork.
Në Qytetin Studenti, më shumë studentë, profesorë dhe profesionistë po dukeshin, disa prej të cilëve i drejtoheshin turmës duke bërë thirrje për pluralizëm dhe reforma më të shpejta. Punëtorët e fabrikave, që fiton 500 lekë në muaj, rreth 60 dollarë, kërcënuan me grevë. Rreth mesditës, Qyteti Studenti kishte dalë jashtë kontrollit.
Studentët përgatitën një listë me nëntë kërkesa për Ramiz Alinë, përfshi shpejtimin e reformave, pluralizmin politik, ndëshkimin për policët që kishin goditur studentët, legalizimin e Organizatës për Studentët dhe Intelektualët e Rinj dhe një takim me Alinë. “Jemi mbështetës të reformave demokratike të ndërmarra nga presidenti Ramiz Alia, dhe jemi pro shpejtimit të tyre,” niste pika 1, duke shpalosur një qasje kaotike. “Ky ka qenë dhe është qëllimi i demonstratave tona paqësore.”
Në mesditë, Alia dërgoi dy zyrtarë të negociojnë më komitetin organizativ: Ministrin e Arsimit, Skënder Gjinushi, politikanin dinak me vetulla të trasha e të errëta dhe Lysien Bashkurtin, kreun e Rinisë Komuniste. Me ta erdhi dhe dr. Berisha. Negociatat vazhduan gjatë pasdites në zyrën e drejtorit të Qytetit Studenti. Tre persona të tjerë nga veriu i Shqipërisë morën pjesë gjithashtu: miku i Berishës, Besnik Mustafaj, botuesi i gazetës së rinisë komuniste, Remzi Lani dhe shkrimtari Preç Zogaj. Të tre këta persona do mbeteshin lojtarë aktivë në vitet që do vinin.
Takimi u bë i tensionuar dhe kaotik, kujtojnë veçmas gjashtë pjesëmarrës, ndërsa turma jashtë këndonte. Pluralizmi politik u ngjit në majë të listës së kërkesave, por ata përfshinë aty edhe kushte më të mira për universitetin, për të mbajtur turmën të bashkuar. Një pikë kyçe u bë edhe kërkesa e studentëve për takim me Ramiz Alinë. Ata kërkuan që ky i fundit të vinte në Qytetin Studenti për negociata. Alia nuk mund të negociojë ndërsa studentët janë në rrugë, insistoi Gjinushi- çdo diskutim duhet të bëhet me një grup të vogël në një vend të qetë. Berisha dhe të tjerë sugjeruan që studentët të formojnë një delegacion për të takuar Alinë. Pas një debati të gjatë, studentët pranuan, por me një kusht simbolik: delegacioni duhej ta takonte Alinë si president të Republikës dhe jo si sekretar të Partisë së Punës. Gjinushi kërkoi që studentët të ktheheshin në mësim përpara se të takonin Alinë, për shkak se Alia nuk mund t’i takonte ata nën presion. Studentët rezistuan duke u druajtur se mund të humbiste vrulli dhe legjitimiteti i protestës. Berisha u kërkoi studentëve që të ktheheshin në mësim, kujtojnë pjesëmarrësit në takim. “Alia nuk mund t’ju mashtrojë ju,” tha ai. “Ju jeni këtu dhe ju mund të protestoni sërish.”
“Ti je një komunist i ndyrë,” i bërtiti Shinasi Rama. “Dhe shërbëtor i regjimit.”
“Dil jashtë,” të tjerë studentë i bërtitën doktorit.
Dy nga pjesëmarrësit jo- studentë, Remzi Lani dhe Preç Zogaj, ndërhynë. Ne nuk jemi dakord me Berishën, thanë ata, por ai duhet lejuar që të shprehë pikëpamjet e tij. Studentët u qetësuan dhe insistuan se nuk do e ndalnin protestën gjatë kohës që do takonin Alinë. Gjinushi u largua për t’u rrëfyer tek Alia, duke besuar se shefi i tij nuk do të takohej nëse studentët nuk do të ktheheshin në mësim. Për çudi të tij, Alia pranoi. Takimi u caktua për mbrëmjen tjetër në pallatin presidencial, të quajtur Pallati i Brigadave.
