Brenda pak orëve, klubi i kryeqytetit anglez, Çelsi, pritet që të bëjë zyrtare blerjen e mbrojtësit brazilian të Benfikës, David Luiz. Për mbrojtësin 24-vjeçar, drejtuesit e Çelsit pritet që të paguajnë një shumë prej 26 milionë sterlinash. Në këtë marrëveshje mund të përfshihen edhe mbrojtësi portugez, Paolo Fereira dhe sulmuesi nga Bregu i Fildishtë, Salomon Kalo. Mbrojtja, që për vite me radhë ka qenë pika më e fortë e Çelsit, këtë sezon ka lënë shumë për të dëshiruar, duke pësuar shumë gola. Për këtë arsye, duke parë edhe dëmtimet e shumta në mbrojtje, trajneri Karlo Ançeloti ka kërkuar përforcimin e prapavijës me lojtarë të tjerë, një prej të cilëve është pikërisht David Luiz.