PS: Meta u largua nga qeveria, po aty ka mbetur blloku i pisllëqeve

16 Janar 2011, 19:11Politika TEMA

Deklarata e deputetes së PS, Vasilika Hysi

Sot më tepër se kurrë vendi ka nevojë që të gjithë të ngrihemi në këmbë kundër këtij pushteti të paturpshëm hajdut, i cili vodhi zgjedhjet për të vjedhur Shqipërinë e xhepat e gjithsecilit dhe vazhdon të vjedhë përsëri.

Sot nën pushtetin e bllokut të pisllëqeve, shqiptarët nuk mund të pretendojnë as integrimin, as demokracinë, as liritë, pasi jo vetëm këto, por gjithçka po ju grabitet përditë mes tenderësh të fëlliqur që mbushin xhepat e ministrave.

Ky pushtet i vjedhur po grabit të ardhmen e të gjithëve, mes vjedhjes të kthyer në sistem sundimi e kërcënimi.

Nga Këshilli i Ministrave është larguar Ilir Meta, por aty ka mbetur blloku i pisllëqeve mbi tavolinën ku ulet sikur të mos ketë ndodhur asgjë, koalicioni i hajdutëve.

A mund të mjaftojë kjo për të dënuar vjedhjen e xhepave të shqiptarëve në mes të natës e ditës, e cila ende tani po bën xhiron e botës?

A mjafton vetëm dorëheqja e Metës për ato shkolla, spitale, shërbime, rroga e pensione, investime publike, të gjitha të munguara sepse pushteti kërkon të shvasë akoma edhe më tepër luks, akoma edhe më tepër para nga xhepat tanë?

Në qoftë se kjo qeveri zullumqare e hajdute rri në këmbë, largimi i Metës kthehet në leje të zakonshme.

Nesër të njëjtët hajdutë do të kërkojnë e arrijnë të ngrihen përsëri, për të vjedhur akoma edhe më shumë tendera publikë e taksa, biznese e portofol privatë, liri e të drejta nga shqiptarët që nuk i kanë votuar në 20 vjet.

Në 21 Janar të gjithë duhet të dalim në demonstratë për të tashmen e të ardhmen tonë.

Duhet të dalim për të treguar se vjedhja e kthyer në sistem nuk është ajo ç’ka shqiptarët duan nga shteti i tyre; për t’i treguar këtij pushteti e kujtdo që të guxojë se shqiptarët nuk mund të pranojnë vjedhjen publike, nuk pranojnë që hajdutët të riciklohen e rikthehen sikur të ishin të pafajshëm.

Në 21 Janar në demonstratën e të gjithë shqiptarëve, ne do të ngrihemi kundër sundimit të hajdutëve, për t’i hapur rrugën lirive e të drejtave që na janë vjedhur për 20 vjet. Në 21 Janar të gjithë në shesh kundër blloqeve të pisllëqeve, miqve e klientëve financiare, e mbi të gjitha në shesh kundër heshtjes së pushtetit përpara vjedhjes masive të pasurive të shqiptarëve.

Ne nuk do ta ulim kokën! Në 21 Janar do të tregojmë se shteti i së drejtës nuk mund të zëvendësohet kurrë me të drejtën e pushtetit për të vjedhur gjithçka.

1 komente në “PS: Meta u largua nga qeveria, po aty ka mbetur blloku i pisllëqeve”

  1. Epirioti says:

    Ja ku foli edhe kjo per 21 janarin, e pse jo xhanem me 20 apo me 22(meqe 21 janari eshte dita e vdekjes se Leninit). C’a hileje fsheh PS me protesta kaq dite larg ngjarjes. Prit kur te filloje ndonje qyfyre e re kete jave e do sfumoje ngarjen e Metes. Opozite prej plasteline, njerez butak, merrni forme sipas situates, asgje e perbashket me vullnetin e deshiren imediate te popullit per tu ngritur qe ate dite dhe me 21 janar qeveria do ishte ne mergim i dashur Ram me gjithe keto demagoge te tuat. Jeni 10 hapa prepa vullnetit te popullit dhe 100 pike mbrapa ne IQ ne krahasim me ne, njerezit e thjeshte. Klase e kalbur politike si ne PD e ne PS. Njerez UFO, e meritoni fjalen “Fshati digjet dhe kurvat krihen”

Comments are closed.

Lini një Përgjigje