11 dhjetori shënonte edhe ditën e katërt të revoltës në Qytetin Studenti. Studentët, profesorët dhe punonjësit morën mikrofonin për të kërkuar pluralizëm politik, reforma ekonomike, “liri dhe demokraci”. Studentët nga të tjerë universitete dhe qytetarë të Tiranës erdhën për të treguar solidaritetin. Media shtetërore mezi e përmendte këtë lajm. Zëri i Popullit kishte një shkrim prej tre paragrafësh në fund të faqes kryesore që thoshte se situata në Qytetin Studenti është e “parregullt” dhe studentët kanë kërkuar një takim me presidentin Alia.
Përgjatë mëngjesit, fakultetet e universitetit mbajtën të para zgjedhje të lira në më shumë se 50 vite. Me votë sekrete, ata zgjodhën tre ose katër delegatë nga secili fakultet për të takuar Alinë, shumica studentë, por edhe disa profesorë të rinj. Ndërsa turma këndonte dhe protestonte në Qytetin Studenti, 45 delegatët e zgjedhur u mblodhën në dhomën e televizorit në godinën 15 për të diskutuar strategjinë.
“D.m.th ju e keni zgjedhur palën tuaj,” u tha një zyrtar i Rinisë Komuniste dy prej delegatëve që i afroheshin godinës. “Epo, fat të mbarë sepse ata do përdorin tanket.”
Në takim, delegatët e kuptuan se grupi ishte shumë i madh. 15 persona hoqën dorë në mënyrë vullnetare, duke e ulur grupin në 30, mes tyre dhe 5 profesorë. Në të njëjtën kohë po zhvillohej një takim i nivelit të lartë i partisë. I vetëdijshëm për të paevitueshmen, Alia kishte mbledhur Komitetin Qendror për të diskutuar temën kryesore, atë të pluralizmit politik.
“Nuk e përdora pozicionin e presidentit për të lëshuar një dekret,” kujton Alia. “Mblodha Komitetin Qendror dhe e hodha atë për diskutim. Natyrisht e bëra të ditur opinionin tim, por nuk e imponova atë.”
Anëtarët e vijës së ashpër të Komitetit Qendror e kundërshtuan idenë, duke argumentuar se pluralizmi do të kërcënonte pushtetin e tyre.
“Dhe çfarë propozoni ju?” pyeti Alia.
Anëtarët e rinj ranë dakord me Alinë se partia nuk kishte zgjidhje tjetër.
“Nëse nuk do e bënin, gjaku do kishte mbërritur deri tek Komiteti Qendror,” më ka thënë Dritëro Agolli, asokohe anëtar i Komitetit Qendror.
Me një votim të hapur me ngritje dore, komiteti votoi për të lejuar krijimin e organizatave të pavarura politike. Vetëm dy anëtarë të komitetit me më shumë se 100 anëtarë, votuan kundër. Vejusha e Hoxhës pranoi pa shumë dëshirë.
Alia po u vidhte me zgjuarsi fitoren studentëve. Ata kishin nisur protestën, por ai do merrte vlerësimet për lejimin e reformave. Siç më ka treguar ish- ministri i Arsimit në atë kohë, Skënder Gjinushi: “Në momentin që kishte vendosur Komiteti Qendror, takimi i studentëve me Alinë ishte i kotë.”
Qeveria dërgoi një autobus të bardhë më vija të kuqe në Qytetin Studenti rreth orës 5.50 pasdite. Studentët druheshin se do të arrestoheshin, ndaj zyrtarët Gjinushi e Bashkurti u ngjitën bashkë me ata në autobus si garanci. “Kur i pamë ata duke qeshur, e dinim se gjithçka ishte në rregull,” më tha një student.
Fjalët ishin përhapur tashmë për vendimin e rëndësishëm të Komitetit Qendror, por në atë kaos, askush nuk e dinte nëse ishte i vërtetë.
