Deklaratë për shtyp e deputetes socialiste, Ermonela Felaj
Pas deklaratës së djeshme të Kryetares së Gjykatës së Lartë, skandali korruptiv ku është përfshirë Ilir Meta merr një përmase krejtësisht të re.
Dje, zonja Beçaj deklaroi publikisht se vendimi i Gjykatës së Apelit, për të cilin bëhet fjalë në video, në fakt është dhënë 3 muaj pas regjistrimit të videos, pra jo në mars 2010, por në datën 18 qershor 2010.
Natyrisht shqiptarët nuk janë aq naive sa të besojnë se padrinot e tipit Meta i ha meraku për drejtësinë dhe askush në Shqipëri nuk i besoi për një moment të vetëm pretendimet e këtij zëvendëskryemafiozi.
Sipas deklaratës së Kryetares së Gjykatës së Lartë, rezulton që Ilir Meta të ketë gënjyer në lidhje me ekzistencën e vendimit të formës së prerë.
Pasi u kap gafil, i regjistruar në video, teksa përpiqej si ndonjë padrino i vërtetë i mafias të ushtronte presion mbi një ministër për t’u dhënë miqve të tij në këmbim të 700 000 eurove, një koncesion për ndërtim hidrocentralesh, nga i cili edhe ai vetë është akuzuar se do të përfitonte 20% të të ardhurave, Ilir Meta shpresoi të përdorte një vendim inekzistent të Gjykatës së Apelit, si një gjethe fiku për të shpëtuar nga përballja me drejtësinë.
Unë, ka thënë çdo ditë ky padrino i fiksuar në video, kam ndërhyrë si zëvendës kryeministër dhe kryetar i LSI për të respektuar vendimin e Gjykatës së Apelit.
Por sot të gjithë shqiptarët kanë mundësinë të kuptojnë fare mirë sesi qëndron e vërteta:
Ilir Meta ka vepruar në traditën më të mirë të një padrinoje të oborrit të Sali Berishës, duke përdorur pushtetin e presionin për përfitimin e tij personal.
Prokuroria duhet të hetojë edhe mbi këtë bllof të turpshëm të Ilir Metës dhe ta marrë atë nën hetim ashtu siç do të kishte bërë me çdo shkelës ligji të rëndomtë në këtë vend.