Studentët rrethuan autobusin, duke e prekur nga të gjitha anët, sikur donin ta ngrinin në ajër. Nga brenda mund të shiheshin fytyrat plot shpresë të studentëve ngjitur me xhamat. Turma në Qytetin Studenti kishte mbërritur në 80 mijë persona. Muzika dhe fjalimet shpërndaheshin në ajër. Ishte ditë me shi e baltë, por askush nuk po e çante kokën për këtë.
Studentët dhe profesorët mbërritën në Pallatin e Brigadave në orën 6:00. Ata hynë në një dhomë elegante, të shtruar me një tapet të kuq oriental e perde të bardha. Tre radhë me karrige ishin rreshtuar në një formë kthese, rreth një tavoline të ulët druri, me një mbulesë xhami sipër dhe dy mikrofona. Studentët u ulën dhe pas pak minutash Alia mbërriti, i shoqëruar nga Gjinushi dhe Bashkurti. Editori i Zërit të Rinisë, Remzi Lani, u ul nga pas. Studentët u ngritën në këmbë dhe duartrokitën ndërsa Alia shtrëngonte duart me ata në rreshtin e parë. Më pas ai u ul në tavolinë me Gjinushin në krahun e majtë dhe Bashkurtin në të djathtin. Dy kamera televizive, një statike dhe një e lëvizshme, regjistronin aktivitetin.
“Do flas pak, më pas mund të flisni ju,” tha i qetë Alia, sipas regjistrimit.
Duke lexuar në copa të vogla letre, të shkruara me shkrim dore, ai prezantoi vendimet e asaj dite të Komitetit Qendror. Komiteti kishte marrë një sërë vendimesh për kongresin e ardhshëm të partisë, platformën e partisë dhe disa shkarkime nga Byroja Politike, tha ai. Gjithashtu kishte rekomanduar për Këshillin e Ministrave ndryshimin e qeverisë. Më pas erdhi dhe lajmi real.
“Plenumi shprehu mendimin se është në të mirë të demokratizimit të mëtejshëm të jetës dhe pluralizmit, krijimi i organizatave të pavarura politike, në përputhje me ligjin në fuqi,” tha Alia.
Studentët dhe profesorët duartrokitën në mënyrë të çoroditur, pa ditur ç’të bënin me lajmin radikal. Alia më pas u shpjegoi për 15 minuta në mënyrë të sjellshme, por të vendosur.
“Gjithçka duhet të zgjidhet me qetësi dhe me mirëkuptim,” tha ai. “Rruga drejt demokracisë nuk është një bulevard… Ajo kërkon respekt për miqtë dhe për ligjin. Ndryshe hap mundës për anarki, që është e rrezikshme për gjithkënd.”
Ashtu siç kishte argumentuar shumë herë më parë, Alia pretendonte se Shqipëria ishte një rast i veçantë- dhe duhej të procedohej me shpejtësinë e saj. Liria dhe pavarësia e vendit varen nga kjo. “Ne duhet të kontrollojmë hapat tona,” tha ai.
“Tani dua të dëgjoj nga ju.”
Dinaku Alia kishte luajtur shumë mirë. Duke ndjerë presionin e pashmangshëm nga Qyteti Studenti, ai kishte vënë nën kontroll studentët. Në të njëjtën kohë, mesazhi i tij ishte i përzier. Ai kishte lejuar krijimin e organizatave politike në përputhje me ligjin, por nuk kishte specifikuar se çfarë organizatash lejoheshin e në përputhje me cilin ligj. Në atë kohë, kushtetuta e njihte Partinë e Punës si forca udhëheqëse e vendit.
Delegacioni pati vështirësi në artikulimin e pikëpamjeve. Dy nga studentët pjesëmarrës do të bëheshin kryeministra, por atë ditë ata dhe të tjerët tregonin një konfuzion dhe kufizim të kuptueshëm. Një nga një, shumica duke iu adresuar Alisë si “shoku Ramiz” në vend të “President Alia”, kërkuan sqarime për vendimin e komitetit. Çfarë nënkuptonte saktësisht lejimi i formimit të “organizatave të pavarura politike”?
Alia e anashkalonte pyetjen, duke thënë se vendimi lejonte krimin e subjekteve politike, për sa kohë ato respektonin ligjin.
“Po partia jonë e të rinjve?” pyeti më në fund profesori i dramës, Arben Imami.
“Nuk është e ndaluar,” tha Alia. “Asnjë ligj nuk ndalon partitë.”
“Ne mund të formojmë një parti?” vijoi Shinasi Rama me zë të ngjirur nga britmat në shesh.
“Po, me këtë ligj ka marrë fund,” u përgjigj Alia. “Dërgojeni programin tuaj në Ministrinë e Drejtësisë.”
“Çfarë duhet t’u themi mijëra njerëzve që po na presin në Qytetin Studenti?” pyeti me dyshim Blendi Gonxhe. “A e quani ju këtë pluralizëm apo jo? Është i vërtetë apo jo?”
“Vendimi i Komitetit Qendror për këtë rast do të aplikohet,” tha Alia. “Kushtetuta dhe ligjet nuk e ndalojnë aplikimin e asaj që kemi thënë këtu. Ne madje lejojmë edhe pluralizmin e partive.”
“A mund ta quajmë parti,” pyeti profesori i inxhinierisë, Arben Demeti.
“Po, quajeni si të doni,” tha Alia. “Por respektoni ligjin dhe mos veproni kundër interesave të popullit.”
Të bindur se pozicioni ishte i qartë, studentët shpërthyen në duartrokitje.
Pjesa e mbetur e takimit prej tre orësh u vërtit rreth perspektivës së reformave ekonomike dhe nevojës për të procedura në mënyrë paqësore. Gjinushi dhe Bashkurti ishin ulur pa fjalë në krah të Alisë. Momenti më i acaruar ishte kur studentët kërkuan drejtësi për rrahjen që u bëri policia më 8 dhe 9 dhjetor. Alia u përgjigj se policia ishte përgjigjur në mënyrën e duhur ndaj një tubimi ilegal. “Ata që nuk respektojnë ligjin, ligji do i ndëshkojë,” tha ai.
Gjatë takimit, Alia ishte i artikulueshëm, i sjellshëm dhe i përgatitur. Ai kishte qenë i tensionuar përpara takimit, por ishte dukshëm i gëzuar me mënyrën se si kishte shkuar. Kur mbaroi takimi, shumë nga studentët e rrethuan tek dera, duke i dhënë dorën në mënyrë entuziaste dhe duke e falënderuar për shansin e dhënë për tu takuar.
Në Qytetin Studenti, turma vazhdonte të zgjerohej. Studentët e takimit me Alinë u ngulfatën nga duar e fytyra të shumta. Një flamur shqiptar pa yllin komunist valëvitej mbi turmën. Delegacioni vuri një regjistrim audio të takimit në qendrën e zërit. Disa nga turma u ankuan se delegacioni kishte qenë shumë i butë.
Ditën tjetër, Zëri i Popullit shpalli lajmin e rëndësishëm në faqen e parë, me një foto të takimit të Alisë me studentët. Artikulli kryesor raportonte vendimin historik të Komitetit Qendror për lejimin e “organizatave politike të pavarura në përputhje me ligjin.” Më poshtë artikulli mbulonte takimin e Alisë me studentët, duke thënë se studentët kishin kërkuar “zhvillimin e pluralizmit politik dhe formimin e partisë së studentëve dhe të rinjve intelektuale”. Mbititulli me germa të mëdha e bënte të qartë pikëpamjen dhe frikën e Alisë.
“Rruga drejt demokracisë nuk është një bulevard”
“Nevojitet rend, tolerancë dhe kulturë”
“Nëse nuk respektoni këto, hapet dera për anarki”.
Comments are closed.
Pervec Shenasi Rames te tjeret luajne teater Ramizjan ose te Sigurimit te Shtetit.
Ajo nodhi, ate po vuajme.
Burre me te ndershem se Z.SHINASI RAMA per te vertetat e porotestave te studenteve deri tani s’ka dale. PO,atij shqiptari mund ti besohet kjo histori.Urimet me te mira DEMOKRATIT SHINASI RAMA.L.Korca
SHenasi Rama bashke me te paharruarit, vellezerite dhe miqt tane te pa vdekshem Azem Hajdarin e Arben Brocin jane pishtaret qe ndricojne rrugen e demokracise se vertete ne Tunelin Berishiano-Komunist. Pallavrat e spiuneve te sigururimit Ramiziano-Hoxhist dhe veglave te tyre do tju vije fundi shume shpejt.
rojti si qen u vra si qen u varos si qen
Nderim per Arben Brocin qe e kam njohur personalisht.Iku si viktime e 2 prillit ne shkoder vrare nga e njejta dore qe organizoi vrasjen e Hajdarit.
Njeriu qe hedh balte cdo dite mbi R.Aline konfirmohet si ne shume raste te jete njeriu i tij,ashtu sic ka qene mik i ngushte i familjes Hoxha.Shqiptare keni 20 vjet qe jeni ne te njejtat duar si me pare.Asgje nuk ka ndryshuar ,eshte po ai mentalitet,qeveriset me dore te hekurt si me pare,njerzve u ka hyre frika ne palce nga mafia ne pushtet.Ky palo komunisto-fashist se ka per gje te rrahe ,te vrase te vjedhe ,te enderroje me sy hapur per funeralin ekreut te opozites,te shaje me zhargonin me te ndyre ne parlament,te vjedhe zgjedhjet dhe ti shpalle ato demokratike.Njerz c’fare doni me tu bejne?
Sunday, July 22, 2007
Te shkrihet PD-ja !
Sistemi pluralist ne Shqiperi filloi dhe mbetet nje farse. Ne fakt ai ishte dhe eshte nje proces i manipuluar dhe i kontrolluar ne detaje nga Partia e Punes me ne krye strategun e saj te viteve te fundit, zotin Ramiz Alia. Planifikimi dhe rezultatet praktike pare nen prizmin e skllavopronarise komuniste jane kryevepra sa qe duhet thene “Urreje Djallin por ki respekt per talentin e tij”.
Kryevepra e Ramiz Alise per te cilen ai do te mbahet mend ne histori eshte krijimi i PD-se me komunista, sahanlepiresa ( individa te djathte) dhe bashkepuntore te sigurimit ( me se shumti individa te djathte).
Qellimi i kryevepres Ramiziane , PD-se ishte pengimi i marrjes se pushtetit nga te djathtet, nacionalistat dhe te pavarurit. Ajo, PD-ja do te sherbente si roje, garanci dhe diktature brutale mbi ata te cilet do te kerkonin te sfidonin pushtetin komunist te viteve pas 1990-es. Fakt eshte se, PD-ja i tejkaloi detyrat e vena nga Ramiz Alia dhe sot ne Shqiperi realisht nuk egziston e djathta. Qellimi politik i krijimit te PD-se, likujdimi total i te djathtes shqiptare eshte realitet. Meritat per kete objektiv te harritur i takojne energjikut Sali Berisha te cilit elita komunista duhet ti kete borxhe nje monument pikerisht ne vendndodhjen e ish monumentit te Enver Hoxhes, ne qender te Tiranes.
Pikerisht realizimi 100 % ne praktike i qellimit per te cilin u krijua PD-ja eshte edhe njera nga arsyet se perse ajo duhet te shperndahet dhe anetaret e saj ti bashkohen Partise Socialiste…. Foshnja e djathte u deshtua ne miter nga doktor Berisha. Praktikisht ndodhemi ne sistem njepartiak.
Arsyeja e dyte perse PD-ja duhet te shperndahet eshte sepse ajo u konceptua dhe funksionoi si nje organizate kriminale ku pervec qellimit politik kishte edhe ate ekonomik. Pasurimit nepermjet vjedhjeve, grabitjeve, plackitjeve te prones, djerses dhe gjakut te shqiptareve. Kjo veprimtari kriminale mori formen me te qarte te tradhetise kombetare kur PD-ja furnizonte makinen ushtarake serbe qe ti mundesonte asaj vazhdimin e kasapanes njerzore ne gadishullin Ballkanik.
Ashtu si i pari edhe qellimi i dyte, i pasurimit kriminal eshte realizuar ne menyre spektakulare ndaj organizata kriminale, PD-ja duhet te shkrihet dhe themeluesit dhe drejtuesit e kesaj organizate duhet te dalin para drejtesise popullore.
Petrit Kola
[email protected]
fakt eshte qe PD-ja lindi si nje alternative politike Demokrate dhe perfundoi ne nje Klan Mafioz fale politikes se ish komunistit Berisha.
Ishte fatkeqesia e vendit qe pushtetin e moren ish-bllokmenet te dirigjuar nga R.Alia. Ne Shqiperi u krijuan dy shtresa njera qe ishte perlyer me regjimin komunist por qe kishin nje fare formimi dhe shtresa tjeter e te deklasuarve qe u mungonte formimi arsimor, se ashtu i pelqente regjimit. Dhe sigurisht duart e zgjatura te Ramiz Alise me nje te kaluar teper misterioze ne skenaret e bllokut komunist, dorezuan pushtetin ne duart e klases qe e kishin nxjerre vete nga barku, kujto fotot e Berishes ne familjen Hoxha.
Pra PD ishte nje krijese e bllokut, dale nga klanet e Byrose Politike dhe te komitetit qendror si Berisha, Kopliku,Ceka,Rusmajli, Olldashi,Gjinushi etj,etj duke futur ne radhet e tyre dhe ish te burgosur politike per te instrumentalizuar popullin si parti antikomuniste.
Si ka mundesi qe asnje nga keta si R.Alia e te tjere ish-byroste nuk e paten fatin e Honeckerit, Zhivkovit,Kadarit dhe Causheskut? Sepse pluralizmin e moren ne dore ato figura qe permenda me lart
duke e shtyre edhe njezet vjet te tjera kete kalim ne demokraci. Shikoni vendet e tjera te ish-bllokut se cilin stad jane aktualisht dhe shiko ku jemi ne ku akoma figura kriminale dhe mafioze si Sali Berisha jane akoma ne pushtet. Dikur mernim neper goje pleqerine e Manush Myftiut, Haki Toskes, Spiro Kolekes ndersa sot askush nuk po kujtohet per pleqerine dhe senilitetin e Sali Berishes qe per nga kultura dhe dinjiteti eshte me keq se ata. Kane kaluar njezet vjet dhe ato nuk jane pak, afro cerek shekulli dhe akoma nuk kemi dale ne drite. Kush eshte fajtori? Fajtori dihet dhe ai duhet operuar ne menyre te pameshirshme si nje tumor malinj pa bere shume konsulta “specialistesh te ardhur nga Europa”. Sa me shpejt aq me mire, keshtu apo ashtu jemi prape te vonuar.
Ajo c’ka shpetoi gjakderdhjen e asaj kohe,fale ekuilibrave delikat qe mbajti R.Alia,si dhe mungeses se alternativave serioze demokratike,do te ndodhte ne 97-en,nen ritmin qesharak “demokratik”,te nje komunisti medioker si Sali Berisha.Pasojat e atij viti te tmerrshem vazhdojme ti vuajme edhe sot nen udheheqjene palokomunistit Berisha.Largimi i Tij nga skena politike eshte domosdoshmeri per ecjen perpara krahas popujve me te civilizuar ne Europ.
Largimi i bute i komunizmit nga Shqiperia,eshte nje teme qe perflitet e thuren legjenda nga me te pabesueshmet.Dhe mire behet,kemi nevoje per altare,kemi shum pak mos me thene vetem njecke hero kombetar dhe ate pomundohemi ta zhveshim me ndihmen “vllazerore”te serbeve dhe spiuneve te tyre tek ne.Perfundimisht dua tju kujtoj se per rrezimin e sistemit komunist kishte dekada qe punohej nga SHERBIMET SEKRETE PERENDIMORE ME NE KRYE CIA-n,Kleri katolik me ne krye Polakun Vojtila,dhe superagjentet ne radhet e kampit socialist me ne krye Gorbacovin.Me gjithe respektin per levizjen naive studentore duhet pranuar se Shqiperine e mori vala pasi dallget i hengren shtetet e medha te ish kampit socialist…
Nje nga intelektualet me medioker,por me dinake te 100 viteve te fundit ,padyshim qe eshte Sali Berisha.Perca dhe sundo,eshte motoja cezariane e pervehtesuar 100% nga ky njeri mediker por qe ka nje perparesi ndaj gjithe te tjereve.Ndersa te tjere bejne qejf dhe bejne sikur merren me politike,ai dhe vetem ai eshte i afte qe punon dhe projekton ne zyren e tij 25 ore ne 24 ore ,makiavelizmin e tij>Kije inat dhe hakun mos ia ha.Po na e fut ne dembeleve ,qe presim te na bjere nga qielli si nje cope torte demokracia,ndersa na bluan pa pushim ne mokren e tij te tmerrshme “i papertuari”Sali Berisha.Pikerisht se e di endren e cdo shqiptari ,…”Ah te isha vetem 24 ore i pari i ketij vendi,cdo te beja une..”E meritojme poshtersine e Sali Berishes,dhe ai na meriton plotsisht neve,se nuk dijme gje tjeter vec te kujisim me vehten tone dhe…kaq
Shinasi Rama eshte i pari qe e demaskoi komunistin e ndyre sali berishen, nuk e di por me siguri qe shqiperia do ishte ndryshe nese do te menjanohej direkt individe shpellash si sali berisha…njerezit atehere u terhoqen shpejt dhe nuk kembengulen sa duhej
Qe ne Shqiperi keto 20 vjet ka ndodhur ajo qe komenton me siper Petrit Kola kjo zdo shume koment, flet vet realiteti shqiptar sot 20 vjet pas ’90. Ne kemi fituar vetem fjalen e lire, por kjo do te quhej nje zero me xhufke ne spekrin e gjere te nje shteti te vertet demokratik e ligjor. PD(si parti e djathte qe e quan veten) eshte tallur me pronen private, qe eshte nje nga shtyllat e rendit kapitalist, duke “prodhuar” ligje pas ligji qe e kane bere gati te parealizushme khimin e saj tek i zoti. Keshtu PD ka vene ne jete direktiven e Ramiz Alise te 1989 ku u thoshte byroisteve:-Te çpronesuarve do tu japim nga nje leter ne dore qe ju njihet prona. Por asnjehere nuk do ju a japim:-ne forma te ndryshme do ti ngaterojme me njeri tjetrin te kalojne ne gjykata ku do te zbatohet rotacioni.nga gjykata te shkalles se pare ne te dyten e per difekte teknike kthim per gjykim ne shkallen e pare,etj.etj….Kush e ka penguar PD qe per prona per te cilat egzistojne dokumente qysh ne arshivat e paraluftes te mos njihen proçese gjyqesore kur ato jane zene ne menyra te ndryshme sot?!..A nuk do i ndihmonte kjo gjykatat e sotme te liroheshin nga proçese qe s’duhet te ishin?!..Ky eshte nje aspekt nga ajo mori problemesh qe gjendet Shqiperia jone sot.Shqiperia ka nevoje per pak ligje dhe qe te jene te zbatueshme.Shqiperia ka nevoje per reforma por ato mungojne sepse tek ne luftohet per kolltuqe (sepse u dihet lezeti) dhe jo per to!.
ZGJOHU, ZGJOHU O populle frikacak…Sali serbi te beri femijen prostetut, djalin te burgosi ne bodrumet e grekut, Te solli (kolonel Janollaton) Te nxori eshtrat e teparve, qe luftuan me grekofonet, Te shiti gjithe “CKA” ke serbet ke dajollaret e Shkelzemit, muljona euro mer Sala me Fazllicin per DETIN…CPERISNI Cobenet rumun e bene ate qe dushe bere me Causheskon,,Eshte shume kollaj te mberthejme 3, tre kryqe kryqe Aty ne kali Skenderbeut…
Tradhetia hapur e bota qesh me reagimin shqiptar.
Oh sa po cuditet bota me ne!
Plehu ne krey e ne rime duar kryq,
Tradhetaret ne krye e ne e ne rime si te shushatur edhe kur na mbytin.
Kemi frike se humbasim vdekjen e sigurt, oh sa turp, sa turp, sa turp. Te pakten te ikim me dinjitet nga kjo llahtare.